HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Udhëtimet apostolike  >  2013-07-24 15:39:18
A+ A- Printo artikullin



Papa Françesku në Brazil: të enjten vizita në favelën e Varzhinjës



Të shumta, veprimtaritë që e presin Papën në ditët e ardhshme, ndër të cilat, vizita në favelën e Varzhinjës, nesër, ditën e enjte. Favela (emër brazilian për lagjet me baraka të më të varfërve) ndodhet në veri të Rio-de-Zhanejros e me 2.500 banorët e saj është ndër më të njohurat e metropolit kariokas, ndërmjet një rruge me shumë trafik dhe një ish-rafinerie nafte, pranë aeroportit e bazave ushtarake. Historia e saj është mjaft e dhunshme, e lidhur me trafikun e armëve e të drogës. Por më hollësisht për favelën, ku do të shkojë nesër Papa Françesku, na flet nga Rio, i dërguari i Radio Vatikanit, Roberto Piermarini:
Këtu, nga favela e Varzhinjës, shihet qartë shtatorja e Krishtit Shëlbues, simbol i Rio-de-Zhanejros. Krahët e Jezusit hapen për të përqafuar edhe 50 mijë vetët, që banojnë në këto shtëpiza shumëngjyrëshe, në baraka, në mesin e rrugëve të pashtruara e të rrjetit të ngatërruar të telave të elektrikut. Legjenda tregon se samba – muzika e Karnevaleve – lindi pikërisht në favelat e Rios, por sot, këtu dëgjojmë vetëm një muzikë shurdhuese repi, rege e hip hop. Ritmet e reja janë sjellë nga trafikantët e drogës. Pikërisht prej këndej, ata drejtonin shpërndarjen e drogës për Veriun e botës, aq sa për shkak të dhunës së vazhdueshme, favela është quajtur “Rripi i Gazës”. Pastaj, në prag të Confederation Cup, Ditës Botërore të Rinisë, Kampionatit Botëror të 2014-ës dhe Lojrave Olimpike të 2016-ës, qeveria e “bonifikoi” zonën nga prania e narkotrafikantëve, duke vendosur njësi policie për ta ndihmuar popullsinë të jetojë sipas ligjit. Dhuna u ndal në pak kohë e u hapën laboratore artizanale e qendra kulturore. E së bashku me celularët e televizorët, në favela fillojnë të qarkullojnë edhe librat. Para mbërritjes së Papës, Prefektura po rregullon si mundet rrugët e pashtruara, nga të cilat janë zhdukur skeletet e makinave të lëna pa zot. Kisha e Shën Jeronim Emilianit, fryt i misionit të etërve somaskë dhe i murgeshave të Nënë Terezës, ku Papa Françesku do të bekojë elterin e ri, mban erën e bojës së freskët. Popullsia e pret Papën me padurim, sepse ai do të hyjë në njërën prej shtëpive, por nuk dihet në cilën. Do ta mësojmë vetëm në çastin e vizitës, për të shmangur kështu, manipulimin e familjes ku do të jetë mik. Papa Françesku do ta takojë bashkësinë vendase në fushën e futbollit të favelave. E njëjta fushë, ku ish-futbollisti Zhairzinjo stërvit fëmijët. “Papa e di sa i rëndësishëm është futbolli për ne latinët”, pohon ish-sulmuesi kariokas. Vërtet, futbolli përdoret si mjet kundër dhunës. Në favelat e Rios është akoma i gjallë kujtimi i vizitës së një Pape tjetër, i të Lumit Gjon Pali II, i cili, në vitin 1980, shkoi në Vidizhal, zonë në jug të Varzhinjës, e u dhuroi të varfërve të asaj bashkësie unazën e artë baritore, që mbante në gisht. Ata nuk e shitën kurrë, por deshën që ajo të ruhej në muzeun e Rios. Tani, pas 33 vjetësh, një papë tjetër përkulet mbi vuajtjet e popullit të favelave. Një mënyrë për të përqafuar edhe një herë – ashtu si Krishti Shëlbues i Korkovados – ato “periferi të botës”, me të cilat ndjehet veçanërisht i lidhur Papa Françesku.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama