HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kultura dhe shoqëria >  2013-07-24 08:59:41
A+ A- Printo artikullin



Shpallja e Hyrietit – hap drejt pavarësisë së Shqipërisë.



Më 24 korrik 1908, turqit e rinj shpallën kushtetutën apo Hyrietin (lirinë), në të cilën shpalleshin liritë e të drejtat, në të gjithë Perandorinë Osmane. Kjo ngjarje në trevat shqiptare u prit me gëzim e entuziazëm nga gjithë populli, që vuante prej shekujsh nën sundimin e autokracisë së sulltanëve. Në manifestimet që shpërthyen në mënyrë spontane në qytete të ndryshme të vendit, nën parullat e përhapura në atë kohë “liri, barazi, vëllazëri dhe drejtësi”, populli shprehu solidaritetin me revolucionin dhe kushtetutën. Të pritur me gëzim nga populli, zbritën nga malet në qytete luftëtarët e lirisë, çetat kryengritëse, që kishin nisur luftën kundër tiranisë së sulltanit për çlirimin e Shqipërisë.
Drejtuesit dhe shumë veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare shpresonin se, me shpalljen e kushtetutës, shqiptarëve dhe gjithë kombësive të shtypura do t’u siguroheshin liritë politike e barazia, të premtuara nga turqit e rinj. Vetëm disa përfaqësues konservatorë të parisë e të klerit të lartë myslimanë, që merrnin pensione e shpërblime nga sulltani, e pritën shpalljen e kushtetutës në mënyrë të ftohtë e të përmbajtur.
Manifestime të mëdha u mbajtën më 24-29 korrik në qytetet kryesore të Shqipërisë së Jugut, të Mesme, si edhe në Shkodër e në qytetet e Kosovës. Gjatë këtyre mitingjeve populli përshëndeti shpalljen e kushtetutës dhe shprehu njëherazi besnikërinë ndaj Shqipërisë dhe dashurinë për gjuhën shqipe. Në shumë nga këto qytete ushtarët turq vëllazëroheshin me luftëtarët e çetave.
Në këto manifestime populli shfaqi gjithashtu aspiratat e tij kombëtare. Shpallja e kushtetutës u kuptua si shpallja e lirisë dhe e të drejtës së vetëqeverisjes së Shqipërisë. Qysh në ditët e para pas fitores së revolucionit, në shumë qytete, si në Vlorë, Krujë, Durrës, Tiranë, Prizren, Gjakovë, Pejë, Ferizaj, Kaçanik etj., populli me nismën e vet filloi të dëbonte nëpunësit e aparatit të vjetër administrativ, mutesarifët, kajmekamët, gjykatësit, komandantët e xhandarmërisë, të policisë etj., dhe bëri përpjekje për të marrë pushtetin në duart e veta, duke krijuar komisione që kryenin funksionet e organeve të vetëqeverisjes, pajtonin gjaqet dhe mbanin rregullin e qetësinë.
Shkupi e kremtoi shpalljen e kushtetutës më 25 korrik, në rrethana të veçanta, i rrethuar nga forcat e këmbësorisë e të artilerisë turke, që u ngarkuan të ndalonin hyrjen në qytet të katër mijë fshatarëve të armatosur, të cilët donin të shpallnin autonominë e Shqipërisë me qendër në Shkup. U lejuan të hynin në qytet vetëm disa dhjetëra nga prijësit e kryengritësve shqiptarë, që u pritën me gëzim nga populli. Gjithsesi shumë shpejt shqiptarët do ta kuptonin se liria nuk dhurohet, por fitohet.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama