HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Udhëtimet apostolike  >  2013-07-22 13:00:57
A+ A- Printo artikullin



Papa Françesku u nis për në Rio-de-Zhanéjro



Nisi shtegtimi i parë ndërkombëtar i Papës Françesku: avioni papnor, një Airbus A330 i Alitalia-s, u shkëput në orën 8.53 nga aeroporti i Fiumiçinos. Për ta përshëndetur Atin e Shenjtë, që mbante në dorë çantën e udhëtimit, kishte dalë edhe kryeministri, Enriko Leta. Parashikohet që avioni të prekë tokën e aeroportit ndërkombëtar Galeão/Antonio Carlos Jobim të Rios rreth orës 16.00 me orën vendase, 21.00 me orën evropiane. Në Brazil tashmë kanë arritur një mori të rinjsh për Ditën e tyre të 28-të Botërore. Këtë radhë do të jetë një Papë i ardhur nga kontinenti i tij, që do t’ua gjallërojë fenë, do t’u japë shpresë e do t’i nxisë për mision, siç thekson edhe tema e DBR-së, menduar nga Benedikti XVI: “Shkoni e bëni dishepuj të gjithë popujt!’ (Mt 28,19).
Një DBR-së së cilës Papa Françesku deshi t’i vërë vulën personale, me etapën në shenjtëroren e Aparesidës dhe me takimet në skutat, ku jetojnë të fundmit: në favelas, në spitale, në burgje.

Nga Aparecida, të mërkurën e ardhshme, duke pohuar dashurinë për Zojën e Bekuar, do t’ia besojë, tek këmbët e Saj, jo vetëm DBR-së, por edhe papninë, ndërsa pasdite do të vizitojë spitalin e Shën Françeskut, institucion mjekësor i specializuar për rimëkëmbjen e alkoolistëve dhe të droguarve. Dramë, kjo e fundit, që e vuri ‘Atë Horhen’ në vijë të parë të frontit gjatë 14 vjetëve të misionit si kryeipeshkëv i Buenos Ájres. Në favelën e Varginha, periferi gjeografike, morale dhe ekonomike e Rios, e ‘bonifikuar’ nga kriminaliteti dhe trafiku i drogës nga një program qeveritar për rimëkëmbje, do të shkojë të enjten pasdite, ndërsa të premten do të takojë të përjashtuarit nga shoqëria në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, të burgosurit.
Papa do të pritet në aeroport, nga përfaqësues të Kishës vendase dhe të shtetit, në krye të të cilëve, presidentja Dilma Rousseff e cila, me këtë rast, i ka ftuar në Rio të gjithë presidentët e Amerikës Latine.
Papa Françesku do ta hapë DBR-së me frymë të thellë misionare, të enjten pasdite kur, në sfondin mahnitës të bregdetit të Kopakabanës do të pritet nga të rinjtë, mbledhur nga të katër anët e botës: dy milionë, sipas llogaritjeve të fundit.
Të premten paradite, ditë pendestare, Papa do të rrëfejë disa të rinj të DBR-së në Parkun Quinta da Boa Vista, ndërsa në mesditë do të kremtojë lutjen e Engjëllit të Tënzot. Siç është bërë tashmë traditë në DBR-së, Papa do të shtrohet në sofër me 12 të rinj, përfaqësues të pesë kontinenteve.
Të premten në mbrëmje do të jetë përsëri në Kopakabana për Udhën e Kryqit të të rinjve .
Të shtunën, Dita e gëzimit, pas Meshës në katedrale me ipeshkvijtë e meshtarët e pranishëm në Rio dhe takimit me klasën drejtuese braziliane, Papa do të shkojë në sheshin vigan të Guaratibës, ripagëzuar “Campus Fidei” për Mbrëmësoren e madhe të lutjes me të rinjtë, që do të rrinë gjithë natën aty, duke pritur, zgjuar, kremtimin e Meshës përfundimtare të DBR-së. Kremtimi do të pasohet nga lutja e Engjëllit të Tënzot.
Para se të largohet nga Rio, Papa Françesku do të takohet me Komitetin e koordinimit të Celam, mbledhur në qytetin karioka e me 15 mijë vullnetarët, përfaqësues të 60 mijëve, që punuan për suksesin e takimit të madh rinor brazilian.
Gjatë pranisë së tij në Rio, ku do të lëvizë me xhipin e zbuluar për t’i takuar më lirisht njerëzit, parashikohet edhe bekimi i flamujve olimpikë për Lojërat e 2016-tës si dhe dorëzimi i çelësave të qytetit të Rios. Një gjest simbolik për Papën i cili, me çelësin e gjesteve e të fjalëve të tij plot mëshirë, ia ka hapur tashmë zemrat shumë njerëzve.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama