HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-08-03 11:31:56
A+ A- Printo artikullin



Me 4 gusht kalendari kishtar përkujton shën Gjon Maria Vianej



Gjon Maria Vianej lindi në Dardilì, pranë Lionit në Francë, më 8 maj 1786 në një familje fshatare.Ishte pa ndonjë formim fillestar dhe donëse i mungonte kultura e nevojshme, në gusht të vitit 1815 ia doli mbanesh të shugurohej meshtar, vetëm pse mbahej nga të gjithë si model i dashurisë së krishterë. Si u emërua famullitar në Ars-an-Dombë, iu kushtua plotësisht ungjillëzimit të vendit, kryesisht duke u bërë shembull mirësie e dashurie, ndonëse i torturuar nga mendimi se ishte i denjë për detyrën e tij, ndjehej krejt i papërgatitur për një mision kaq me përgjegjësi.
Dhjetë vjet pas arritjes së Gjon Maria Vianejt, Arsi ishte përplot me besimtarë e ai, që në fillim e kishte të ndaluar të rrëfente, u bë njëri nga rrëfyesit më të ndritur në historinë së Kishës. Dëshmoi, kështu, se jo gjithnjë filozofia e teologjia janë të nevojshme për t’i afruar shpirtrat tek Zoti e për t’i udhëhequr ndërgjegjet drejt dritës së Krishtit.
Po, le të ndalemi në disa hollësira të jetës së Shën Gjonit Maria Vianej. Dukej sikur e gjithë bota ishte ngritur kundër dëshirës së tij për t’u bërë prift: i jati, i cili nuk donte kurrsesi që i biri të ndiqte këtë rrugë; Revolucioni që çkristianizoi Francën; Napoleoni që e thirri ushtar, në sa ai u detyrua të dezertonte, duke mos dashur t’i shërbente njeriut që kishte burgosur Papën Piu VII.
Do të ishte burgosur, po të mos e kishte shpëtuar i vëllai, Fransua, që e zëvendësoi në ushtri. Më në fund, nën udhëheqjen e me ndihmën e famullitarit të vet të Ekyji, pranë Lionit, Atë Ballì, Gjon Maria Vianej në moshën 29 vjeç u bë prift në gusht të vitit 1815, në sa anglezët e çonin Napoleonin të burgosur në ishullin e Shën Elenës.
Shugurohej pa i kryer studimet, e jo se e kishte penguar revolucioni. Nuk e kuptonte latinishten, nuk dinte të argumentonte, as të predikonte... pra, nuk mund të realizonte dëshirën për t’u bërë meshtar. Sikur thamë, u desh guximi i Abatit Sharl Balì, famullitar i Ekyji-së, pranë Lionit, për t’ia hapur rrugën drejt meshtarisë: ishte abati ai, që i dha mësim në qelën e vet, që e dërgoi në seminar, që e mikpriti kur i ndërpreu studimet, që vijoi ta përgatiste me durim, derisa e shuguroi meshtar në Grenoblë.
Meshtari i ri e filloi detyrën e famullitarit të Arsit me ankth, me dëshirën për të ikur nga famullia. Por, pas pak vitesh, në Ars filluan të vinin njerëz nga të katër anët, ashtu siç shkohet në shtegti. Vinin për të, pasi qe bërë i njohur përmes ndihmës që u jepte famullive të tjera, sidomos kur ishte nevoja për të rrëfyer. Ky famullitar, i përqeshur nga priftërinjtë e tjerë, madje edhe i paditur te ipeshkvi për “huqe” dhe “çrregullime”, nisi të qëndrojë gjithnjë më gjatë në rrëfyestore, falë talentit të tij për të drejtuar e për të ngushëlluar shpirtrat, u bë i njohur në të gjitha shtresat e shoqërisë franceze të kohës.
Njerëzit që ishin shpresëhumbur, largoheshin nga rrëfyestorja e tij plot fe e shpresë. Në sa ai vijonte ta konsideronte veten të paaftë aq, sa provoi dy herë të ikë nga famullia kishtare. E u kthye shumë shpejt mbrapsht, sepse në Kishë e prisnin qindra njerëz të ardhur edhe nga larg. Vijoi të rrëfejë e të kremtojë meshë deri në verën e vitit 1859, kur nuk qe më në gjendje të shkonte në kishë, sepse po jepte shpirt. E pagoi mjekun, duke e porositur të mos vinte më, sepse shihej qartë që mjekimet ishin të kota.
Kur njerëzit e morën vesh lajmin e vdekjes së Gjon Maria Vianejt, s’mjaftuan trenat as veturat, për t’i përballuar shtegtarët që niseshin drejt Arsit – shkruan një dëshmitar i kohës. Turma që donte t’i jepte lamtumirën e fundit ishte aq e madhe, sa trupi i tij u mbajt në Kishë dhjetë ditë e dhjetë netë. Papa Piu XI do ta shpallte shenjt më 1925. Paraqitet si shembull e pajtor i klerit të famullive kishtare.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama