HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Udhëtimet apostolike  >  2013-07-29 18:12:37
A+ A- Printo artikullin



Papa Françesku, në avion me gazetarët, flet pa doreza, që nga IOR-i tek lobet gay



Një orë e 20 minuta para zjarrit të pyetjeve të lira, të papërgatitura. Një konferencë shtypi e vërtetë, së cilës iu nënshtrua Papa Françesku, sapo avioni filloi të ngjitej mbi qiellin e Rio-de-Zhanejros, në kthim për në Romë nga Dita Botërore e Rinisë në Brazil. Ati i Shenjtë i çuditi gazetarët, kur pranoi t’u përgjigjej të gjitha pyetjeve, edhe atyre më delikate, nga reforma e IOR-it (Bankës së Vatikanit) tek lobi gay e Vatileaks e deri tek sqarimi i përmbajtjes së çantës së zezë, që pati me vete në këtë udhëtim, i pari ndërkombëtar për të.
Ja një përmbledhje e fjalëve të Papës Françesku, i cili dëshmoi se, pa frikë nga gazetarët, kishte vendosur ta bënte konferencën e shtypit, gjatë udhëtimit të kthimit për në Vatikan e jo gjatë shkuarjes në Rio, për të mos errësuar sadopak Ditën Botërore të Rinisë. Edhe një provë se Ati i Shenjtë komunikon fare mirë e s’ka nevojë për dikë, që ta mësojë.
IOR-i duhet të ndryshojë
“Gjithçka duhej të bëja vinte nga kongregacionet e përgjithshme të kardinajve, para Konklavit. Komisioni prej tetë kardinajsh – e është e rëndësishme të vijnë nga jashtë – është në linjën e përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet kolegjialitetit sinodal e primatit pjetrin. Ka shumë propozime për reforma, për shembull, për sekretarinë e Sinodit. Pastaj, kemi IOR-in. Mendova ta trajtoj çështjen vitin që vjen, por përparësia ndryshoi për probleme, që i njihni mirë. Si ta reformojmë e të përmirësojmë ç’mund të përmirësohet? Emërova një komision “referues”. Nuk e di si do të përfundojë IOR-i: disa thonë se është mirë të kemi një bankë, të tjerë, se do të shërbente një fond ndihme, të tjerë akoma, thonë ta mbyllim. Kam besim në punën e njerëzve të IOR-it dhe në atë të komisionit, që po punon për këtë. Nuk e di si mund të përfundojë: po provojmë, po kërkojmë. Por, sigurisht, çfarëdo të bëhet IOR-i, ka nevojë për transparencë dhe ndershmëri”.
Çfarë ka brenda çanta e zezë?
“U ngjita në avion duke marrë me vete çantën time, sepse bëj gjithmonë kështu. Çfarë ka brenda? Briskun e rrojes, librin e lutjeve, bllokun e një libër për lexim: mora një libër për shën Terezinën, për të cilën kam shumë devocion. Është normale të marrësh çantën me vete, duhet të jemi njerëz normalë, të mësohemi të jemi normalë e jam pak i çuditur që imazhi i çantës xhiroi rreth botës. Megjithatë, nuk ishte valixhja me çelësin për bombën atomike…”.
Pse kërkoni gjithnjë “Lutuni për mua”?
“’Lutu për mua’, gjithmonë e kërkoj. Kur isha meshtar e kërkoja më pak, jo kaq shumë. Fillova ta kërkoj më shumë, kur u bëra ipeshkëv. E ndjej se kam shumë kufizime, shumë probleme, jam mëkatar. Kjo kërkesë më vjen nga brenda. Edhe Zojës së Bekuar i kërkoj të lutet për mua. Është një zakon, që më vjen nga zemra, e ndjej se duhet ta bëj këtë kërkesë”.
Ndryshimet dhe kundërshtimet në Kurie
“Ndryshimet janë kërkuar nga kardinajtë para Konklavit e, pastaj, ato që vijnë nga personaliteti im. Për shembull, nuk mund të jetoj vetëm në pallat. Apartamenti papnor është i madh, por jo luksoz. Por unë nuk mund të jetoj i vetëm, në shoqërinë e një grupi të vogël njerëzish. Kam nevojë të jetoj me shumë njerëz, t’i takoj. Prandaj, thashë se [qëndrimi im në Shtëpinë e Shën Martës] është për arsye ‘psikiatrike’: psikologjikisht nuk mundem e çdo njeri duhet të niset nga si është ai vetë. Gjithsesi, edhe apartamentet e kardinjave janë të përkorë, së paku, ata që njoh unë. Secili duhet të jetojë siç na thotë Zoti. Por përkorja është e nevojshme për të gjithë ata, që punojnë në shërbim të Kishës. Ka shenjtorë në Kurie… ipeshkvij, meshtarë, laikë, njerëz që punojnë. Shumë shkojnë tek të varfërit pa e thënë, ose në kohën e lirë. Pastaj, ka edhe nga ata, që s’janë shumë shenjtorë e këta bëjnë veç zhurmë, sepse, siç e dini, bën më shumë zhurmë pema që pritet, se sa pylli që rritet. Kur ndodhin këto gjëra, unë ndjej dhimbje. Kemi këtë monsinjor (fjala është për Nuncio Skaranon, llogaritar i Apsa-s) që ndodhet në burg. Nuk shkoi në burg, sepse i ngjante së Lumes Imelda! (Shprehje argjentinase për të thënë se ndokush nuk sillet mirë). Mendoj se Kuria ka rënë disi në krahasim me nivelin, që kishte dikur, kur kishte ipeshkvij kurialë besnikë, që e bënin mirë punën e tyre. Kemi nevojë për profilin e kurialëve të vjetër. Nëse ka kundërshtime, akoma nuk i kam parë. Vërtet, nuk kam bërë aq shumë gjëra, por gjeta ndihmë, njerëz besnikë. Mua më pëlqejnë njerëzit, që thonë: “Unë nuk jam dakord”. Këta janë bashkëpunëtorë besnikë. Pastaj, ka nga ata që për gjithçka thonë “sa bukur”, por kur dalin thonë të kundërtën. Por, akoma nuk kam takuar ndonjë prej tyre”.
Pse nuk folët në Brazil mbi abortin e martesat ndërmjet njerëzve me të njëjtin seks?
“Kisha ka folur mbi këto argumente, Kisha ka një qëndrim të qartë për këtë. E gjatë udhëtimit në Brazil ishte e nevojshme të flitej pozitivisht”. Pse ta quash veten ipeshkëv i Romës nuk do të thotë të jesh “primus inter pares” (i pari ndër të barabartët)?
“Nuk duhet lexuar përtej fjalëve. Papa është ipeshkëv, është ipeshkëv i Romës e prej andej rrjedh gjithçka. Është titulli i parë, pastaj vijnë titujt e tjerë. Por të mendosh që kjo do të thotë se pasardhësi i Shën Pjetrit është “primus inter pares” do të thotë të shkosh përtej. Nënvizimi i titullit të parë, atë të ipeshkvit të Romës, mund ta favorizojë pak ekumenizmin.
Puna si ipeshkëv e si Papë
“Të bësh punën e ipeshkvit është bukur. Problemi është kur ndokush e kërkon atë punë, kjo nuk është bukur. Ekziston gjithnjë rreziku të të duket vetja më i mirë se të tjerët, të ndjehesh pak si princ. Por puna e ipeshkvit është e bukur: duhet të qëndrojë para, në mes e mbrapa besimtarëve. Isha i lumtur si ipeshkëv në Buenos Ajres. Isha shumë i lumtur. E si Papë? Edhe si Papë! Kur Zoti të zgjedh, kur ti pranon të bësh ç’të kërkon Zoti, je i lumtur”.
Udhëtimet e ardhshme
“Nuk ka asgjë të përcaktuar. Në Itali, shpresoj të shkoj për të takuar kushërinjtë në Piemonte, do të më pëlqente të shkoja me avion, vetëm një ditë. Patriku Bartolomeu më ka ftuar në Jeruzalem, me rastin e 50-vjetorit të udhëtimit të Papës Pali VI e të takimit me Atenagorën, që u zhvillua aty. Ka një ftesë nga qeveria izraelite e nga Autoriteti Palestinez. Tani për tani, nuk do të kthehem në Amerikën Latine: një Papë latinoamerikan, që e bëri udhëtimin e parë në Amerikën Latine… Mirupafshim! Në këtë çast, Argjentina mund të presë. Duhet shkuar në Azi, ku Benedikti XVI nuk pati kohë të shkonte. Më 30 nëntor desha të shkoj në Kostandinopojë për festën e Shën Andreas, por nuk është e mundur për arsye të impenjimeve të tjera. Ka edhe një ftesë nga Fatima…”.
Papa e ndjen veten si “në kafaz”
“Sikur ta dinit sa herë kam dashur të eci nëpër rrugët e Romës! Më pëlqente shumë. Ishte zakon i imi të ecja, isha një “prete callejero” (meshtar i rrugës). Por këta të Xhandarmërisë janë të mirë, shumë të mirë, e tani më lejojnë të bëj diçka më tepër”.
Problemi i sigurisë në Brazil
“Përsa i përket hipotezave për sigurinë: në të gjithë Rio-de-Zhanejron, gjatë këtyre ditëve, nuk ka pasur as edhe një aksident. E gjithçka qe spontane. Me më pak siguri, munda të përqafoj njerëzit. Desha t’i besoj popullit. Vërtet, ekzistonte rreziku i pranisë së ndonjë të çmenduri, por ekziston edhe Zoti. Nuk e desha makinën e blinduar, sepse nuk mund të blindohet një ipeshkëv nga populli i vet. Preferoj çmendurinë e kësaj afërsie, që u bën mirë të gjithëve”.
Mbi lëvizjen e Përtëritjes Karizmatike
“Në fund të viteve ’70 e në fillim të viteve ’80 nuk mund t’i shihja me sy. Një herë pata thënë se këta e ngatërrojnë kremtimin e liturgjisë me shkollën e sambas! Pastaj, i njoha më mirë, u ktheva, pashë si punonin e çdo vit, në Buenos Ajres, kremtoja meshë për ta. Mendoj se lëvizjet janë të nevojshme, janë hir i Shpirtit Shenjt. Kisha është e lirë, Shpirti Shenjt bën ç’të dojë vetë”.
Mbi pajisjen e avionit papnor
“Ky avion nuk ka pajisje të veçanta, nuk ka shtrat. Kërkova me një letër e me një telefonatë që të mos vendosnin pajisje të veçanta në avion”.
Gratë në Kishë
“Një Kishë pa gratë, është si kolegji apostolik pa Marinë. Roli i grave është ikonë e Virgjërës, e Zojës së Bekuar. E Zoja është më e rëndësishme se Apostujt. Kisha është femërore, sepse nuse e nënë. Duhet shkuar më përpara, nuk mund të kuptohet një Kishë, pa gra aktive në të. Po sjell këtu një shembull, që nuk ka të bëjë me jetën e Kishës: për mua, gruaja e Paraguait është e lavdishme. Pas luftës (e kam fjalën për luftën e përgjakshme të Paraguajt kundër Brazilit ndërmjet viteve 1864 e 1870): kishte mbetur i gjallë një burrë, për tetë gra. E gratë vendosën të lindnin sa më shumë fëmijë, për të shpëtuar atdheun, kulturën, fenë. Në Kishë duhet menduar për gruan në këtë perspektivë. Nuk e kemi bërë ende teologjinë e gruas. Duhet bërë. Përsa i përket shugurimit meshtarak të grave, Kisha ka folur një herë e ka thënë jo! Gjon Pali II e formuloi përgjigjen përfundimisht. Kjo portë është e mbyllur! Por duhet të kujtojmë se Maria është më e rëndësishme se apostujt ipeshkvij, e kështu gruaja në Kishë ka më shumë rëndësi se ipeshkvijtë e se meshtarët”.
Marrëdhëniet me ‘gjyshin’ Benedikti XVI?
“Herën e fundit, kur ishin dy-tre papë njëherësh, nuk flisnin, por luftonin për të vendosur cili ishte papa i vërtetë. Unë e dua shumë Benediktin XVI; është njeri i Zotit, njeri i përvuajtur, njeri që lutet. Isha tejet i lumtur, kur u zgjodh papë, e pastaj pamë edhe gjestin e tij të dorëheqjes... për mua është i madh! Tani banon në Vatikan e ka edhe nga ata që më thonë: ‘Po nuk të bën hije?’. Nuk vozit në drejtim të kundërt? Jo! Për mua është si të kisha një gjysh të urtë në shtëpi. Gjyshi në familje nderohet e dëgjohet. Benedikti XVI nuk ngatërrohet me punët e tjetrit. Për mua është si një gjysh në shtëpi; është babai im. Nëse kam ndonjë vështirësi, mund të shkoj e t’i flas, siç bëra për problemin e madh të Vatileaks.... Kur i priti kardinajtë, më 28 shkurt, për t’u përshëndetur me ta, u tha edhe: ndërmjet jush keni një papë të ri, të cilit i premtoj që tani bindjen time. Është i madh!”.
Lidhur me sakramentet për të divorcuarit e rimartuar?
“Është temë, që përsëritet vazhdimisht. Besoj se kjo është kohë mëshire, ndryshim epoke, në të cilën ka shumë probleme dhe në Kishë, edhe për dëshmitë jo të mira të disa priftërinjve. Klerikalizmi ka lënë pas shumë të plagosur e duhet shkuar për t’i mjekuar me mëshirë këta njerëz të plagosur. Kisha është nënë, e në Kishë të gjithë duhet të gjejnë mëshirë. E të plagosurit jo vetëm që duhet t’i pranojmë, por duhet edhe të shkojmë e t’i takojmë. Besoj se është koha e mëshirës, siç e pati kuptuar Gjon Pali II, që themeloi festën e Mëshirës Hyjnore. Të divorcuarit mund të kungohen, kungimin nuk mund ta marrin vetëm të divorcuarit e rimartuar. Duhet shikuar në tërësi tema e baritorisë martesore. Po hap një kllapë: ortodoksët, për shembull, ndjekin teologjinë e ekonomisë dhe e lejojnë një bashkim të dytë. Kur të mblidhet grupi i tetë kardinajve, në tri ditët e para të tetorit, do të bisedojmë si të ecim përpara në punën baritore me njerëzit e martuar. Paraardhësi im në Buenos Ájres, kardinali Quarracino, thoshte gjithnjë: “Për mua gjysma e martesave janë të pavlefshme, mbasi ka shumë nga ata, që martohen pa e kuptuar se nuk është shaka, se martesa është përgjithmonë, ose e bëjnë për leverdi shoqërore etj etj.... Edhe tema e anulimit duhet studiuar”.
E ndjej veten Jezuit!
Jezuitët duhet t’i binden Papës, por nëse Papa është jezuit, kujt t’i bindet? Ndoshta eprorit të përgjithshëm? E ndjej veten jezuit si përshpirtëri, njihem si jezuit e mendoj si jezuit, por jo hipokrizisht!
Gjëra të bukura e të pabukura gjatë këtyre muajve?
“Ndërmjet gjërave të bukura, mendoj për takimin me ipeshkvijtë italianë. Ndër të dhimbshmet, që më hynë e më mbetën në zemër, ishte vizita në Lapmeduzë. Më tronditi, por edhe më bëri mirë. Mendova me dhimbje për njerëzit e vdekur në det, para se të preknin bregun. Janë viktima të sistemit shoqëror-ekonomik botëror. Por gjëja më e keqe, që më ndodhi, është një dhimbje e nervit shiatik, që pata muajin e parë, për shkak të poltronës, ku ulesha për të pritur. Ishte tepër e dhimbshme e nuk ia uroj askujt. Çka më kënaqi, është se gjeta shumë, shumë njerëz të mirë në Vatikan”.
Çështja Vatileaks?
“Kur shkova të takoj Benediktin XVI, në Kastel Gandoldfo, pashë mbi tavolinë një arkë e një zarf. Benedikti XVI më tha se në arkëz ishin të gjitha dëshmitë e njerëzve, që u dëgjuan nga komisioni i tre kardinajve për ‘Çështjen Vatileaks’, ndërsa në zarf, përfundimet, përmbledhja e fundit. Benedikti XVI e dinte gjithçka përmendësh. Problem i rëndë, por nuk më frikësoi”.
Ortodoksët?
“Kishat ortodokse ruajnë një liturgji shumë të bukur. Ne e kemi humbur disi kuptimin e adhurimit. Ata e adhurojnë Zotin dhe i këndojnë, pa e llogaritur kohën. Një herë, duke folur për Evropën perëndimore dhe Kishën e saj, më thanë: ‘ex Oriente lux”, “ex Occidente luxus”- “Nga lindja vjen drita”, “nga Perëndimi, konsumizmi, mirëqenia”, që kanë bërë shumë keq. Ndërsa ortodoksët e ruajnë më shumë bukurinë e Zotit, në qendër të jetës. Nëse dëshiron ta kuptosh shpirtin rus e lindor, lexo Dostojevskin! Kemi shumë nevojë për ajrin e freskët të Lindjes, kemi nevojë për këtë dritë”.
Gjoni XXIII e Gjon Pali II shenjtorë...
“Gjoni XXIII është figurë, që i ngjet paksa priftit të fshatit, i cili e do fort çdo besimtar, e kjo e bëri ipeshkëv e nunc. Mjafton të mendosh për dëshmitë e shumta false të pagëzimit, që bëri kur ishte në Turqi, për të shpëtuar hebrenjtë. Kishte edhe dhantinë e madhe të humorizmit. Kur ishte nunc, ndokush në Vatikan e shikonte me sy të shtrembër e, kur vinte në Romë, e bënte të priste gjatë. Nuk u ankua kurrë! Thoshte Rruzaren, lutej, lexonte librin e uratëve. Ishte njeri i butë. Njëzet ditë para se të vdiste, kardinali Kasaroli shkoi ta takonte, për t’i shpjeguar rezultatet e një misioni në një nga vendet e Lindjes, në Çekosllovaki a Hungari, nuk më kujtohet mirë. E para se të largohej, Papa e pyeti: “Ju vazhdoni të shkoni për t’i vizituar të burgosurit e rinj?”. Kasaroli u përgjigj pozitivisht. “Mos i harro kurrë”, e porositi. E këtë ia thoshte një diplomati, që po i fliste për një mision. Gjoni XXIII ishte njeri i madh! I madh. Pastaj shpalli Koncilin. Edhe Piu XII deshi ta bënte, por pastaj mendoi se nuk ishin pjekur ende kushtet. Gjoni XXIII nuk mendoi fare për kushte, por ndoqi Shpirtin Shenjt.
Erdhi, pastaj, Gjon Pali II, misionar i madh i Kishës. Shkonte e ndjente zjarrin e Shpirtit Shenjt! Ishte Shën Pal. Prandaj për mua është i madh!
Shenjtërimi i tyre së bashku është mesazh për Kishën: janë të mirë, të mirë. Përsa i përket datës së shenjtërimit, mendohej 8 dhjetori, por të varfërit polakë nuk mund të marrin avionin, vijnë me autobusa e në dhjetor rrugët janë të ngrira. Atëherë duhet rimenduar data. Do të ishte e mundur në festën e Krishtit Mbret të këtij viti, por edhe kjo është e vështirë, pasi tepër shpejt, duke pasur parasysh se Koncistori për shenjtërimin është caktuar për 30 shtator; atëherë ndoshta mund të jetë më e përshtatshme e Diela e Mëshirës Hyjnore e vitit të ardhshëm”.
Akuzat kundër Rika-s, prelatit të IOR?
“Në rastin e imzot Rika-s (Prefekt i Ior-it, i akuzuar menjëherë pas emërimit për sjellje shkandulluese, lidhur me disa fakte të ndodhura 13 vjet më parë, kur shërbente në nunciaturën e Uruguait), bëra atë, që më këshillonte të bëja e Drejta kanonike. Një hetim paraprak. Nuk u gjet asnjë provë për çka ishte akuzuar. Nuk gjetëm asgjë! Shumë herë në Kishë gërmohen mëkatet e rinisë e pastaj edhe botohen. Nuk po flasim për krime, si shpërdorimet e të miturve, që janë gjë krejt tjetër, por për mëkate. Por nëse një laik, prift a murgeshë bën mëkat, por pastaj pendohet e rrëfehet, Zoti e falë, ia harron mëkatin. E ne nuk kemi të drejtë të mos harrojmë, sepse kështu krijohet rreziku që edhe Zoti të mos i harrojë mëkatet tona. Mendoj shpesh për Shën Pjetrin, që bëri mëkatin më të rëndë, mohoi Krishtin! Mëkat mortar, ky. E megjithatë e bënë papë. Prandaj, po e përsëris. Për imzot Rika-n nuk gjetëm gjë prej gjëje.
Lobet gay?
“Shkruhet shumë për lobet gay. Deri tani nuk kam gjetur në Vatikan ndonjë, që e ka të shkruar ‘gay’ në kartën e identitetit. Duhet dalluar ndërmjet qenies gay, pasjes së kësaj prirjeje, e krijimit të lobit. Të gjitha lobet janë të këqija. Nëse një njeri është homoseksual e kërkon Zotin me vullnet të mirë, kush jam unë, që ta gjykoj? Katekizimi i Kishës Katolike mëson se njerëzit me prirje gay nuk duhen diskriminuar, por duhen pranuar. Problemi nuk është ta kesh këtë prirje, problemi është të bësh lobi, grupe me influencë negative, e kjo vlen njëlloj edhe për grupet afariste, politike dhe masonike”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama