HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-08-06 15:42:23
A+ A- Printo artikullin



Papa për Ditën Misionare: të dalim nga rrethi personal për ta çuar Ungjillin kudo



Të gjithë të pagëzuarit janë të thirrur ta kumtojnë Ungjillin me guxim në çdo vend e në çdo rrethanë. Kështu shkruan Papa Françesku në Mesazhin për Ditën Misionare Botërore, që do të kremtohet më 20 tetor. Në dokumentin e publikuar sot, që mban datën e 19 majit, Solemnitetit të Rrëshajve, Ati i Shenjtë nënvizon se ungjillëzimi nuk është akt i izoluar, por i përbashkët. Thekson gjithashtu, se një bashkësi e krishterë mund të konsiderohet e pjekur, vetëm nëse del nga vatha e vet për ta çuar shpresën e Jezusit edhe në periferi.
“Feja – nënvizon Papa Bergolio në mesazhin e tij të parë për Ditën Misionare – është dhuratë e çmuar e Zotit, që nuk mund të mbahet vetëm për vete, por duhet ndarë me të tjerët”. Viti i Fesë dhe 50-vjetori i Koncilit II të Vatikanit, që i kremtojmë së bashku, duhet ta nxisin Kishën të gjejë një mënyrë të re për të qenë e pranishme në botën bashkohore, për të kryer misionin e saj në mesin e popujve e të kombeve. E misioni nuk është çështje territori gjeografik, vazhdon Ati i Shenjtë, pasi kufijtë e fesë nuk kalojnë vetëm përmes vendeve e traditave njerëzore, por edhe përmes zemrës së secilit.
E të gjithë, vëren Papa Françesku, jemi të thirrur ta kumtojmë Jezusin deri në kufijtë e fundëm të Tokës, jemi të thirrur të ecim së bashku me vëllezërit, duke u dëshmuar atyre fenë tonë në Krishtin. Ati i Shenjtë u tërheq vëmendjen ipeshkvijve, duke vënë në dukje se nganjëherë, ungjillëzimi nuk gjen pengesa vetëm jashtë, por edhe brenda bashkësive të krishtera, të cilave u mungon hovi, gëzimi, guximi dhe shpresa e nuk janë në gjendje t’i ndihmojnë bashkohësit ta takojnë Jezusin. Herë të tjera, shton Papa, shpallja e së vërtetës së Ungjillit kuptohet si dhunim i lirisë, por pikërisht e vërteta ungjillore është homazh për këtë liri, nënvizon, duke u bërë jehonë fjalëve të Papës Pali VI, të cilit sot, i kujtohet 35-vjetori i vdekjes.
Shpesh, ngre zërin Ati i Shenjtë, “shohim se dhuna, gënjeshtra, gabimi ngrihen në qiell”, prandaj, është “urgjente ta bëjmë të shndrisë në kohën tonë, jetën e mirë të Ungjillit me anë të kumtit e të dëshmisë e kjo, edhe brenda vetë Kishës”. Parimi kryesor, që duhet të udhëheqë çdo ungjillëzues, këshillon Papa Françesku, është se nuk mund të kumtohet Krishti pa Kishën e vet. Akti i ungjillëzimit nuk është personal, por eklezial, pra, i bashkësisë.
Ati i Shenjtë ndalet më pas, në sfidat e shumta të ungjillëzimit, duke nënvizuar se Kisha duhet ta kuptojë misionin në mesin e njerëzve, jo si prozelitizëm, por si dëshmi jete, nën udhëheqjen e Shpirtit Shenjt. Kujton më pas misionarët e meshtarët “fidei donum”, besimtarët laikë e të gjithë ata, që lënë vendin e tyre për t’i shërbyer Ungjillit në toka e kultura të tjera. I nxit ipeshkvijtë dhe familjet e rregulltarëve t’i ndihmojnë Kishat, që kanë nevojë për meshtarë, rregulltarë e laikë, sepse “të dhurosh misionarë e misionare – shkruan Papa argjentinas – nuk është kurrë humbje, por fitim”. Kishat e reja, nënvizon Ati i Shenjtë, janë burim entuziazmi për Kishat me tradita më të lashta të krishtera. Papa Françesku nuk harron të kujtojë, së fundi, të krishterët e persekutuar në vende të ndryshme të botës, duke vënë në dukje se sot ka më shumë martirë, se në shekujt e parë të krishterimit. Të gjithëve, u siguron se do të lutet për ta dhe e mbyll mesazhin me fjalët ngushëlluese të Jezusit: “Guxim, unë e munda botën”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama