HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-07-31 11:12:04
A+ A- Printo artikullin



Shën Injaci i Lojolës: përshpirtëria e themeluesit të Shoqërisë së Jezuitëve.



Një profil i shkurtër njerëzor. Kush ishte Injaci i Lojolës ?
Vetë Injaci tregon për jetën e tij. Ai besonte se përvoja e lidhjes së tij me Jezusin do të mund të na ndihmonte. I lindur më 1491 në një vend bask shumë katolik, si fisnik që ishte, përgatitej për karrierën ushtarake. Ndonëse ishte krenar për përkatësinë e tij fetare, nuk mund të themi se e jetonte në mënyrë të krishterë rininë e vet. Në muajin e majit 1521, me një trupë spanjolle pak të arsyeshme, sepse të paguar keq, mbronte qytezën e Pamplonës kundër një armate franko-navarreze. Pasi u godit ndër këmbë nga një predhë topi, u mbart në kështjellën ku kishte lindur. U detyrua t'i shtrohej disa operacioneve, tortura të vërteta, që e lanë të çalë dhe, për muaj të tërë, vetëm fill me mendimet e veta: ndërsa mërzitej, por edhe ëndërronte, në dhomën (sot restauruar shumë mirë), ku dergjej, në pritje të shërimit, para syve të tij u shfaq një rrugë e re.
Në se je në gjendje të dallosh në shpirt çka vjen nga djalli nga ajo që vjen nga Zoti, kur mendon për projektet e frymëzuara nga Hyji, e ndjen veten të gëzuar e të kënaqur. Kështu i ngjau Injacit. Në zemër të këtij dallimi ishte e njëjta trimëri, me të cilën mbrojti Pamplonën me njëmijë ushtarë spanjollë kundra 13 mijë franko-navarrezëve - il magis - kërkimi i së mirës më të madhe. Por tashti heroizmi i duhej për të vënë në jetë planet e Hyjit, në shërbim të të cilave ai e ndjen veten më të gëzuar, më të hareshëm. Tani e tutje, e deri në fund të fundit të jetës së vet, Injaci nuk njeh pasion tjetër, veç atij të shqyrtimit, të dallimit të vullnetit të Zotit në gjithçka, për t'u impenjuar në zbatimin e këtij vullneti me gjithë zemër. Injaci ka një kauzë e vetme: kauzën e Zotit: ai është luftëtar i Zotit, ai lufton për Zotin. Për të gjithçka përfundon në Zotin, sepse gjithçka vjen nga Zoti e te Zoti duhet të kthehet. Lutjet e tija e dëshirat e tija, kundrimi e veprimtaria: gjithë jeta, përqendrohet mistikisht në shërbimin sa më të madh ndaj Zotit, duke zgjedhur kështu gjithnjë rrugët që dëshiron Zoti. Vetëm në këtë mënyrë mund të kuptohet jeta e Shën Injacit me shqetësimet e të papriturat e saja.
Kjo mistikë shërbimi nuk jetohet kurrsesi në marrëdhënie zotëri-skllav, por, siç thotë edhe vetë Injaci, "në një bisedë pa fund plot dashuri me një Zot që është bërë miku im". Dy janë ngjarjet që hedhin dritë mbi këtë përshpirtëri. Në shkurtin e 1522-së Injaci lë shtëpinë atërore, për t'u nisur drejt Jerusalemit si shtegtar pendestar. Gjatë kalimit nëpër Manrezë, pranë Barcelonës, spastron thellësisht jetën e vet, duke hyrë deri në skajet më të fshehta, me qëllim që gjithçka të jetë në përkim me vullnetin e Zotit. Ai vë në pikëpyetje gjithçka, me përjashtim të bindjes se Zoti e don në Tokën Shenjte për vijimin e misionit të Jezusit. Në muajin shtator të 1523 gjendet në Qytetin Shenjt, për të kuptuar se Kisha nuk don që ai të rrijë në Palestinë. Nuk është ky vullneti i Zotit. Injaci përulet me përvujtëri plot dashuri dhe, ndonëse në moshë të pjekur, fillon të studiojë, sepse është pikërisht kjo që Zoti kërkon prej tij. Pasojë e këtij nënshtrimi do të ishte themelimi i Shoqërisë së Jezusit që, sërish, e deri në hollësira, do të jetë më shumë plan i Hyjit se sa ide e Injacit.
Ja edhe ngjarja e dytë: Injaci ëndërron një grup njerëzish, dërguar nga Ati i Shenjtë nga pak kudo në botë për mision. Vetëm kaq. Nuk sheh në ëndërr as universitete e as kolegje. Tetë vjet para se të vdiste, më 1556, Zoti, për të mirën e Kishës së tij, që ndodhej në rrezik të madh, zbulon se shoqëria e vogël e aspak të përgatitur për ketë mision, duhet t'i kushtohej edukimit të rinisë. Por Injaci as këtë radhë nuk zmbrapset dhe i qëndron besnik gëzimit të jetës së tij, provuar në shtratin e sëmundjes në Lojolë, që e siguron se Zoti e ka pëlqyer dhe e ka zgjedhur si shërbëtor të misionit të Krishtit, gjë që duhet ta shtyjë secilin prej nesh të zbulojë, ashtu si Injaci " atë që i pëlqen Mirësisë së amshuar hyjnore".

Injaci e mësimet tij në shoqërinë bashkëkohore
Për Injacin dhe bashkëkohësit e tij, çdo fjalë e Ungjillit ishte si profeci për t'u përmbushur në çdo kohë. Kështu Injaci i drejton shekullit të tij pyetjen e Krishtit: "E ju, kush thoni se jam unë?” - duke e ditur se kjo pyetje bëhet përherë në mënyrë të posaçme, për çdo shekull. Çdo njeri, në çdo kohë, në një mënyrë më pak a më shumë të qartë, gjendet përballë kësaj pyetjeje themelore. Vetëm pak më shumë se një e treta e popullsisë së botës sonë e njeh dhe e pranon shprehimisht emrin e Jezusit, por rreziku më i madh është që këta të krishterë të kënaqen duke iu përgjigjur pyetjes së Krishtit - e ti, kush thua se jam unë? - me përgjigjet e dhëna nga të tjerët, të mësuara përmendësh, por jo të pranuara me gjithë zemër.
Nuk mjafton të përsëritësh përgjigjet e përpunuara me kujdes të madh nga teologët ose nga autorët e mëdhenj të përshpirtërisë, ndonëse janë këto që na i mëson katekizmi. Shumë nga bashkëkohësit tonë nuk preken më nga pyetja e Jezusit, sikur kjo pyetje të ishte një - ndërmjet shumë të tjerave, që janë bërë nga shenjtërit dhe të urtët e feve të tjera. Injaci nuk don tjetër, veçse t'i ndihmojë njerëzit - siç shprehet ai vetë, - për t'i dhënë një përgjigje të veçantë pyetjes së Jezusit: "E ti, ç'thua për mua?". Një përgjigje të re, sepse personale, në cilën çdo njeri vë në lojë jetën e vet. S'ka pikë rëndësie në se ky njeri gjen fjalë të reja për ta shprehur besimin e tij në Jezusin, apo përsërit fjalët e traditës, për t'i bërë vërtetë të vetat: fjala është për një përgjigje të dhënë me gjithë zemër, duke qenë i gatshëm të vesh në shërbim të saj gjithë jetën.
Injaci është i bindur se duke iu përgjigjur kështu pyetjes së Jezusit, njeriu fiton një zemër të madhe, sepse Zoti, gjithnjë më i madh, e ndihmon edhe njeriun të bëhet i madh. Si të fitojë vetëdijen për peshën e rëndësinë që ka për të personalisht pyetja e Jezusit, njeriu, edhe në shoqërinë konsumiste, nuk pranon më të udhëhiqet nga dëshira të rreme e nga vlera të rreme, nuk e lejon veten të luhatet herë djathtas e herë majtas, sipas rrjedhës së ngjarjeve apo sipas shijeve të ditës e të modës. Mësim me vlerë ky edhe në fushën shpirtërore. Duke i thënë Jezusit se kush është në të vërtetë: "Zoti im e Hyj im" - ka bërë zgjedhjen e vet themelore, që do ta drejtojë e do të frymëzojë në vendimet, të cilat duhet të marrë çdo ditë, të vogla e të mëdha, në jetën e familjes e të punës, në impenjimet e Kishës e në orët e prehjes.
Kështu jeta vetë kthehet në përgjigje, që duhet përtëritur çdo ditë, që nuk fitohet kurrë plotësisht, ndaj një thirrjeje, e cila bën nga secili prej nesh, një të krishterë të vërtetë, një Krisht tjetër. Në përpjekjen për ta ndjekur për gjithë jetën Krishtin, nuk e gjejmë përherë drejtimin e qartë tek Ungjilli ose tek mësimet e Kishës. Posaçërisht sot, me gjithë ato probleme që duhet të zgjidhim. Për të na ndihmuar, Shën Injaci ka hapur para nesh udhën e dallimit në të cilën, vërtetë të lirë nga pështjellimi dhe anarkia e dëshirave, provokuar nga shpirti i keq, Shpirti i mirë Shenjt na udhëheq e na bën të aftë për të zgjedhur rrugën që ka zgjedhur Krishti dhe për të ecur në shtigjet e saj aty ku ndodhemi e menjëherë, edhe në historinë tonë. Përgjigja që i japim pyetjes të Jezusit merr një formë plotësisht personale e konkrete kur, - thotë Shën Injaci, - ne dëshirojmë e zgjedhim atë që na afron më shumë tek caku, për të cilin jemi krijuar.
Kështu duhet dalluar e shqyrtuar se si mund të përkojë me të mirën tënde - e mira që dëshiron Hyji për ty, duke i dhënë përgjigje të lirë e konkrete thirrjes së Jezusit. Në se Injaci këmbëngul tepër për zgjedhjen e më së mirës: gjithnjë më të madhe, gjithnjë më tepër, kjo ngjet jo vetëm sepse Hyji nuk do të mund të lavdërohet kurrë aq sa duhet, por edhe sepse bota jonë - e ne plotësisht brenda saj - nuk do të jetë kurrë aq e drejtë e paqësore, aq e vërtetë e transparente sa duhet përballë Krijuesit e Shëlbuesit të vet.
Vetëm Zoti, gjithnjë më i madh, ia jep edhe njeriut mundësinë të bëhet gjithnjë më i madh, sepse vetëm Zoti na jep dhuratën ta duam e të duhemi prej tij. Prandaj Injaci dëshiron të na ndihmojë në kohën tonë t'i japim Atij një përgjigje të re!




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama