HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Udhëtimet apostolike  >  2013-07-22 15:07:46
A+ A- Printo artikullin



Brazili, i pari në botë për nga numri i katolikëve



I pavarur nga Portugalia që nga viti 1822, Perandoria e Brazilit u shndërrua në Republikë më 1889. Kushtetuta e vitit 1891 sanksionoi formën e qeverisjes presidenciale dhe strukturën federale. Në vitin 1964, pas dhjetë vjetësh qeverisjeje të partive të së majtës populiste, një puç vendosi diktaturën ushtarake, në fuqi deri në vitin 1985, kur qeveria civile u kthye në pushtet.
Sot, Brazili është republikë federale dhe presidenciale. Vendi përbëhet nga 26 shtete e nga distrikti federal i Brazilies, kryeqytetit. Çdo shtet ka institucionet e veta administrative, legjislative dhe juridike. Presidenti i Republikës vendoset me zgjedhje të përgjithshme. Pushteti legjislativ ushtrohet nga Parlamenti (Congresso Nacional), i cili përbëhet nga Dhoma e Deputetëve dhe nga Senati. Ka edhe një Këshill të Republikës, që thirret në raste emergjencash kombëtare.
Brazili është një ndër vendet me zhvillim të shpejtë, përkrah Kinës e Indisë. Në vitin 2004, nga baza a Alkàntarës u lëshua me sukses raketa e parë e Agjensisë Kozmike Braziliane. Në vitin 2006, qeveria promovoi politikën e integrimit ekonomik me vendet e të ashtuquajturit “Briri i Jugut”, ku bëjnë pjesë Argjentina, Kili, Paraguaji dhe Uruguaji. Por kjo ka çmimin e vet. Brazili i autorizoi firmat dhe ndërmarrjet e veta të punojnë në Amazonë, pavarësisht se me ligje të rrepta për ruajtjen e ambientit, si edhe shpalli hapjen e një impianti të ri për pasurimin e uraniumit, për të prodhuar lëndën djegëse të nevojshme për dy centralet e tij bërthamore.
Kryeqyteti federal, Brazilia, ka mëse dy milion e gjysëm banorë, por është vetëm i katërti për nga numri i popullsisë, i paraprirë nga San Paulo, Rio-de-Zhanejro dhe Salvador Bahia. Sipërfaqja e vendit i kalon 8 milion e gjysëm kilometra katror, për një popullsi prej gati 200 milion banorësh. Ndër ta, 84,48% janë katolikë, duke e bërë Brazilin vendin e parë në botë për praninë e katolikëve. Pjesa më e madhe e kësaj mase të përzier njerëzish, me të bardhë, metisë, zezakë e amerindë, jetojnë në qytete, rreth 84%. Brazili ka 23 banorë për kilometër katror. Të gjithë flasin portugalisht, por edhe idomat e ndryshme amerinde. Përveç katolikëve, gjejmë sidomos protestantë, që përbëjnë 15,5% të popullsisë, por edhe anëtarë të feve të tjera. Monedha e përdorur quhet Real dhe vlen 0,33 euro. Prodhimi i Brendshëm Brut për banor është 11.769 dollarë amerikanë, më pak se gjysma e vendeve të zhvilluara të Evropës perëndimore.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama