HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Udhëtimet apostolike  >  2013-07-28 12:28:15
A+ A- Printo artikullin



Mbrëmësorja e lutjes në Kopakabana. Papa të rinjve: ndërtoni një Kishë më të bukur e një botë më të mirë



Më se dy milion, të rinjtë që morën pjesë në Mbrëmësoren e lutjes në Kopakabana, natën e fundit të Ditës së 28 –të Botërore të Rinisë. Papa, para se të arrinte në tribunë, përshkoi, mbi xhipin e bardhë, të pablinduar, shëtitoren e pafundme buzë detit, në dy anët e së cilës, një turmë dymilionshe në festë. Zbriti disa herë nga xhipi, për të përqafuar një të gjymtuar e për të shtrënguar mijëra duar, që prisnin shtrëngimin e dorës së tij.RealAudioMP3 Ishte ora 19.30 me orën e Brazilit, 00.30 me atë evropiane, kur në Kopakabana nisi kremtimi i madh i të rinjve me Papën, në emër të Krishtit. Liturgjia e Fjalës, shumëgjuhëshe, u kremtua në dy çaste kryesore: filloi me dialogun ndërmjet Papës e të rinjve e vijoi me Procesionin e të Shenjtnueshmit Sakrament dhe adhurimin e Krishtit Eukaristi.
Pjesa e parë u shoqërua me një skenografi, në të cilën morën pjesë dhjetra të rinj, që ndërtuan simbolikisht, një Kishë, si ajo, që pati ndërtuar Shën Françesku. Pas fjalimit të Papës, të rinjtë e çmontuan Kishën, duke i marrë me vete copat e ngrehinës simbolike e duke u larguar në drejtime të ndryshme, në përkim figurativ me temën e Ditës së 28-të Botërore të Rinisë: “Shkoni e bëni dishepuj të gjithë popujt”. U ngjitën në tribunë edhe të rinj, që u përkasin kongregacioneve e bashkësive të reja françeskane, duke sjellë shporta me lule e me misra, që u përdorën për zbukurimin e elterit. Në vijim u këndua lutja e Shën Françeskut: “Zot, më bëj lajmëtar të paqes sate”, pas së cilës, nisën dëshmitë dhe pyetjet e të rinjve për fenë e kthimin në rrugën e Zotit. Ishin vërtet prekëse: rilindje pas drogimit, e alkoolit; përvojë e faljes, pranim i gjymtimit, kapërcim i vështirësive në mision... të gjitha të përballuara me frymë françeskane.

E pikërisht historinë e Shën Françeskut të Asizit para të Kryqëzuarit, kujtoi Papa që në fillim të fjalës, drejtuar të rinjve. Djaloshi dëgjon zërin e Jezusit, që i thotë: “Françesk, shko e rindërtoje Kishën time!”. Dalngadalë e kupton se nuk është fjala për t’u bërë murator e për të ndrequr një ndërtesë të ngritur me gurë, por për të dhënë ndihmesën në jetën e Kishës; për t’u vënë në shërbim të Kishës, duke e dashur e duke punuar, që ajo ta pasqyrojë gjithnjë më shumë Fytyrën e Krishtit.
Edhe sot, Zoti vijon të ketë nevojën e të rinjve për Kishën e tij, u bën thirrje ta ndjekin në Kishën e Tij e të jenë misionarë. Po si? Në ç’mënyrë? Duke nisur nga vendi ku ndodhemi, nga Campus Fidei – Ara e Fesë a Fusha e Fesë, theksoi Papa.
Po ç’do të thotë ‘arë’ e ‘fushë’? Ati i Shenjtë shpjegoi se ara është vendi ku mbillet fara. Shembëlltyra e Jezusit flet për një bujk, që shkoi të hidhte farën në arë; disa prej farëve ranë në rrugë të madhe, në mes të gurëve, të tjerat, ndërmjet ferrave e nuk mundën të mbijnë, as të rriten; por disa ranë në tokë të mirë e prodhuan shumë fryte (cfr Mt 13,1-9). Campus Fidei i vërtetë, tha Papa, duke kujtuar emrin me të cilin u pagëzua vendi, ku do të mbahej kjo mbrëmësore, anuluar për shkak të shiut e duke e përdorur këtë emër simbolikisht, është zemra e secilit nga ju, është jeta juaj. E pikërisht në jetën tuaj dëshiron të hyjë Jezusi, me fjalën e Tij, me praninë e Tij:
"Por favor, dejen que Cristo y su Palabra entren en su vida...
Ju lutem, lerëni Jezusin e Fjalën e tij të hyjë në jetën tuaj, të mugullojë, të rritet!”.
Mos lejoni që fara të bjerë jashtë arës, mos u joshni nga zërat e rreme, mos u lëkundni para vështirësive, që ju pengojnë të shkoni kundër rrymës, në kërkim të pasioneve negative. Pyeteni veten: “Jam nga ana e Zotit, apo e djallit?”:
"Que ustedes quieren ser buena tierra…
“Ju dëshironi të jeni tokë e mirë, jo të krishterë part-time, jo të ‘kollarisur’, jo mësalla me dy faqe, por njerëz të vërtetë, të cilët nuk jetojnë duke ëndërruar lirinë, që të bën skllav të modave e të interesave të çastit. Duhet të synojmë lart, të zgjedhim përfundimisht rrugë, që i japin kuptim të plotë jetës. Jezusi është “rruga, e vërteta, jeta”(Gjn 14,6).
Së dyti, fusha është vend i stërvitjes. Jezusi na kërkon ta ndjekim për gjithë jetën, të jemi dishepujt e tij, të luajmë në skuadër. Lojtari, kur thirret të bëjë pjesë në një skuadër, duhet të stërvitet, e të stërvitet shumë.
Kështu është edhe në jetën tonë si dishepuj të Zotit:
"Jesús nos ofrece algo más grande que la Copa del Mundo…"
Jezusi na jep diçka më shumë se Kupa e Botës! Na jep mundësinë e një jete plot fryt e lumturi, na ofron edhe ardhmërinë me Të, një ardhmëri që nuk do të ketë kurrë mbarim. Na dhuron jetën e pasosur!”.
Por na kërkon të stërvitemi. Të jemi përherë ‘në formë’ për t’i përballuar pa frikë të gjitha situatat e jetës, duke e dëshmuar fenë përmes dialogut me Të: përmes lutjes, bisedës së përditshme me Zotin, që na dëgjon gjithnjë; përmes sakramenteve, që na e rrisin në shpirt praninë e Zotit e na bëjnë një me Krishtin; përmes dashurisë vëllazërore, aftësisë për të dëgjuar, për të kuptuar, për të falur, për të mirëpritur, për t’i ndihmuar të tjerët, çdo njeri, pa përjashtuar, pa mënjanuar.
Por fusha është edhe kantier. Papa shpjegoi se kur zemra jonë është tokë e mirë, që e pranon Fjalën e Zotit, kur njeriu përpiqet të jetojë si i krishterë, e ndjen menjëherë se nuk është kurrë vetëm, por pjesë e një familjeje vëllezërish, që përshkojnë të njëjtën udhë. Me Krishtin, jemi pjesë e Kishës, madje bëhemi ndërtues të Kishës e protagonistë të historisë. Në Kishën e Jezusit jemi ne gurët e gjallë! Jezusi na kërkon ta ndërtojmë Kishën e Tij. E jo si kapelë të vogël, që mund të zërë grupthe njerëzish; na kërkon që Kisha e tij e gjallë të jetë aq e madhe, sa të zërë mbarë njerëzimin, të jetë shtëpia e njerëzimit! Krishti na bën thirrje të gjithëve: më thotë mua, të thotë ty: “Shkoni e bëni dishepuj të gjithë popujt!”. Kështu u shpreh Papa Françesku në Mbrëmësoren e lutjes me të rinjtë nga mbarë bota, mbrëmë:
"Esta tarde, respondámosle: Sí, también yo quiero ser una piedra viva…"
Këtë mbrëmje t’i përgjigjemi ‘po'! Edhe unë dua të jem gur i gjallë; së bashku duam ta ndërtojmë Kishën e Jezusit!”.
I kam ndjekur me vëmendje lajmet lidhur me të rinjtë në të katër anët e botës e edhe në Brazil, që zbritën në sheshe me dëshirën për një qytetërim më të drejtë e më vëllazëror. Gjithsesi mbetet pyetja: “Po prej nga të fillojmë?” kujtoi Papa. E, duke bërë të vetat fjalët e Nënë Terezës, kur e patën pyetur: “Çfarë duhet të ndryshojë në Kishë?”, u përgjigj: “Ti dhe unë!”:
"Ustedes son el campo de la fe. Ustedes son los atletas de Cristo..."
Të dashur miq, mos harroni: jeni ara e fesë! Jeni Atletë të Krishtit! Jeni ndërtues të një Kishe më të bukur e të një bote më të mirë. T’i lartojmë sytë kah Maria. Ajo na ndihmon ta ndjekim Jezusin, na jep shembullin e ‘po’-së, me të cilën iu përgjigj Zotit: ‘Jam shërbëtorja e Tënzot, u bëftë mbi mua si është fjala jote!’ (Lk 1,38). T’i themi edhe ne Zotit, së bashku me Marinë: ‘U bëftë mbi mua si është Fjala jote!’. E ashtu qoftë!”.





Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama