HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Udhëtimet apostolike  >  2013-07-26 11:31:55
A+ A- Printo artikullin



DBR-së: në Kopakabana një milion të rinj përqafojnë Papën Françesku



Më se një milion buzëqeshje, një milion përshëndetje me lot emocioni në sy, një milion mirë se erdhe, gjatë përqafimit të përzemërt të të rinjve me Papën Françesku. Kjo ishte atmosfera e djeshme në plazhin e Kopakabanës të Rio-de-Zhanéjro-s, gjatë ceremonisë së pritjes, që i bënë Atit të Shenjtë të rinjtë e mbarë botës, mbledhur këtu për Ditën e tyre të 28-të Botërore. Papa u tha fjalë programatike, ndërmjet të cilave, ‘Feja është revolucionare, e revolucionarizon jetën dhe botën”.Natë e ndriçuar nga gëzimi! Kopakabana u tund nga brohoritjet, kur arriti Papa Françesku. Gjatë tri kilometrave të Avenidës Atlantike shtriheshin krahët e të rinjve, të ardhur nga të pesë kontinentet:
“Ju dëshmoni se feja është më e fortë se e ftohta e se shiu. Shikoj në ju bukurinë e fytyrës së re të Krishtit e zemra ime mbushet me gëzim”.
Janë fjalët e para të Papës, i cili e nisi përshëndetjen duke kujtuar Ditën e parë Botërore të Rinisë në nivel ndërkombëtar, kremtuar më 1987, në Argjentinë, fjalët plot shpresë drejtuar të rinjve nga Gjon Pali II, besnikërinë ndaj Krishtit. Më pas, edhe të renë Sofi Morinier, që vdiq aksidentalisht në Guajanën franceze, si dhe të rinjtë e tjerë të plagosur, për të cilët kërkoi një minut heshtje.
Sivjet, vijoi Papa Françesku, Dita Botërore rikthehet për herë të dytë në Amerikën Latine. E ju, të rinjtë iu përgjigjët me shumicë Papës Benedikti XVI, që ju ftoi për ta kremtuar:
“Ju falënderoj me gjithë zemër!”.
Këto fjalë u pritën me një duartrokitje të gjatë e Papa u tregoi të rinjve se i kishte kërkuar Benediktit XVI ta shoqërojë me lutje e sigurisht tani Papa i nderit po e ndiqte ngjarjen e madhe para ekranit të tv. Pastaj, përshëndetja drejtuar një milion të rinjve, që e rrethonin:
“Këtë javë Rio bëhet qendra e Kishës, zemra e saj e gjallë dhe e re, sepse ju iu përgjigjët me bujari e guxim ftesës, që ju bëri Jezusi për të ndenjur me Të, për të qenë miqtë e Tij. Vëllezër e miq: mirë se erdhët në Ditën XXVIII Botërore të Rinisë, në këtë qytet të mrekullueshëm të Rios”.
Treni i kësaj DBR-së erdhi nga larg, pasi përshkoi mbarë Kombin brazilian, duke ndjekur etapat e projektit “Bota fé”- “Vëre fenë”. Tani arriti në Rio-de-Zhanéjro, tha Papa, dhe me sytë drejtuar nga shtatorja vigane e Krishtit, theksoi: “Nga Korkovado, Krishti Shëlbues na përqafon e na bekon. Duke parë detin, plazhin e ju të gjithë, kujtoj çastin kur Krishti i ftoi dishepujt e tij të parë ta ndiqnin mbi bregun e liqenit të Tiberiades. Sot Jezusi vijon të na bëjë thirrje: ‘Dëshiron të jesh dishepulli im? Dëshiron të jesh miku im? Dëshiron të jesh dëshmitar i Ungjillit tim?’. Në zemër të Vitit të Fesë, këto pyetje na ftojnë ta përtërijmë impenjimin tonë, si të krishterë”.
Familjet dhe bashkësitë tuaja ju transmetuan dhuratën e madhe të fesë. Krishti u rrit në ju. E sot erdha këtu pikërisht për t’jua përforcuar këtë fe, fenë në Krishtin e gjallë, që banon në ju, por erdha edhe për t’u përforcuar nga entuziazmi i fesë suaj, tha Papa e më pas iu drejtua edhe të gjithë atyre, që ishin të lidhur me Rion përmes radios, televizionit e internetit:
“Mirë se erdhët në këtë festë të madhe! Në të katër anët e botës njëherësh, shumë të rinj janë mbledhur për ta jetuar bashkë këtë çast; të ndjehemi të bashkuar njëri me tjetrin në gëzim, në miqësi, në fe. E të jeni të sigurt: zemra ime prej bariu ju rrok të gjithëve me dashuri universale! Krishti Shëlbues, nga maja e malit Korkovado, ju merr në krahë në qytetin e mrekullueshëm të Rios”.
Ati i Shenjtë falënderoi, pastaj, autoritetet shtetërore kombëtare e lokale dhe të gjithë ata, që punuan për organizimin e DBR-së, duke e bërë realitet këtë kremtim të unitetit, të fesë, të vëllazërimit.
Më pas, pesë të rinj, simbol i pesë kontinenteve, i dhanë Papës përshëndetjen, në emër të qindra mijëra të rinjve, mbledhur rreth tij, për Ditën e tyre botërore.
Papa iu përgjigj me fjalë, që kishin në qendër Jezusin. Nëse nga njëra anë, theksoi, është Jezusi që na mikpret, nga ana tjetër jemi ne, që duhet ta mikpresim, duke e dëgjuar fjalën e Tij. Pikërisht duke e mikpritur Jezusin, Shpirti Shenjt na shndërron e na e ndriçon udhën drejt së ardhmes.
Papa kujtoi edhe shtegtimin e dy simboleve të DBR-së: Kryqit e Ikonës së Zojës, titulluar “Bota fé”- “Vendose fenë’ dhe shpjegoi: “Kur përgatitet një gjellë e mirë, ti i shtie kripë, vaj":
“Shtjerja, prandaj fenë jetës sate, e ajo do të ketë shije të re, do të ketë një busull, që tregon drejtimin; shtjeri jetës shpresë, shtjeri dashuri. Vendose në të Krishtin, e jeta jote do të jetë plot me dashurinë e tij, plot me fryte”.
Mbi kë mund ta mbështesim besimin tonë? Mbi vetveten? Mbi sendet, që na rrethojnë? Apo mbi Krishtin? - pyeti Papa:
“Tundohemi ta vëmë veten në qendër të botës, të besojmë se mund ta ndërtojmë vetë jetën tonë, se mund ta bëjmë të lumtur me pasje, para, pushtet. Por nuk është ashtu! Sigurisht pasja, paratë, pushteti mund të të japin një çast dehjeje, mund të të shtyjnë ta gënjesh veten se je i lumtur, po në fund, janë ata, që të pushtojnë e të shtyjnë të kesh gjithnjë më shumë, pa u ngopur kurrë”.
Vendose Krishtin në gjithçka:
“Feja bën revolucion në jetën tonë, revolucion, që mund ta quajmë kopernikian, sepse na heq nga qendra e botës së vogël e na rikthen tek bota e madhe e Zotit, tek qendra e të gjitha sendeve. Në dukje asgjë nuk ndryshon. Ndryshimi ndodh në thellësitë e vetvetes. Jeta jonë shndërrohet, mënyra e të menduarit dhe e të vepruarit përtërihet, në ne nis të mendojë e të veprojë Jezusi, Zoti vetë”.
Më pas Papa shtoi edhe:“Në Vitin e Fesë, kjo DBR-së është pikërisht dhuratë, që na jepet për t’iu afruar më shumë Zotit, për të qenë dishepujt e Tij e misionarët e Tij, për ta lënë që të na e përtërijë jetën": “Vendose Krishtin’ në jetën konkrete: Ai të pret në takimin me Eukaristinë, Sakramentin e pranisë së Tij, të flijimit të Tij, të dashurisë së Tij; e edhe në takimin me humanitetin e shumë të rinjve, që të pasurojnë me miqësinë e tyre, të inkurajojnë me dëshminë e tyre të fesë, të mësojnë gjuhën e dashurisë së krishterë, të mirësisë, të shërbimit. Edhe ti, e dashur e re, i dashur i ri mund të jesh dëshmitar gazmor i dashurisë së Krishtit, dëshmitar guximtar i Ungjillit të Tij, për të sjellë në botën tonë një rreze drite”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama