HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Udhëtimet apostolike  >  2013-07-26 15:43:02
A+ A- Printo artikullin



Shën Joakimi e Shën Ana, personifikime të gjyshërve, në qendër të lutjes së Engjëllit të Tënzot të Papës Françesku në Rio. Ati i Shenjtë takohet me të rinjtë e burgosur



Pas turmës oqeanike të djeshme, që e priti Papën Françesku me entuziazëm të pashoq në bregdetin e Kopakabanës në Brazil, sot, dita e Atit të Shenjtë Françesku duket më e qetë, por duhet të presim Udhën e Kryqit me të rinjtë, gjithnjë, në të njëjtin vend. Siç u njoftua gjatë natës (me orën evropiane), të gjitha veprimtaritë e parashikuara për në Guaratiba do të zhvendosen në plazhin e famshëm të Rio-de-Zhanejros, pasi terreni i mbuluar me ujë nga shirat e vazhdueshme nuk është i përshtatshëm për mbledhjen e aq shumë njerëzve....RealAudioMP3
Dita e pestë e pranisë së Papës Bergolio në Brazil filloi me rrëfimin e pesë të rinjve, në gjuhën italiane, spanjolle dhe portugeze. Vetura e Atit të Shenjtë hyri në parkun “Quinta da Boa Vista”, dikur pronë e jezuitëve, dhe u ndal para njërës prej rrëfyestoreve të shumta, ku afrohen për t’u pajtuar me Zotin mijëra të rinjtë, që marrin pjesë në Ditën e 28-të Botërore të Rinisë. Pastaj, Papa shkoi në Pallatin e Shën Joakimit, seli e kryeipeshkvit të Rios, për t’u takuar privatisht me pesë të rinj të burgosur. Në konferencën e djeshme për shtyp, zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi tregoi se Papa Françesku e ndjen fort nevojën për t’u qëndruar pranë të burgosurve si bari i Kishës. Akoma vazhdon t’i telefonojë çdo dy javë, një grupi të burgosurish me të cilët kishte lidhje në Buenos Ajres. E kështu, kuptohet edhe vendimi i tij për t’u larë këmbët të burgosurve në Romë, të Enjten e Madhe të Pashkëve.
Nga ballkoni i Pallatit kryeipeshkvnor, Ati i Shenjtë tha më pas lutjen e Engjëllit të Tënzot, në një atmosferë të jashtëzakonshme, me sheshet e rrugët mbushur me mijëra e mijëra njerëz. Papa Françesku i falenderoi për mikpritjen dhe për dashurinë e treguar për Pasardhësin e Shën Pjetrit:
“Dua që kalimi im në qytetin e Rios të përtërijë në zemrat e të gjithëve dashurinë për Krishtin e për Kishën, gëzimin e bashkimit me Të e harenë e përkatësisë në Kishë, si edhe impenjimin për ta jetuar e dëshmuar fenë”.
Pikërisht sot, Kisha Katolike kremtoi festën liturgjike të shën Joakimit e të shën Anës. Duke kujtuar prindërit e Shën Marisë, Papa theksoi:
“Në shtëpinë e tyre, Maria mësoi të dëgjojë Zotin e të ndjekë vullnetin e Tij. Shën Joakimi e shën Ana janë pjesë e një zinxhiri të gjatë, që transmetoi dashurinë për Zotin, me ngrohtësi familjare, deri tek Maria, e cila mbajti në kraharor Birin e Hyjit dhe ia dhuroi botës, e dhuroi për ne”.
Kjo, vazhdoi Papa, tregon sa vlerë ka familja, sa e çmuar është kjo vatër e privilegjuar për t’ua kaluar fenë brezave të rinj. Ati i Shenjtë kujtoi se në Brazil e në Amerikën Latine dita e shën Joakimit dhe e shën Anës është edhe festa e gjyshërve. Pati për ta fjalë plot mirënjohje:
“Sa të rëndësishëm janë në jetën e familjes, për të komunikuar atë pasuri njerëzore e fetare, thelbësore për çdo shoqëri! E sa i rëndësishëm është takimi e dialogu ndërmjet brezave, sidomos brenda familjes”.
Duke cituar dokumentin ipeshkvnor të Aparesidës, hyrjen e të cilit e pati shkruar vetë, në kohën kur ishte kryeipeshkëv i Buenos Ajresit, Papa Françesku e përfundoi lutjen e Engjëllit të Tënzot me fjalët:
“Fëmijët dhe të moshuarit janë e ardhmja e popujve; fëmijët, sepse do të çojnë përpara historinë, të moshuarit, sepse transmetojnë përvojën dhe urtinë e jetës së tyre… Në këtë Ditë Botërore të Rinisë, të rinjtë përshëndesin gjyshërit. I përshëndesin me dashuri dhe i falenderojnë për urtinë, që e dëshmojnë vazhdimisht”.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku pati një takim të shkurtër me Komitetin Organizativ të Ditës Botërore të Rinisë dhe me bamirësit, që bënë të mundur kremtimin e saj. Ati i Shenjtë i falenderoi 20 anëtarët e Komitetit dhe 10 bamirësit kryesorë të pranishëm, për impenjimin e tyre, e pastaj shkoi në drekën e këndshme, kaluar me të rinjtë e DBR-së. 12 të rinj – një vajzë e një djalë nga pesë kontinentet e një vajzë e një djalë nga Brazili – patën fatin e madh të drekonin e të flisnin me Atin e Shenjtë, ndërsa në Evropë ishte ora 18.00. Kur kontinenti i vjetër të bëhet gati për gjumë, Papa Françesku do të kremtojë Udhën e Kryqit, së bashku me të rinjtë, përgjatë bregut të detit, në Kopakabana.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama