HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-08-01 16:49:24
A+ A- Printo artikullin



Papa Françesku: ka ardhur koha e mëshirës dhe e dhembshurisë, Kisha të jetë afër njerëzve



Kisha katolike përkujton sot Shën Alfonsin Maria de’ Liguori, ipeshkëv napoletan që diti të depërtonte në zemrën e të varfërve të 1700-së. Për të, kompozitor i këngës së famshme të Krishtlindjes ‘Ti ulesh prej Parrizit’ (Tu scendi dalle stelle), Mishërimi i Fjalës së Zotit ishte shembull për t’u ndjekur nga Kisha që vërtetë donte të ishte Nuse e Hyjit të afërt me popullin e vet. E njëra ndër temat e trajtuara nga Papa Françesku gjatë udhëtimit të tij apostolik në Rio de Zhanjero ka qenë pikërisht ajo e një Kishe që jeton në gjirin e njerëzve, e një Kishe nënë plot mëshirë. Ja disa pre fjalëve të shqiptuara nga Papa Bergoglio gjatë vizitës së tij në Brazil:
Kjo është “kohë e mëshirës” – tha me forcë Papa Françesku – e Kisha “duhet të shkojë për t’i kuruar plagët” e njerëzve, duhet “të jetë e mëshirshme me të gjithë, duhet të ketë mëshirë për çdo kënd....jo vetëm t’i pres njerëzit, po ajo duhet të shkojë e t’i kërkojë! Kjo do të thotë mëshirë” (Biseda në avion, 28 korrik).
Për këtë arsye është vendimtare afërsia e Kishës, “sepse Kisha është nënë, e nënën nuk e njohim përmes korrespondencës. Nëna...na përkëdhelë, na prek, na puth, na do. Kur Kisha, merret me mijëra gjëra tjera, e lë pas dore këtë punë e nuk kujdeset më për këtë afërsi, e lë pas dore atë dhe komunikon vetëm me dokumente, e kështu bëhet porsi ajo nëna që komunikon me të birin me anë të letrave”. Shpesh mungon kjo “afërsi” (Intervista në tv Brazilian ‘O Globo’, 28 korrik).
Për Papën Françesku, lypet një Kishë që të di jetë më shumë “lehtësuese e fesë sesa mbikëqyrëse e fesë”. Përkundrazi, nganjëherë, kemi disa “veprimtari baritore ‘të largëta’, veprimtari baritore disiplinore që privilegjojnë parimet, sjelljet, normat, nismat organizative...natyrisht pa afërim e pa afërsi, pa përdëllim, pa përdhelje. Injorohet kështu ‘revolucioni i butësisë e i dhembshurisë’ që shkaktoi mishërimin e Fjalës Hyjnore. Ekzistojnë pastaj veprimtari baritore të organizuara mbi bazën e një distance të tillë që vërtetë janë të paafta të arrijnë deri te takimi: takimi me Jezu Krishtin, takimi me vëllezërit e motrat”. “Si janë homelitë tona? – pyet Papa – A na afrojnë për shembull me Zotin tonë Jezu Krisht, që ‘fliste porsi Ai që kishte autoritet’ apo janë plot me dhënie rregullash, moraliste, të largëta, abstrakte?”. (Fjalimi drejtuar Komitetit të koordinimit të Celam, 28 korrik).
“Ndoshta – nënvizon Papa Françesku – të folurit tonë për misterin e kemi reduktuar në një shpjegim të thjesht racional; ndërsa tek njerëzit, misteri depërton përmes zemrës”. “Nganjëherë, i humbasim ata që nuk na kuptojnë sepse e kemi harruar thjeshtësinë, rëndësinë e të folurit me zemër. Pa gramatikën e thjeshtësisë” – vëren Papa Bergoglio – misioni ynë “është i destinuar të dështojë”. Ndoshta Kisha është dukur “tepër largët” nga nevojat dhe hallet e njerëzve, “ndoshta tepër e ftohtë... ndoshta tepër autoreferenciale, ndoshta skllave e fjalëve të vete të ashpra e rigoroze”. (Fjalimi drejtuar Episkopatit brazilian, 27 korrik).
Përkundrazi, lypet – tha Papa – një Kishë që di të dialogoj me ata që “ecin pa cak, të vetëm e të vetmuar, të zhgënjyer nga një Krishterim që tashmë konsiderohet tokë e shterpët, i pafrytshëm, i paaftë për ofruar kuptim” e orientim. “Lypet një Kishë, në gjendje të jetë vërtetë shoqe e shoqëruese jete, të shkojë përtej dëgjimit të thjeshtë; një Kishë që shoqëron udhëtimin e njerëzve duke u vënë bashkë me njerëzit në udhëtim; një Kishë që di t’i kuptojë se si shkaqet apo arsyet për çka njerëzit largohen, përmbajnë në vetvete, edhe arsyet e një kthimi të mundshëm. Jezusi kërkon nga dishepujt e Emausit përzemërsinë e ngrohtësinë e zemrës. Do të doja – vijoi Papa Françesku – që të gjithë të bënim pyetjen, sot: a jemi akoma një Kishë e aftë për ta ngrohur zemrën?”. (Fjalimi drejtuar Episkopatit brazilian, 27 korrik).
Atëherë pra, sot lypet një Kishë e aftë të rizbulojë thellësinë dhe bukurinë e përdëllimit prej nëne. Pa përdëllim – përfundoi Papa Françesku – vështirë se mund të depërtojë në botën e të ‘lënduarve’, ku njerëzit kanë nevojë për mirëkuptim, për falje, për dashuri”. (Fjalimi drejtuar Episkopatit brazilian, 27 korrik).




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama