HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-08-01 14:41:38
A+ A- Printo artikullin



Çelësi i fjalëve të Kishës: dekreti konciliar "Perfectae Caritatis"



Të dashur dëgjues, vazhdojmë t’ju njohim me dokumentet konciliare. Kësaj radhe me dekretin “Perfectae Caritatis”, me të cilin Koncili II i Vatikanit deshi të përtërijë jetën rregulltare.
Duke nënvizuar se zbatimi i tij në praktikë akoma vazhdon, mund të themi se ai është një nga dokumentet më të shkurtra, miratuar me 2321 vota pro e vetëm 4 kundër. U nënshkrua nga Papa Pali VI më 28 tetor 1965. Nga latinishtja, titulli i tij do të thotë “përsosuria e dashurisë”. Propozimet për përtëritjen e jetës rregulltare patën ardhur sidomos nga universitetet katolike: Gregoriana nguli këmbë në formimin e në mosvarjen nga ipeshkvi; Lateranensi, në shekullarizimin e në bashkëpunimin me pjesën tjetër të klerit; universiteti i Lionit, në mbarëvajtjen e jetës rregulltare në kohën tonë dhe në seriozitetin e studimeve e kështu me radhë… Dokumenti, u miratua nga etërit konciliarë, në formë dekreti, pas paraqitjes së shtatë skemave.
“Perfectae Caritatis” mund të ndahet në dy pjesë të mëdha: në të parën (nr. 2-15) përcaktohen parimet e rinovimit të jetës rregulltare; në të dytën (nr. 16-24) paraqiten zbatimet praktike. Përsa i përket rinovimit, Koncili përcaktoi pesë parime, duke vendosur si parim të parë Ungjillin e kështu, me një goditje të vetme, kapërceu të gjitha rregullat, kushtetutat, statutet e direktivat e themeluesve të kongregatave të ndryshme, pra, gjithçka ishte e nevojshme të përtërihej në dritën e Fjalës së Zotit. Pastaj, dekreti “Perfectae Caritatis” vë theksin tek kthimi në shpirtin, apo frymën e themeluesit. Parimi i tretë kërkon që institutet e jetës rregulltare të marrin pjesë aktive në jetën e Kishës, i katërti, që t’i shoshisin mirë vlerat e botës e i fundit, bën thirrje për kultivimin e vlerave të brendshme shpirtërore. Pika të tjera të “Perfectae Caritatis” kanë të bëjnë me aspekte praktike: klauzura e murgeshave, veshja e rregulltarëve, themelimi i instituteve të reja, të cilat nuk duhej të shumëfishoheshin pa nevojë etj..
Prirjet konciliare - që pas diskutimeve, sollën në hartimin e tekstit përfundimtar - ishin kryesisht dy: ajo tradicionaliste e ajo moderne, nëse mund ta quajmë kështu. Tradicionalistët e konsideronin jetën rregulltare si gjendje përsosurie, duke iu referuar shkrimeve të Etërve të Kishës, që nga shën Toma, të cilët e jepnin virgjërisë epërsi në krahasim me martesën. Pas martirëve, jeta e rregulltarëve ishte më e denjë se e të tjerëve për t’u quajtur shenjte. Prirja e dytë, ajo që u quajt më moderne, vinte theksin në përdorimin e gabuar të fjalës “gjendje përsosurie”, e cila kuptohej si përcaktim për njerëzit e përsosur, doktrinë kjo, që shën Toma nuk e kishte përvijuar kurrë. Sipas progresistëve, nuk ka asnjë ndryshim ndërmjet të krishterëve, ndryshon vetëm thirrja e tyre për jetën, dikush në jetën rregulltare e dikush në martesë, pa fituar për këtë epërsi në krahasim me tjetrin.
Koncili i kapërceu vështirësitë e lindura nga ky konfrontim, duke vënë në plan të parë thirrjen e përgjithshme e të përbashkët për shenjtërimin e jetës. Pagëzimi, theksohet në dekretin “Perfectae Caritatis” nuk dallon dy kategori të krishterësh, por i impenjon të gjithë njëlloj në ndjekjen e gjurmëve të Krishtit, por sipas mënyrave të ndryshme të jetesës së secilit. Gjithsesi, jetës rregulltare i njihet vlera e veçantë e përkushtimit të plotë ndaj Zotit.
Zbatimi i dekretit konciliar për jetën rregulltare pati vështirësitë e veta. Probleme dolën nga konsiderata mbi shugurimin e bashkëshortëve, nga konceptimi i gabuar i normave në disa institute rregulltarësh, që çoi madje në shkëputjen e grupeve nga trungu mëmë e në krijimin e instituteve të reja, siç qe rasti i sakramentinëve brazilianë, nga të cilët u shkëput një grup, që themeloi më pas kongregatën “Shërbëtorët e Eukaristisë”. Në vitin 1980, Kongragata e Vatikanit për Institutet e Jetës së Shuguruar, u dha fund eksperimenteve dhe i këshilloi rregulltarët të formulonin përfundimisht statutet e kushtetutat e tyre. Përtëritja e jetës rregulltare, ashtu siç e deshi Koncili II i Vatikanit, vazhdon akoma, edhe me lindjen e formave të reja si Lëvizjet e ndryshme Neokatekumenale.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama