HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Udhëtimet apostolike  >  2013-07-19 13:32:38
A+ A- Printo artikullin



Dy fjalë për Kishën që pret Papën në Brazil



Kisha braziliane zjen nga entuziazmi, në sa bën përgatitjet e fundit, në pritje të Papës dhe të hapjes së DBR-së. Po ç’mund të themi për Kishën, që pret Papën në Brazil?
“Papa i tërheq njerëzit, më shumë se futbolli”, është një nga shprehjet, që dëgjohet në rrugët e Rios, përplot me qindra mijëra të rinj, ardhur nga të katër anët e botës: priten dy milionë. Sipas imzot Çesare Kostës, ipeshkëv-ndihmës i Rios dhe zëvendës-kryetar i Komitetit organizator, entuziazmi i të rinjve vendas, që përgatisin ngjarjen e madhe, është tepër ngjitës. Tërheq fort edhe shumë të rinj, që janë larguar nga Kisha. Statistikat flasin për 190 milionë brazilianë, 64% nga të cilët, rreth 123 milionë, janë katolikë. Por në ‘72-in ishin 92%. Ka rënie, pra. E ka edhe katolikë, që largohen nga Kisha, për të ndjekur kishat historike protestante ose ungjillore. Por duhet theksuar se kohët e fundit Brazilin po e sulmojnë mijëra sekte të tipit pentekostal-karizmatik, që po i shkatërrojnë familjet, posaçërisht në mjediset më të varfëra. Është tejet domethënëse, prandaj, prania e Papës në një realitet të tillë, në Brazil, në një shtegtim, që ka si etapë të parë Shenjtëroren e Aparesidës ku, më 2007, u mbajt Konferenca V e Kishës latinoamerikane, me një dokument të rëndësishëm përfundimtar, hartuar nga një komision, dora kryesore e të cilit ishte ajo e kardinalit Bergolio. Kjo përgjigje i jepej sfidës së sekteve dhe të shekullarizimit të kontinentit, duke nënvizuar qendërsinë e ungjillëzimit të ri. E Papa Françesku shkon në Rio që t’i ftojë të rinjtë të bëhen dishepuj misionarë të Krishtit, për t’ua kumtuar të gjithë kombeve.
Brazili e priti me fe shtegtimin tejet të gjatë të Kryqit të DBR-së dhe Ikonën e Zojës së Bekuar, që arriti në Rio më 6 korrikun e kaluar e, pas kalimit të simboleve të fesë, mijëra familje vendosën t’i hapin dyert për të pritur shtegtarët e rinj, ardhur nga të pesë kontinentet.
Edhe Kisha ungjillore e ajo protestante janë në gatishmëri të plotë. Në prag të arritjes së Papës, në Rio do të mbahet takimi i 200 të rinjve katolikë, hebrenj e myslimanë, që do të bëjnë propozime konkrete për dialogun ndërfetar.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama