HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Feja dhe dialogu >  2013-08-05 16:05:17
A+ A- Printo artikullin



Kardinali Toran: Mesazhi i Papës, shenjë e respektit të madh për besimtarët myslimanë



Mesazhi i Papës drejtuar myslimanëve në përfundim të Ramazanit, është nismë me rëndësi të madhe për dialogun me Islamin. E nënvizon këtë kardinali Zhan-Lui Toran. I intervistuar nga Radio Vatikani, kryetari i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, vë theksin mbi respektin e thellë, që ka pasur gjithnjë Horhe Mario Bergolio për besimtarët myslimanë:

Përgjigje: – C’est une initiative qui lui est tout à fait personnelle. Il a voulue …
Është nismë e tij, krejt personale. Besoj se me të, deshi të shprehë respektin e madh për besimtarët e Islamit. Kujtoj, për shembull, se ndonjë vit më parë, pati dërguar një prift të dioqezës së Buenos Ájres të studionte arabisht, sepse donte një njeri të formuar për dialogun me Islamin. Kështu, në këtë vit të parë të papnisë e në rrethanat aktuale, deshi të tregojë konkretisht se dialogu ndërfetar e, në veçanti, dialogu me Islamin, është një nga përparësitë e papnisë së tij.

Pyetje: - Tema e këtij viti është “Promovimi i respektit reciprok, përmes edukimit”. Papa Françesku nënvizon rëndësinë e shmangies së kritikës të pajustifikuar ose fyese e, njëkohësisht, rëndësinë e respektit të veçantë për krerët fetarë e për vendet e kultit. A mund të na flisni për raste të veçanta e situata të caktuara?

Përgjigje: - Sans aucun doute, sans aucun doute. Voyez, je crois que le Papa, comme nous …
Pa kurrfarë dyshimi! Shiko, besoj se Papa, si të gjithë ne, është i vetëdijshëm se nuk njihemi aq sa duhet. Megjithë përpjekjet e shumta, duhet të punojmë akoma, që të mësohemi ta respektojmë njëri-tjetrin, t’i respektojmë fetë tona, ritet tona, vendet tona të kultit e, në këtë drejtim, është e natyrshme që prijësit fetarë kanë shumë përgjegjësi në formimin e besimtarëve të tyre. Më duket se Papa e thekson shumë këtë aspekt të respektimit të anasjelltë. Për fat të keq, çka më duket paksi zhgënjyese në dialogun ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, është se ne kemi bërë përpjekje të shumta këto vitet e fundit, por kemi pasur rezultate të pakta, që nuk janë ngritur kurrë në nivel ligji e as në nivel norme administrative. Prej këndej, duhet bërë edhe një përpjekje tjetër e fortë për t’u njohur më mirë, për t’u vlerësuar më shumë, për të mos e shikuar njëri-tjetrin si kundërshtarë, por si njerëz në kërkim të Zotit…

Pyetje: - Prej kohës, kur u formulua mesazhi i një viti më parë, kanë ndodhur shumë gjëra. Nga njëra anë, katolikët kanë një papë të ri, nga ana tjetër, në shumë vende me shumicë myslimane, si Egjipti, Tunizia, Siria, tensionet janë ashpërsuar. Në disa nga këto vende kemi bashkësi të krishtera të rëndësishme, që jetojnë në atmosferën e frikës. Kanë frikë! Nganjëherë shumë. A pasqyrohen këto dy aspekte në këtë mesazh ose në punën e dikasterit, që kryesoni? E a mund të na flisni më konkretisht për këtë aspekt të mprehtë, lidhur edhe me Mesazhin e Papës?

Përgjigje: - Oui, dans les deux cas. Je crois que souvent on confond …
Po, në të dyja rastet. Besoj se në Evropë shpesh ngatërrohen islamizmi me Islamin, e nuk mund të mohohet edhe se fondamentalizmi është armik i përbashkët. Prej këndej duhet bërë një përpjekje intelekti, kulture, e kjo mund të realizohet në atë masë, që krerët fetarë e kuptojnë se situata bëhet gjithnjë më e rëndë, e kanë vullnetin e mirë ta lehtësojnë, ta përmirësojnë. Dhe e gjithë kjo ka të bëjë drejtpërdrejt me shkollën, me universitetin, ku mund të edukohet besimi i anasjelltë, miqësia: përndryshe do të vijojmë të jetojmë gjithnjë në frymën e armiqësisë… Duhet pasur mirë parasysh se sa më e vështirë të jetë situata, aq më shumë duhet të dialogojmë.

Pyetje: - E jashtëzakonshmja në këtë Mesazh, e thamë edhe më sipër, është se nënshkruhet me dorën e Papës….

Përgjigje: - Je crois que le Pape François se situe dans la ligne du Pape Benoît XVI...
Më duket se Papa Françesku ecën në gjurmët e Benediktit XVI. Nuk duhet harruar se Papa Françesku ndjek një Paraardhës që, në këtë shekull, ka folur më shumë për islamin; një Papë, që vizitoi tri xhami…. Besoj, prandaj, se Papa Françesku është i vendosur për të ndjekur vijën e bashkëpunimit të ndërsjelltë, të dëshirës, pavarësisht nga vështirësitë, për t’u njohur më mirë me palën tjetër. Sa më e vështirë të jetë situata, aq më shumë duhet folur; besoj se kjo është një bindje e përhershme e këtij Pape, siç ishte edhe e Paraardhësit të tij.

Pyetje: - Vazhdimësia, në fund të fundit, ka shumë rëndësi... A mund të themi se përmes përdorimit të kësaj forme, mund të arrijmë edhe tek ndryshimet, duke pasur parasysh mënyrën e kapjes së problemit nga ky Papë?

Përgjigje: - Le premier jour de son pontificat, lorsqu’il a parlé avec une délégation de …
Ditën e parë të papnisë, kur priti një delegacion myslimanësh, ishte jashtëzakonisht i përzemërt. Ndonjë ditë më parë pritëm një delegacion tjetër, me të njëjtën përzemërsi. Të gjithë u prekën nga thjeshtësia e Papës. Sigurisht kjo nuk do të thotë se është naiv. Është i vetëdijshëm për të gjitha vështirësitë por, mbi të gjitha, i njerëzishëm; natyrisht shqetësohet fort për fatin e të krishterëve, që vuajnë në disa nga vendet me shumicë myslimane, pa harruar, nga ana tjetër, edhe ata myslimanë, që diskriminohen në vende të tjera. Besoj se është njeri shumë i ëmbël, shumë i thjeshtë, por edhe shumë i vetëdijshëm për vështirësitë: nuk është naiv.

Pyetje: - Përtej deklaratave, ndjeteve të mira e marrëdhënieve pozitive, që mund të vërehen në nivele të ndryshme, realiteti në terren shumë shpesh është i vështirë. Ç’mund të bëhet për t’i edukuar njerëzit me respekt për njeri-tjetrin, duke i lehtësuar kështu, edhe tensionet?

Përgjigje: - Je crois d’abord qu’il faut aider les journalistes car je pense que les mass médias …
Besoj se mbi të gjitha duhen ndihmuar gazetarët, sepse mendoj që mjetet masive të komunikimit kanë ndikim shumë të madh; është e nevojshme të ndihmohen gazetarët, që të informojnë mirë e të informohen mirë. Pastaj, përmes mësimit të besimit në shkolla e në universitete, duhet punuar që të marrin fund paragjykimet. Në të vërtetë, shumica e problemeve lind pikërisht nga padija. E përsëris shpesh se ia kemi dalë mbanë ta shmangim ndeshjen ndërmjet kulturave; të përpiqemi, tani, ta shmangim edhe ndeshjen ndërmjet injorancave.

Pyetje: - Siç e shikojmë, islami politik dhe fondamentalizmi janë shumë larg unanimitetit, duke përfshirë edhe vetë vendet myslimane, e posaçërisht këta. Ju a jeni i shqetësuar për ardhmërinë e këtyre vendeve e për atë të fqinjve të tyre, si Libani e Jordania?
Përgjigje: - Sans doute, parce que vous savez, le mal est contagieux …
Pa dyshim, sepse e keqja është ngjitëse… Por ama edhe e mira, prandaj duhet të përpiqemi të fitojë e mira mbi të keqen. Gjithsesi, nuk ka dyshim se evolucioni, që po shikojmë në terren, nuk mund të mos shkaktojë shqetësime. Është e qartë se të gjitha këto konflikte nuk shkaktohen nga feja, as nga fetë: por, sidoqoftë, për zgjidhjen e tyre, duhet parashikuar edhe përmasa fetare.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama