HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-08-01 12:51:18
A+ A- Printo artikullin



Shën Alfons Maria de’ Liguori, na thërret ta shikojmë jetën me optimizëm



Sot më 1 gusht kalendari kishtar përkujton shën Alfonsin Maria de’ Liguorin. Figurën madhore e shumë popullore të këtij shenjti e përshkojmë sipas katekizmit të audiencës së përgjithshme të 30 marsit të 2011, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, nga Papa Benedikti XVI.
Shën Alfons Maria de’ Liguorit, qe një dëshmitar i ndritshëm ti dashurisë së krishterë. Shenjti, themelues i Redentoristëve, që jetoi në Napoli, në shekullin XVIII, na kujton se jeta duhet parë me sy optimistë, duke besuar në burimet e së mirës, që Zoti nuk ia kursen asnjë njeriu. Benedikti XVI vuri theksin tek rëndësia e mësimit të doktrinës morale e cila, sipas Shën Alfonsit de’ Liguori, duhet shoqëruar gjithnjë me mëshirë e mirëkuptim.
“Kush lutet, shëlbohet”: Benedikti XVI kujtoi edhe këtë moto të Shën Alfons Maria de’ Liguorit, Shenjtit të dashurisë së krishterë dhe dijetarit të Kishës. Ndonëse ishte avokati më i shkëlqyer i Napolit të kohës së vet e bir i një prej familjeve më të kamura, Alfonsi e kuptoi se Zoti po e thërriste për një detyrë të re: detyrën e meshtarit ndërmjet të varfërve. Duke iu përgjigjur zërit të Zotit, ai u largua përgjithnjë nga gjykata e u bë avokat i mëshirës dhe i dashurisë hyjnore në gjirin e shoqërisë napolitane të fillimit të ‘700-ës. E, për ta vijuar, edhe pas tij, ungjillëzimin ndërmjet njerëzve më të përvuajtur të kësaj shoqërie, themeloi Redentoristët.
Alfonsi arriti rezultate shumë të mira: në lagjet më të mjera të qytetit shumëfishoheshin grupet e njerëzve, që mblidheshin mbrëmjeve në shtëpi private e në dyqane, për t’u lutur e për të medituar Fjalën e Zotit, kryesuar nga disa katekistë të formuar nga don Alfonsi dhe nga meshtarë të tjerë, që i vizitonin rregullisht grupet e besimtarëve”.
Këto takime, Benedikti XVI, që nisën të njiheshin me emrin “kapelat serotine”, u bënë burim i edukimit moral, duke i shëruar plagët shoqërore deri në atë masë, sa falë impenjimit të Shenjtit, në Napoli, krimet pothuajse u zhdukën fare.
“Kapelat serontine janë model veprimtarie misionare, burim frymëzimi edhe për ungjillëzimin e ri të kohëve tona, posaçërisht ndërmjet njerëzve më të varfër, si dhe për edukimin me frymën e bashkëjetesës më të drejtë, më vëllazërore e më solidare”.
Shën Alfonsi nuk u kufizua vetëm me veprimtarinë në rrugët e në skutat më të errëta të qytetit. Nisi të njihej nga afër edhe me fshatarët, duke shkelur në zonat më të braktisura të Mbretërisë së Napolit e duke iu kushtuar i tëri këtyre njerëzve, të varfër materialisht e shpirtërisht. Për vijimin e kësaj veprimtarie, themeloi Kongregatën e meshtarëve redentoristë që, shpjegoi Papa Benedikti XVI, u bënë meshtarë endacakë. Endeshin shtëpi më shtëpi e fshat më fshat, duke u bërë njerëzve thirrje për t’u kthyer në rrugën e Zotit e për të jetuar si të krishterë, posaçërisht përmes lutjes. Përveç kësaj, Shenjti iu kundërvu vizionit të zhansenistëve, sipas të cilëve Zoti është gjykatës i rreptë, që nuk të fal. Papa Ratcinger vuri theksin mbi mësimin e pasur të teologjisë morale, që i la trashëgim Kishës Shenjti i mëshirës e i ëmbëlsisë.
“Barinjtë e shpirtrave dhe rrëfyesit, Alfonsi i këshillonte të ishin besnikë ndaj doktrinës morale katolike, por pa harruar t’i trajtonin pendestarët me dashuri, mirëkuptim, ëmbëlsi, në mënyrë që ata ta ndjenin se kishin pranë bariun, që do t’i shoqëronte, do t’i mbështeste, do t’i inkurajonte në rrugën e fesë e të jetës së krishterë”.
Shën Alfonsi nuk lodhej kurrë duke përsëritur se meshtarët janë shenjë e dukshme e mëshirës së pakufishme të Zotit, që fal, që e ndriçon mendjen e zemrën e mëkatarit, duke i krijuar mundësinë të bëjë kthesë e të nisë udhën e një jete të re.
“Në epokën tonë, në të cilën shikojmë shenja të qarta të humbjes së vetëdijes morale e, duhet pranuar, edhe të mungesës së vlerësimit për Sakramentin e Rrëfimit, mësimi i Shën Liguorit mbetet thellësisht aktual”.
Mos të harrojmë se Shenjti napolitan pati gjithnjë në qendër të vëmendjes lutjen, adhurimin eukaristik dhe devocionin për Zojën e Bekuar. E nuk duhet harruar edhe se është autor i fjalëve dhe i muzikës së himnit të Krishtlindjes “Ti ulesh prej Parrizit”. Shenjti redentorist mbetet një shembull edhe për besimtarët e kohëve tona.
“Shën Alfons Maria de’ Liguori është shembull i bariut të zellshëm. Fitoi shumë shpirtra, duke predikuar Ungjillin e duke mbarështuar Sakramentet, përplot me mirësi, butësi, ëmbëlsi, që buronte nga lidhja e tij e thellë me Zotin, Mirësinë e pambaruar. E pa realitetin me sy optimist, i bindur se burimet e mirësisë, që Zoti i dhuron çdo njeriu, nuk shterojnë kurrë e duke e dashur Zotin me gjithë mend e me gjithë zemër”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama