HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-08-04 13:42:28
A+ A- Printo artikullin



Papa Françesku në Engjëllin e Tënzot: DBR-së nuk janë fishekzjarre, por etapa të një udhe për përballimin e kotësive të përditshme



Ditët Botërore të Rinisë nuk janë fishekzjarrë” - kështu u shpreh Papa sot, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar, si zakonisht, në Sheshin e Shën Pjetrit, pas kthimit, të dielën e kaluar, nga Rio-de-Zhanéjro, duke nënvizuar kuptimin e udhës së të rinjve, që vijon prej kohe, përmes kontinenteve, me Kryqin e Krishtit, për të fituar mbi kotësinë e së përditshmes.
Dhuratë e madhe për Brazilin, për Amerikën Latine e për mbarë botën. Papa Françesku u kërkoi të gjithëve ta falënderojnë Zotin për DBR-së, kremtuar në Rio:
“Nuk duhet harruar kurrë se DBR-së nuk janë ‘fishekzjarrë’, çaste entuziazmi e qëllime në vetvete”.
Janë etapa të një udhe të gjatë, nisur më 1985 nga Gjon Pali II e vijuar nga Benedikti XVI. E edhe unë, shtoi Papa, munda ta jetoj këtë etapë të mrekullueshme në Brazil. Por, sqaroi:
“Ta kujtojmë gjithnjë: të rinjtë nuk ndjekin Papën, ndjekin Jezu Krishtin, duke mbartur kryqin e Tij”.
Papa u prin dhe i shoqëron të rinjtë në këtë udhë feje e shprese. Pastaj, një falënderim i ngrohtë për të rinjtë, që morën pjesë, edhe me flijime të mëdha, e mbarë popullin e Brazilit, popull bujar, me zemër të madhe:“Zoti ua shpërbleftë të gjithë atyre, që punuan për këtë festë feje”.Pastaj, një ndjet lutjeje, që këta të rinj, të cilët i takoi në Rio, ta kthejnë përvojën e takimit të madh, në sjellje të përditshme, në zgjedhjen e rrugëve të jetës, duke iu përgjigjur thirrjes personale të Zotit e duke refuzuar absurditetin për ta ngritur lumturinë mbi pasjen, siç kujton edhe Ungjilli e së dielës:
“Të rinjtë e ndjejnë fort atmosferën e zbraztësisë së jetës, mungesën e vlerave, që i rrethon shpesh. E, për fat të keq, me shumë pasoja”.
Përkundrazi, takimi me Jezusin e gjallë, në familjen e Tij të madhe, që është Kisha, ta mbush zemrën me gëzim, me jetë të vërtetë, me mirësi të thellë. E këto vlera nuk kalojnë, as nuk kalben:
“E pamë këtë në fytyrat e të rinjve në Rio. Por kjo përvojë duhet të përballojë kotësinë e përditshme, helmin e zbraztësisë, që depërton në shoqëritë tona të bazuara mbi fitimin e pasjen, të cilat i joshin të rinjtë me konsumizmin”.
Pas lutjes mariane, përshëndetjet drejtuar të pranishmëve të shumtë, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, pa marrë parasysh vapën e jashtëzakonshme të gushtit:
“Ju falënderoj të gjithëve! Ka shumë të rinj në Shesh! Po më duket si Rio-de Zhanéjro”.
E akoma, një përshëndetje e veçantë:
“Përshëndetje Nënës sonë, Shpëtimi i Popujve Romakë. Të gjithë së bashku, një përshëndetje Nënës”.
Më pas një kujtim tjetër i veçantë, për të gjithë famullitarët e meshtarët e botës, në festën liturgjike të pajtorit të tyre, Shën Gjon Maria Vianej.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama