HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-07-20 12:25:18
A+ A- Printo artikullin



Shenjtorët e Javës



E diel 21 korrik, Kisha katolike kremton të dielën e 16-të gjatë vitit liturgjik, gjithnjë më 21 korrik kalendari përkujton edhe shën Lorencin nga Brindizi, meshtar kapuçin doktor i Kishës, shën Prasedianin romake e shën Ezekielin profet. Liturgjia e kësaj së diele nga shën Luka na flet për mikpritjen e Martës e të Marisë që i bënë Jezusit në shtëpinë e tyre. E porosia e pjesës ungjillore është të mësojmë nga Mësuesi hyjnor që vëllai apo motra jonë nuk kanë nevojë vetëm për ushqim, por edhe për Fjalën e Zotit. Dëgjimi i Fjalës Hyjnore paraprinë e mbështet çdo përcaktim, veprim tonë.
Të hënën më 22 korrik kalendari përkujton shën Marinë Magdalenë, nxënëse e Krishtit, që jetoi me moton: Shpirti im ka etje për ty, o Zot’. Si Nusja e ‘Këngës së Këngëve’, Maria kërkon, pa gjetur prehje, Atë që e do me gjithë zemër. Dënesa e saj pranë varrit të Jezusit, pas takimit me të Ngjallurin shndërrohet në britmën e gëzimit: “Kam parë Zotin!”.
Të martën me 23 korrik kalendari përkujton shën Brigjidën, Pajtore Qiellore e Evropës. “Dashuria ime është i Kryqëzuari” ishte motoja e saj. Karizma e shën Brigjidës ishte lavdërimi i përhershëm i Hyjit, dhurimi i jetës për shpërblim të mëkateve dhe bashkimi i Kishës. I mëson gratë e kohëve tona ta çojnë dashurinë e Krishtit në të gjitha fushat e shoqërisë.
Të mërkurën 24 korrik, kalendari përkujton shën Sharbel Maklufin, meshtar e shën Kristinën, virgjër e martire. Me jetën e tyre na nxisin të meditojmë se detyra kryesore e njeriut është të bëjë vullnetin e Zotit. Detyrat e kërkesat e tjera të panumërta të jetës njerëzore, që nga ato të familjes, tek detyrat e punës, janë të gjitha të dorës së dytë e të gjitha të varura pikërisht nga vullneti i Zotit.
Të enjten më 25 korrik, kalendari përkujton shën Jakun e Madh, Apostull, që na kujton se dëshira për të zënë vendet e para i tundon edhe Apostujt. E Jaku e zë vërtetë një vend të parë: është i pari që jep jetën për Krishtin.

Të premten më 26 korrik bie përkujtimi i shën Joakimit e shën Anës, prindërve të Zojës së Bekuar, gjyshi e gjyshja e Jezusit, që kujtohen e së bashku me të drejtët që prisnin ardhjen e Mesisë. Këta na kujtojnë se lumnia e vërtetë e nxënësve të Krishtit është se arritën të shohin me sytë e tyre e të dëgjojnë me veshët e tyre atë që profetët e të drejtët e dëshiruan me gjithë zemër, por s’e panë, as s’ e dëgjuan.

Të shtunën më 27 korrik, kalendari përkujton shën Pantaleonin, mjek e martir e shën Çelestinin papë, që na kujtojnë se Jezusi i shpall të lum ata që e mirëpresin Atë dhe Fjalën e Tij.

Të dielën e ardhshme më 28 korrik Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 17-të gjatë vitit liturgjik, gjithnjë më 28 korrik kalendari përkujton edhe shën Urbanin II papë, shën Nazarin e Çelsin, martirë milanezë e shën Vitorin papë. Liturgjia e festës së tyre na kujton se fara e mirë shkon dëm në se nuk bie në tokë pjellore. Duhet të jemi, prandaj, tokë e mirë, që fara e Ungjillit të japë fryt në shpirtin tonë.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama