HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-07-19 16:26:08
A+ A- Printo artikullin



Rubrika “Te gurra e besimit”: Zoti vjen vetë të na takojë



Kërkojeni Zotin, ishte ftesa me të cilën e përfunduam emisionin e kaluar. Po ku e si? pyesim natyrshëm në krye të emisiont XV të rubrikës sonë “Te gurra e besimit”.
Nuk është vështirë të vërejmë se çdo i ri dëshiron të jetë i lumtur. Dëshirë që shpesh shoqërohet me shqetësim e ankth. E gjithnjë më shpesh shoqëria e konsumit e shfrytëzon këtë afsh fisnik për interesat e veta, duke e shpërfytyruar. Duhet vlerësuar seriozisht, prandaj, dëshira për lumturi, e cila kërkon përgjigje të vërtetë e të plotë. Në moshën rinore zgjidhen rrugët, që pastaj e çojnë njeriun drejt së mirës ose së keqes për gjithë jetën. Nuk janë pak të rinjtë, që e lënë veten në mëshirën e mirazheve të parajsave artificiale, për të përfunduar, pastaj, në vetmi të frikshme. Por nuk mungojnë as djemtë e vajzat, që duan ta shndërrojnë doktrinën në veprimtari, për t’i dhënë kuptim të plotë jetës së tyre. Papa i fton të gjithë të shikojnë përvojën e Shën Agostinit, i cili pohonte se zemra e njeriut nuk ka paqe, derisa të gjejë Atë, që e kërkon me të vërtetë. E, gjithnjë në kërkim të etshëm, Agostini zbuloi se vetëm Jezu Krishti ishte përgjigjja, që e përmbushte plotësisht dëshirën, të tijën e të të gjithë njerëzve, për një jetë të lumtur, përplot me kuptim e vlerë (cfr Confessioni I,1,1).
Si bëri Zoti me të, ashtu bën edhe me ne: vjen ta takojë secilin nga ne. Troket në portën e lirisë sonë e kërkon të pritet si mik. Vjen të na bëjë të lumtur, të na mbushë me ndjenja të bukura njerëzore e me dinjitet. Kjo është Feja e krishterë: takimi me Krishtin, Vetjen e gjallë, që i hap jetës horizonte të reja e me to, i jep edhe drejtim përfundimtar. E kur i riu e hap zemrën për t’i pranuar planet e Tij, nuk ngurron më, sepse e njeh dhe e ndjek. Zoti e thërret secilin nga ne me emër, secilit dëshiron t’i besojë një mision të posaçëm në Kishë e në shoqëri. Duhet të jemi të vetëdijshëm se Pagëzimi na bën bij të Hyjit e gjymtyrë të Korpit të Krishtit, që është Kisha. Jezusi na e përsërit vazhdimisht ftesën për të qenë dishepujt e Tij, dëshmitarët e Tij. Shumë i thërret të ndjekin rrugën e martesës e përgatitja për këtë sakrament është udhë e vërtetë shenjtërie. Duhet shikuar me seriozitet të madh thirrja hyjnore për të formuar një familje të krishterë, e rinia duhet të jetë koha, në të cilën ndërtohet, me ndjenjë të lartë përgjegjësie, e ardhmja e çdo njeriu.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama