HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Udhëtimet apostolike  >  2013-07-27 15:56:41
A+ A- Printo artikullin



Mesha me ipeshkvijtë e DBR-së: Papa kërkon një baritori, që niset nga periferia



Dita e gjashtë e shtegtimit apostolik të Papës Françesku në Brazil për DBR-së, filloi me kremtimin e Meshës, në Katedralen e Shën Sebastianit të Rio-de–Zhanéjro-s. Me Papën bashkëkremtuan ipeshkvijtë e DBR-së, priftërinj, rregulltarë e seminaristë. Me që Kisha po kremton Vitin e Fesë, tekstet u morën nga Mesha për Ungjillëzimin e Popujve. Schola Cantorum e Seminarit kryedioqezan të Shën Jozefit dhe kori rinor i krydioqezës e gjallëruan kremtimin me këngë e muzikë gregoriane.
Gjatë homelisë, Papa nënvizoi: “Jemi këtu, që të lavdërojmë Zotin, duke pohuar gatishmërinë për të qenë mjete në duart e Tij, që jo vetëm disa popuj, por të gjithë, ta lavdërojnë emrin e shenjtë të Hyjit”. Papa Françesku nënvizoi që në krye, tre aspektet e thirrjes për rrugën e meshtarisë e për suksesin e shërbimit meshtarak, duke vënë theksin mbi atë, që është themelore për meshtarin:
“Meshtarët, tha Papa janë të thirrur nga Zoti, të thirrur për të kumtuar Ungjillin, të thirrur për të nxitur kulturën e takimit”.
“Të thirrur nga Zoti, do të thotë të jesh i thirrur të rrish me Jezusin, i bashkuar me Të aq thellë, sa të thuash me Shën Palin: ‘Nuk jam më unë që jetoj, por është Krishti, që jeton në mua”(Gal 2,20).
E pikërisht kjo jetë në Krishtin garanton frytin e punës sonë apostolike, frytin e shërbimit tonë, vijoi Papa, duke shpjeguar, më pas, se nuk është fryma krijuese baritore, as takimet e planifikimet, që sigurojnë frytet, por besnikëria ndaj Jezusit. “Rrini në mua e unë në ju (Gjn 15,4), vijon të na kujtojë Krishti.
Aspekti i dytë: Të thirrur për të kumtuar Ungjillin.
“T’i ndihmojmë të rinjtë, i nxiti Papa të pranishmit, ta kuptojnë se të jesh dishepull e misionar është pasojë e Pagëzimit, pjesë themelore e jetës së krishterë e se vendi i parë, që duhet ungjillëzuar, është shtëpia jote, është familja jote, janë miqtë e tu”
Aspekti i tretë, pastaj, është nxitja e kulturës së takimit.
“Në rrethanat e një bote, në të cilën lulëzon kultura e përjashtimit, kultura e flakjes, u tha Papa ipeshkvijve, ku nuk ka vend për plakun as për fëmijën e padëshiruar, ku nuk ka kohë për t’u ndaluar një çast pranë varfanjakut buzë udhës, ku marrëdhëniet njerëzore rregullohen sipas dy ‘dogmave’ moderne: rezultat e dobi, merrni guximin të shkoni kundër rrymës. Pa harruar se takimi i mirëpritja e të gjithëve, solidariteti e vëllazërimi, janë elemente, që e bëjnë shoqërinë tonë vërtet njerëzore. Pa dashur t’ia imponojmë kujt të vërtetat tona, theksoi Ati i Shenjtë, jemi të sigurt se kush preket e shndërrohet nga e Vërteta, që është Krishti, nuk mund të mos ia kumtojë mbarë botës” (cfr Lk 24,13-35).




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama