HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-07-25 17:24:13
A+ A- Printo artikullin



Mesazhi i Benediktit XVI për Ditën Botërore të Rinisë 2013



MESAZHI E ATIT TË SHENJTË BENEDIKTI XVI PËR DITËN BOTËRORE TË RINISË
2013
«Shkoni e bëjini nxënës të mi të gjithë popujt!» (krh. Mt 28,19)
Të dashur të rinj e të reja,
Dua t’ju jap të gjithë juve përshëndetjen tim plot me gëzim dhe dashuri. Jam i sigurt se shumë prej jush janë kthyer nga Dita Botërore e Rinisë në Madrid më shumë “të rrënjosur dhe të themeluar në Krishtin, të fortë në fe” (krh Kol 2,7). Këtë vit, në dioqeza të ndryshme, kemi festuar gëzimin e të qenit të krishterë, të frymëzuar nga tema: “Jini gjithmonë të gëzuar në Zotin!” (Fil 4,4). E tani po përgatitemi për Ditën e ardhshme Botërore të Rinisë, e cila do të festohet në Rio de Zhaneiro, në Brazil, në muajin korrik 2013.
Dëshiroj, para së gjithash, ta përtërij ftesën për të marrë pjesë në këtë takim të rëndësishëm. Shtatorja e famshme e Krishtit Shëlbues, që e sundon atë qytet të bukur brazilian, do të jetë simboli shprehës: krahët e tij të hapura janë shenja e mikpritjes që Zotëria do ta ruajë për të gjithë ata që do të vijnë tek Ai dhe zemra e tij përfaqëson dashurinë e madhe që Ai e ka për secilin dhe për secilën prej jush. Lëreni veten që të tërhiqeni prej Tij! Jetojeni këtë përvojë takimi me Krishtin, së bashku me shumë të rinj të tjerë që do të mblidhen në Rio de Zhaneiro për takimin botëror të radhës! Lëreni veten që t’ju dojë Ai dhe do të jeni dëshmitarë të asaj që bota ka nevojë.
Ju ftoj që të përgatiteni për Ditën Botërore në Rio de Zhaneiro, duke medituar që tani për temën e takimit: «Shkoni e bëjini nxënës të mi të gjithë popujt!» (Mt 28,19). Bëhet fjalë për nxitjen e madhe misionare që Krishti ia ka lënë mbarë Kishës dhe që mbetet aktuale edhe sot, pas dymijë vjetësh. Tani, kjo porosi duhet të tingëllojë me fuqi në zemrën tuaj. Viti i përgatitjes për takimin e Rio de Zhaneiros përkon me Vitin e Fesë, në fillimin e të cilit Sinodi i Ipeshkvijve ia kushtoi punën e tij “Ungjillëzimit të ri për transmetimin e fesë së krishterë”. Prandaj, jam i gëzuar që edhe ju, të dashur të rinj e të reja, jeni të përfshirë në këtë hov misionar të të gjithë Kishës: njohja me Krishtin është dhurata më e çmuar që mund t’ua bëni të tjerëve.
1. Një thirrje urgjente
Historia na ka treguar për sa e sa të rin, që përmes dhuratës bujare të vetvetes, i kanë dhënë një ndihmesë të madhe Mbretërisë së Hyjit dhe zhvillimit të kësaj bote, duke e shpallur Ungjillin. Me entuziazëm të madh, ata e kanë çuar Lajmin e Mirë të Dashurisë së Hyjit të dëftuar në Krishtin me mjete dhe mundësi shumë më të pakta se ato që kemi ne sot. Mendoj, për shembull, për të Lumin Hoze de Ançieta, një i ri jezuit spanjoll i shekullit XVI, që u nis për mision në Brazil kur kishte më pak se njëzet vjeç dhe u bë një apostull i madh i Botës së Re. Por, mendoj edhe për sa e sa prej jush që i kushtoheni me bujari misionit të Kishës: kam pasur dëshmi befasuese gjatë Ditës Botërore në Madrid, veçanërisht gjatë takimit me vullnetarët.
Sot, nuk janë të paktë të rinjtë që dyshojnë thellësisht nëse jeta është një e mirë dhe nuk shohin qartësi në rrugën e tyre. Më shumë në përgjithësi, përballë vështirësive të botës së sotme, shumë e pyesin veten: e unë çfarë mund të bëj? Drita e fesë e ndriçon errësirën tonë, na bën të kuptojmë se çdo gjë që ekziston e ka një vlerë të pallogaritshme, pasi është fryt i dashurisë së Hyjit. Ai e do edhe atë që është larguar nga Ai ose që e ka harruar: ka durim dhe pret; madje, e ka dhuruar Birin e tij, të vdekur e të ringjallur, për të na liruar rrënjësisht nga e keqja. Dhe Krishti i ka dërguar nxënësit e tij për t’ia çuar të gjithë popujve këtë lajm të gëzueshëm të shëlbimit dhe të jetës së re.
Kisha, për vazhdimin e këtij misioni të ungjillëzimit, llogarit edhe në ju. Të dashur të rinj, ju jeni misionarët e parë mes bashkëmoshatarëve tuaj! Në fund të Koncilit të dytë Ekumenik të Vatikanit, 50-vjetorin e të cilit e kremtojmë këtë vit, Shërbëtori i Hyjit, Papa Pali VI, u dorëzoi të rinjve dhe të rejave të mbarë botës një Mesazh që hapej me këto fjalë: “është pikërisht juve, të rinj e të reja të botës mbarë, që Këshilli dëshiron t’jua drejtojë mesazhin e tij të fundit. Sepse jeni ju ata që do ta merrni pishtarin nga duart e etërve tuaj dhe do ta jetoni në botë në momentin e shndërrimeve më gjigande të historisë së saj. Jeni ju që, duke mbledhur më të mirën nga shembulli dhe nga mësimi i prindërve dhe mësuesve tuaj, do ta formoni shoqërinë e nesërme: ju do të shëlboheni ose do të birreni me të”. Dhe e mbyllte Papa me një thirrje: “Ndërtoni në entuziazëm një botë më të mirë se kjo e tanishmja!” (Porosia drejtuar të rinjve, 8 dhjetor 1965).
Të dashur miq, kjo ftesë është tejet aktuale. Po kalojmë një periudhë historike shumë të veçantë: përparimi teknik na ka ofruar mundësi të panumërta ndërveprimi mes njerëzve dhe popujve, por globalizimi i këtyre marrëdhënieve do të jetë pozitiv e do të bëjë që bota të jetë më e njerëzishme vetëm nëse do të themelohet jo mbi materializmin, por mbi dashurinë, i vetmi realitet që është në gjendje ta mbushë zemrën e secilit dhe t’i bashkojë njerëzit. Hyji është dashuri. Njeriu që e harron Hyjin është pa shpresë dhe e humb aftësinë për ta dashur të afërmin. Prandaj, është urgjente që ta dëshmojmë praninë e Hyjit derisa secili të mund ta provojë atë: është në lojë shëlbimi i njerëzimit dhe shëlbimi i secilit prej nesh. Kushdo që e kupton këtë domosdoshmëri, nuk bën tjetër gjë veçse thërret me Shën Palin: «I mjeri unë nëse nuk e shpall Ungjillin!» (1 Kor9,16).
2. Bëhuni nxënës të Krishtit
Kjo thirrje misionare na drejtohet edhe për një arsye tjetër: është e domosdoshme për ecjen tonë personale të fesë. I lumi Papa Gjon Pali II shkruante: “Feja forcohet duke e dhuruar” (Enc. Redemptoris missio, 2). Duke e shpallur Ungjillin, ju vetë do të rriteni në rrënjosjen tuaj gjithmonë e më të thellë në Krishtin, bëheni të krishterë të pjekur. Angazhimi misionar është një përmasë thelbësore e fesë: nuk jemi besimtarë të vërtetë pa ungjillëzuar. Dhe shpallja e Ungjillit nuk mund të jetë tjetër veçse pasoja e gëzimit që kemi takuar Krishtin dhe se e kemi gjetur në Të shkëmbin mbi të cilin e ndërtojmë ekzistencën tonë. Duke u angazhuar që t’u shërbeni të tjerëve dhe t’ua shpallni atyre Ungjillin, jeta juaj, shpesh e copëtuar nga veprimtari të ndryshme, do ta gjejë bashkimin e vet në Zotin, do ta ndërtoni edhe veten tuaj, do të rriteni e do të piqeni në njerëzinë tuaj.
Po çfarë do të thotë të jesh misionar? Para së gjithash, do të thotë të jesh nxënës i Krishtit, ta dëgjosh gjithmonë sërish ftesën për ta ndjekur, ftesën për të parë Atë: “Mësoni nga unë, që jam zemërbutë e i përvuajtur” (Mt 11,29). Nxënësi, në fakt, është njeriu që vendoset në dëgjim të Fjalës së Jezusit (krh. Lk 10,39), i njohur edhe si Mësuesi që na ka dashur deri në dhurimin e jetës. Pra, bëhet fjalë për secilin për jush që të lejoni të formësoheni çdo ditë nga Fjala e Hyjit: ajo do t’ju bëjë miq të Zotërisë Jezus dhe të aftë për t’i bërë edhe të rinjtë e tjerë që të hyjnë në këtë miqësi më Të.
Ju këshilloj të kujtoheni për dhuratat e marra nga Hyji për t’i transmetuar ato kur t’ju vijë radha. Mësoni ta rilexoni historinë tuaj personale, vetëdijesohuni edhe për trashëgiminë e mrekullueshme të brezave që ju kanë paraprirë: shumë besimtarë na e kanë kaluar fenë me guxim, duke u përballur me prova dhe moskuptime. Të mos e harrojmë kurrë: jemi pjesë e një zinxhiri të pafund burrash dhe grash që na e kanë transmetuar të vërtetën e fesë dhe llogarisin në ne derisa të tjerët ta marrin atë. Të qenit misionar nënkupton njohjen e kësaj pasurie që e kemi marrë, e cila është feja e Kishës: është e domosdoshme që ta njohim atë që e besojmë, për të mundur pastaj ta shpallim. Siç kam shkruar edhe në hyrjen e YouCat (Katekizmi i të Rinjve), të cilin jua kam dhuruar në Takimin Botëror të Madridit, “ju duhet ta njihni fenë tuaj me të njëjtën saktësi me të cilën një specialist i informatikës e njeh sistemin operativ të kompjuterit; duhet ta njihni ashtu siç muzikanti e njeh pjesën e vet muzikore; po, duhet të jeni edhe më thellësisht të rrënjosur në fenë e brezit të prindërve tuaj, që të mund t’i bëni ballë me forcë dhe vendosmëri sfidave dhe tundimeve të kësaj kohe”.
3. Shkoni!
Jezusi i ka dërguar nxënësit e tij në mision me këtë porosi: “Dilni në mbarë botën e predikojani Ungjillin të gjithë njerëzve. Kush do të besojë e do të pagëzohet, do të shëlbohet” (Mk 16,15-16). Të ungjillëzosh do të thotë t’ua çosh të tjerëve Lajmin e Mirë të shëlbimit dhe ky Lajm i Mirë është një person: Jezu Krishti. Kur e takoj, kur e zbuloj se deri në çfarë pike jam i dashur prej Hyjit dhe i shëlbuar prej Tij, lind në mua jo vetëm dëshira, por edhe nevoja për t’ua bërë të njohur atë të tjerëve. Në fillim të Ungjillit sipas Gjonit shohim Andreun, i cili, pasi e takoi Jezusin, nxitoi të çonte tek Ai edhe vëllain e vet, Simonin (krh. Gjn 1,40-42). Ungjillëzimi nis gjithmonë nga takimi me Zotërinë Jezus: kush i afrohet Atij dhe ka bërë përvojën e dashurisë së tij dëshiron që ta bashkëndajë me shpejtësi bukurinë e këtij takimi dhe gëzimin që lind nga kjo miqësi. Sa më shumë ta njohim Krishtin, aq më shumë duam ta shpallim atë. Sa më shumë të flasim me Të, aq më shumë dëshirojmë të flasim për Atë. Sa më shumë të jemi të tërhequr prej Tij, aq më shumë dëshirojmë që t’i drejtojmë edhe të tjerët tek Ai.
Përmes Pagëzimit, që na lind në jetën e re, Shpirti Shenjt zë vend në ne dhe e ndez flakë mendjen dhe zemrën tonë: është Ai që na udhëheq për ta njohur Hyjin dhe për të hyrë në miqësi gjithmonë e më të thellë me Krishtin; është Shpirti që na shtyn ta bëjmë të mirën, t’u shërbejmë të tjerëve, ta dhurojmë vetveten. Përmes Krezmimit, pastaj, forcohemi nga dhuratat e tij për ta dëshmuar në mënyrë gjithmonë e më të pjekur Ungjillin. Prandaj, Shpirti i dashurisë ai që i jep shpirt misionit: që na shtyn të dalim nga vetvetja, për “të shkuar” e të ungjillëzojmë. Të dashur të rinj, lëreni veten që të udhëhiqeni nga forca e dashurisë së Hyjit, lëreni veten që kjo dashuri të fitojë mbi prirjen për t’u mbyllur në botën vetjake, në problemet vetjake, në zakonet vetjake; kini guximin që “të niseni” nga vetja juaj për “të shkuar” drejt të tjerëve në takim me Hyjin.
4. Shkoni në të gjithë popujt
Krishti i ngjallur i ka dërguar nxënësit e tij për ta dëshmuar praninë e tij shëlbuese për të gjithë popujt, pasi Hyji, në dashurinë e vet tejet të madhe, dëshiron që të gjithë njerëzit të shëlbohen dhe që askush të mos birret. Me flijimin e dashurisë së Kryqit, Jezusi ka hapur rrugën derisa çdo burrë e çdo grua të mund ta njohë Hyjin dhe të hyjë në një bashkim dashurie me Të. Dhe Ai ka themeluar një bashkësi nxënësish për ta çuar shpalljen e shëlbimit të Ungjillit deri në skajet e botës, që ai t’i mbërrijë burrat dhe gratë e çdo vendi dhe çdo kohe. Le ta bëjmë tonën këtë dëshirë të Hyjit!
Të dashur miq, hidhini sytë përreth e shikoni: shumë të rinj e kanë humbur kuptimin e ekzistencës së tyre. Shkoni! Krishti ka nevojë edhe për ju. Lëreni veten të drejtoheni nga dashuria e tij, jini instrumente të kësaj dashurie të pafundme, që ajo t’u shkojë të gjithëve, veçanërisht atyre “që janë larg”. Disa janë larg gjeografikisht, të tjerët përkundrazi janë larg pasi kultura e tyre nuk i lejon hapësirë Hyjit; disa nuk e kanë pranuar ende Ungjillin personalisht, të tjerët, edhe pse e kanë marrë, e jetojnë sikur Hyji të mos ekzistonte. Të gjithëve ua hapim derën e zemrës tonë; kërkojmë të hyjmë në dialog, me thjeshtësi dhe me respekt: ky dialog, nëse jetohet në një miqësi të vërtetë, do të japë fryt. “Popujt”, te të cilët jemi dërguar, nuk janë vetëm vendet e tjera të botës, por edhe mjediset e ndryshme të jetës: familja, lagjja, vendet e studimit dhe punës, grupet e miqve dhe vendet e kohës së lirë. Shpallja e gëzueshme e Ungjillit iu drejtohet të gjitha mjediseve të jetës tonë, pa asnjë kufizim.
Dua të nënvizoj dy fusha në të cilat angazhimi juaj misionar duhet të jetë edhe më i vëmendshëm. I pari është ai i komunikimeve shoqërore, në veçanti bota e internetit. Ashtu siç kam pasur mundësinë t’jua them, të dashur të rinj, “ndihuni të angazhuar për ta futur në kulturën e këtij mjedisi të ri komunikues dhe informues vlerat mbi të cilat mbështetet jeta juaj! [...] Juve, të rinj, që thuajse në mënyrë të vetvetishme gjendeni në sintoni me këto mjete të reja të komunikimit, ju takon në mënyrë të veçantë detyra e ungjillëzimit të këtij “kontinenti dixhital”. Mësoni, pra, ta përdorni me urti këtë mjet, duke marrë parasysh edhe kurthet që ai i përmban, në mënyrë të veçantë rrezikun e varësisë, të përzierjes së botës reale me atë virtuale, të zëvendësimit të takimit dhe dialogut të drejtpërdrejtë me njerëzit me kontaktimet në rrjet.
Mjedisi i dytë është ai i lëvizjes. Sot ka gjithmonë e më shumë të rinj që udhëtojnë, qoftë për arsye studimi ose pune, qoftë për argëtim. Por, mendoj këtu edhe për të gjitha lëvizjet migruese, me të cilat miliona njerëz, shpesh të rinj, zhvendosen dhe ndërrojnë qytet ose vend për arsye ekonomike ose shoqërore. Edhe këto fenomene mund të bëhen raste provanore për përhapjen e Ungjillit. Të dashur të rinj, mos kini frikë ta dëshmoni fenë tuaj edhe në këto kontekste: është një dhuratë e çmuar për këdo që takoni që t’ia komunikoni gëzimin e takimit me Krishtin.
5. Bëni nxënës!
Mendoj se e keni provuar shumë herë vështirësinë për t’i përfshirë moshatarët tuaj në përvojën e fesë. Shpesh do ta keni konstatuar se si në shumë të rinj, sidomos në disa faza të ecjes së jetës, ekziston dëshira për ta njohur Krishtin dhe për t’i jetuar vlerat e Ungjillit, por kjo shoqërohet nga ndjenja se janë të papërshtatshëm e të paaftë. Çfarë të bëni? Para së gjithash, afërsia juaj dhe dëshmia juaj e thjeshtë do të jenë një kanal përmes të cilit Hyji do të mund ta prekë zemrën e tyre. Shpallja e Krishtit nuk kalon vetëm përmes fjalëve, por duhet ta përfshijë të gjithë jetën dhe të përkthehet në gjeste dashurie. Të qenit ungjillëzues lind nga dashuria që Krishti e ka futur brenda nesh; kështu, dashuria jonë duhet t’i përshtatet gjithmonë e më shumë dashurisë së Tij. Si Samaritani i mirë, ne duhet të jemi gjithmonë të vëmendshëm ndaj kujtdo që takojmë, të dimë të dëgjojmë, të kuptojmë, të ndihmojmë, për ta drejtuar këdo që është në kërkim të të vërtetës dhe të kuptimit të jetës në shtëpinë e Hyjit, që është Kisha, ku ka shpresë dhe shëlbim (krh. Lk 10,29-37).
Të dashur miq, mos e harroni kurrë se vepra e parë e dashurisë që mund ta bëni ndaj të afërmit është bashkëndarja e burimit të shpresës tonë: kush nuk e jep Hyjin, jep shumë pak! Apostujve të vet Jezusi iu urdhëron: “Bëjini nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt! Mësojini të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar!” (Mt28,19-20). Mjetet që kemi për “të bërë nxënës” janë më së pari Pagëzimi dhe katekeza. Kjo do të thotë se duhet t’i drejtojmë personat që po ungjillëzojmë kah takimi me Krishtin e gjallë, në mënyrë të veçantë në Fjalën e tij dhe në Sakramentet: kështu do të besojnë në Të, do ta njohin Hyjin dhe do të jetojnë nga hiri i Tij. Do të doja që secili ta pyeste veten: a e kam pasur ndonjëherë guximin që t’ia propozoj Pagëzimin të rinjve që nuk e kanë marrë ende? A e kam ftuar ndokënd që ta ndjekë një ecje zbulimi të fesë së krishterë? Të dashur miq, mos druani t’ia propozoni bashkëmoshatarëve tuaj takimin me Krishtin. Thirreni Shpirtin Shenjt: Ai do t’ju udhëheqë për të hyrë gjithmonë e më shumë në njohjen e dashurisë së Krishtit dhe do t’ju bëjë krijues në transmetimin e Ungjillit.
6. Të fortë në fe
Përballë vështirësive të misionit të ungjillëzimit, nganjëherë do të tundoheni të thoni si Jeremia profet: «Eheu, o Zot Hyj! Po, unë nuk di të flas, sepse jam fëmijë!». Por edhe juve Hyji ju përgjigjet: «Mos thuaj: “jam fëmijë”. Por shko te të gjithë ata që do të të dërgoj» (Jer1,6-7). Kur ndiheni të papërshtatshëm, të paaftë, të dobët për ta shpallur dhe dëshmuar fenë, mos kini droje. Ungjillëzimi nuk është nismë e jona dhe nuk varet para së gjithash nga talentet tona, por është një përgjigje plot besim dhe e bindur ndaj thirrjes së Hyjit, dhe, prandaj, bazohet jo në forcën tonë, por në forcën e tij. E ka provuar Pali apostull që thotë: “Por ne e mbajmë këtë visar në enë argjile, që kjo fuqi e pakrahasueshme të shihet se është e Hyjit e jo prej nesh” (2 Kor 4,7).
Për këtë arsye, ju ftoj që të rrënjoseni në lutje dhe në Sakramente. Ungjillëzimi i vërtetë lind gjithmonë nga lutja dhe mbahet nga ajo: duhet më parë të flasim me Hyjin që të mund të flasim për Hyjin. Dhe në lutje, ia besojmë Zotit njerëzit te të cilët jemi dërguar, duke e lutur që ta prekë zemrën e tyre; i kërkojmë Shpirtit Shenjt që të na bëjë vegla të tij për shëlbimin e tyre; i kërkojmë Krishtit që t’i vendosë fjalët në buzët tona dhe të na bëjë shenja të dashurisë së tij. Dhe, më në përgjithësi, lutemi për misionin e të gjithë Kishës, sipas kërkesës së qartë të Jezusit: “Lutuni, pra Zotërisë së të korrave, të dërgojë korrtarë në të korrat e veta” (Mt9,38). Mësoni të gjeni në Eukaristi burimin e jetës tuaj të fesë dhe të dëshmisë tuaj të krishterë, duke marrë pjesë me besnikëri në Meshën e të dielës dhe sa herë që mundeni gjatë javës. Shkoni shpesh në Sakramentin e Pajtimit: është një takim i çmuar me mëshirën e Hyjit që na pranon, na fal dhe i përtërin zemrat tona në dashuri. E mos ngurroni ta merrni Sakramentin e Krezmimit nëse nuk e keni marrë ende, duke u përgatitur me kujdes dhe angazhim. Me Eukaristinë, ai është Sakramenti i misionit, pasi na e dhuron forcën dhe dashurinë e Shpirtit Shenjt për ta shpallur fenë pa frikë. Gjithashtu, ju nxis që ta praktikoni Adhurimin Eukaristik: qëndrimi në dëgjim dhe në dialog me Jezusin e pranishëm në Sakrament bëhet pika e nisjes së hovit të ri misionar.
Nëse do ta ndiqni këtë ecje, vetë Krishti do t’jua dhurojë aftësinë për t’i qëndruar plotësisht besnikë Fjalës së tij dhe për ta dëshmuar atë me besnikëri dhe guxim. Shpesh do të jeni të thirrur për të dhënë prova qëndrueshmërie, veçanërisht kur Fjala e Hyjit do të ngjallë mbyllje dhe kundërshtime. Në disa vende të botës, disa prej jush jetojnë me vuajtjen se nuk mund ta dëshmojnë dot hapur fenë në Krishtin, për mungesë të lirisë fetare. E ka edhe prej atyre që tashmë e kanë paguar me jetën e vet çmimin se i përkiste Kishës. Ju jap zemër që të qëndroni të fortë në fe, të sigurt se Krishti është pranë jush në çdo provë. Ai ju përsërit: «Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkakun tim, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë!Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell! Jo po, kështu i salvuan edhe profetët para jush! (Mt5,11-12).
7. Me të gjithë Kishën
Të dashur të rinj, për të qëndruar të fortë në shpalljen e fesë së krishterë atje ku jeni dërguar, keni nevojë për Kishën. Askush nuk mund të jetë dëshmitar i Ungjillit i vetëm. Jezusi i dërgoi nxënësit e tij në mision së bashku: “bëni nxënës” është në numrin shumës. Pra, ne e ofrojmë dëshminë tonë gjithmonë si anëtarë të bashkësisë së krishterë dhe misioni ynë bëhet i frytshëm në bashkimin që e jetojmë në Kishë: nga bashkimi dhe nga dashuria që kemi njëri për tjetrin do të na njohin si nxënës të Krishtit (krh. Gjn 13,35). I jam mirënjohës Zotit për veprën e çmuar të ungjillëzimit që zhvillojnë barkësit tona të krishtera, famullitë tona, lëvizjet tona kishtare. Frytet e këtij ungjillëzimi i përkasin të gjithë Kishës: “njëri mbjell e tjetri korr”, thoshte Jezusi (Gjn 4,37).
Prandaj, nuk mund të mos e falënderoj Zotin për dhuratën e madhe të misionarëve, që e kushtojnë krejt jetën e vet për shpalljen e Ungjillit deri në skajet e tokës. Në të njëjtën mënyrë e bekoj Zotin për meshtarët dhe të kushtuarit, që e ofrojnë plotësisht vetveten derisa Jezu Krishti të shpallet dhe të duhet. Dëshiroj këtu t’u jap zemër të rinjve që janë thirrur nga Hyji, të angazhohen me entuziazëm në këto thirrje: “Më i lum është ai që jep se ai që merr” (Vap20,35). Atyre që e lënë gjithçka për ta ndjekur, Jezusi ua ka premtuar njëqindfishin dhe jetën e amshuar! (krh. Mt 19,29).
E falënderoj Hyjin edhe për të gjithë besimtarët laikë që angazhohen për ta jetuar të përditshmen e tyre si mision atje ku ndodhen, në familje apo në punë, derisa Krishti të duhet dhe të shërbehet dhe të rritet Mbretëria e Hyjit. Mendoj në mënyrë të veçantë për të gjithë ata që veprojnë në fushën e edukimit, të shëndetësisë, të sipërmarrjes, të politikës dhe të ekonomisë, si edhe në shumë mjedise të tjera të apostullatit të laikëve. Krishti ka nevojë për angazhimin dhe për dëshminë tuaj. Asgjë – as vështirësitë e as moskuptimet – të mos ju bëjë ta refuzoni dërgimin e Ungjillit të Krishtit në vendet ku gjendeni: secili prej jush është i çmuar në mozaikun e madh të ungjillëzimit!
8. «Ja ku jam, o Zot!»
Në përmbyllje, të dashur të rinj, dua t’ju ftoj ta dëgjoni në thellësinë e vetes tuaj thirrjen e Jezusit për ta shpallur Ungjillin e Tij. Siç e tregon edhe shtatorja e madhe e Krishtit Shëlbues në Rio de Zhaneiro, zemra e tij është e hapur në dashuri ndaj të gjithëve, pa dallim, dhe krahët e tij janë të shtrirë për ta mbërritur secilin. Jini ju zemra dhe krahët e Jezusit! Shkoni ta dëshmoni dashurinë e tij, jini misionarët e rinj të mbushur me dashuri dhe mikpritje! Ndiqeni shembullin e misionarëve të mëdhenj të Kishës, si Shën Françesk Ksaveri e shumë të tjerë.
Në mbyllje të Ditës Botërore të Rinisë në Madrid, kam bekuar disa të rinj të kontinenteve të ndryshme që niseshin në mision. Ata përfaqësonin të rinjtë e shumtë që, duke i bërë jehonë profetit Isaia, i kanë thënë Zotit: “Ja ku jam, më dërgo mua!” (Is 6,8). Kisha ka besim në ju dhe ju është thellësisht mirënjohëse për gëzimin dhe dinamizmin që sillni: përdorini talentet tuaja me bujari në shërbim të shpalljes së Ungjillit! E dimë se Shpirti Shenjt i dhurohet atyre që, me përvujtërinë e zemrës, janë të gatshëm për një shpallje të tillë. Dhe mos kini frikë: Jezusi, Shpëtimtari i botës, është me ne gjithmonë, deri në të sosur të botës (krh. Mt 28,20)!
Kjo thirrje, që ia drejtoj të rinjve të mbarë botës, merr një kuptim të veçantë për ju, të dashur të rinj të Amerikës së Jugut! Në fakt, në Konferencën e pestë të Përgjithshme të Episkopatit të Amerikës së Jugut që është zhvilluar në Aparecida në vitin 2007, Ipeshkvijtë kanë lëshuar një “mision kontinental”. Dhe të rinjtë, që në atë kontinent përbëjnë shumicën e popullsisë, përfaqësojnë një forcë të rëndësishme dhe të çmuar për Kishën dhe për shoqërinë. Jini, pra, ju misionarët e parë! Tani që Dita Botërore e Rinisë po rikthehet në Amerikën e Jugut, i nxis të gjithë të rinjtë e kontinentit: kalojani bashkëmoshatarëve tuaj të botës mbarë entuziazmin e fesë tuaj!
Virgjëra Mari, Ylli i Ungjillëzimit të Ri, e thirrur edhe me titujt e Zojës së Aparecidas dhe Zojës së Guadalupes, e shoqëroftë secilin prej jush në misionin e dëshmitarit të dashurisë së Hyjit. Të gjithëve, me një dashuri të veçantë, ju jap Bekimin tim Apostolik.
Nga Vatikani, më 18 tetor 2012BENEDICTUS PP XVI




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama