HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Udhëtimet apostolike  >  2013-07-29 15:23:03
A+ A- Printo artikullin



Papa Bergoglio, vullnetarëve të DBR-së: të jeni revolucionarë, rebelohuni kundër kulturës kalimtare



Papa Françesku nuk mungoi të falenderojë vullnetarët e Ditës Botërore të Rinisë, para se të largohej nga Rio-De-Zhanejro. Gjithsej, 60 mijë vetë, ata dhanë një kontribut thelbësor për suksesin e ngjarjes së madhe, që mblodhi rreth një njeriu të vetëm, miliona të rinj. Ati i Shenjtë takoi 15 mijë prej tyre në Qendrën e Kongreseve të qytetit brazilian.RealAudioMP3
Duke theksuar se njeriut i mbushet shpirti me gëzim kur jep, më shumë se sa kur merr, Papa Bergolio i falenderoi për impenjimin, që e bëri të paharrueshme këtë Ditë Botërore të Rinisë dhe i ftoi vullnetarët të jenë gjithnjë bujarë me Zotin e me të tjerët:
“Zoti kërkon vendime përfundimtare, ka një plan për secilin: ta zbulosh atë, t’i përgjigjesh thirrjes personale, do të thotë të ecësh drejt lumturisë e realizimit të vetvetes. Zoti na kërkon të gjithëve ta shenjtërojmë jetën, të jetojmë si Ai, por ka një udhë të veçantë për secilin prej nesh”.
Disa e shenjtërojnë jetën, duke formuar familje përmes Sakramentit të martesës. Ndokush thotë se martesa sot, “nuk është e modës”, nënvizoi më tej Papa Françesku. Të tjerë theksojnë se është e rëndësishme të jetosh “momentin”, se nuk ia vlen të impenjohesh për gjithë jetën, sepse nuk dihet ç’ndodh nesër. Është krijuar një kulturë relative, kalimtare, denoncoi Ati i Shenjtë:
“Ndërsa unë ju kërkoj të jeni revolucionarë, të shkoni kundër rrymës; po, ju kërkoj të rebeloheni kundër kësaj kulture të së përkohshmes, që në fund të fundit, mendon se ju nuk jeni të aftë për përgjegjësi, se nuk jeni të aftë të doni me të vërtetë. Unë kam besim tek ju të rinjtë e lutem për ju. Merrni guximin të ‘shkoni kundër rrymës’. Merrni guximin të jeni të lumtur”.
Disa të tjerë, shtoi Papa, Zoti i thërret në udhën e meshtarisë, ose në atë të jetës rregulltare: në kuvende, ku i kushtohen lutjes për të mirën e botës, në sektorë të ndryshëm të apostullimit, ku u shërbejnë të gjithëve, sidomos më nevojtarëve. E këtu, tregoi një ngjarje të rëndësishme për jetën e tij:
“Nuk do ta harroj kurrë atë 21 shtator – isha 17 vjeç – kur, pasi u ndala në kishën e shën Jozefit de Flores për t’u rrëfyer, ndjeva për herë të parë se Zoti po më thërriste. Mos kini frikë nga ç’ju kërkon Zoti! Ia vlen t’i thuash ‘po’ Hyjit. Në Të është gëzimi!”
Ndoshta, vazhdoi Papa Françesku duke shtuar pikëpyetje të tjera, ndokush nuk e ka akoma të qartë se ç’dëshiron të bëjë në jetë. Lutjuni Zotit, u tha të rinjve, Ai do t’jua tregojë udhën. Në fund, përshëndetja e Atit të Shenjtë, mes duartrokitjeve të 15 mijë vullnetarëve të Ditës Botërore të Rinisë në Brazil:
“Të dashur miq, ju falenderoj edhe një herë për gjithçka bëtë këtyre ditëve. Mos e harroni ç’keni përjetuar këtu! Ta dini se lutem për ju dhe e di se ju luteni për mua”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama