HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Politika >  2013-07-19 15:11:52
A+ A- Printo artikullin



Siri, thirrje dramatike e OKB-së: vdesin 5 mijë njerëz në muaj



Kriza në Siri është më e tmerrshme edhe se genocidi në Runadë: ky është bilanci dramatik i Kombeve të Bashkuara, që flet për 5 mijë të vdekur në muaj e gati një milion e 500 mijë refugjatë në ikje. Haraçin më të lartë po e paguan Halebi, ku gjatë bombardimeve vdiqën edhe dy fëmijë të krishterë. Shtohet presioni në kufirin me Sirinë, aq sa OKB-ja u kërkon vendeve fqinje të mos i mbyllin kufijtë: nga Turqia, patriku Bartolomeu I, kujton dy ipeshkvijtë e rrëmbyer në Siri.
Nga Pallati i Qelqit vjen thirrja t’i hapen rrugët refugjatëve. Ndërkaq njoftohet se në Irak tashmë ndodhen 160 mijë sirianë. Prandaj vendi i ka mbyllur kufijtë, pa marrë parasysh thellimin e konfliktit, e po ashtu ka bërë edhe Egjipti, i tronditur nga trazirat e veta, të cilave u shtohet edhe strehimi i 90 mijë sirianëve të ikur. Ndërsa Turqia e Jordania strehojnë më se një milion vetë. Presioni në kufij bëhet gjithnjë më dramatik, posaçërisht në Liban ku pak ditë më parë një karvan i drejtuar nga milicët hezbollah u sulmua pranë Masnaa, ndërsa në jug, një funksionar i lartë sirian u vra me armë zjarri. Vdekje mbjellin edhe plumbat e shkrehur në ajër nga armët siriane në kufi, ndërsa thellohen ndeshjet ndërmjet bashkësisë kurde e grupeve xhihadiste, anëtare të al Kaedës. Së fundi, një grup antiasad, depërtoi në një pozicion të përparuar izraelit në lartësitë e Golanit. Hera e parë që ndodh një sulm i tillë, që nga fillimi i luftës.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama