HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-08-08 11:50:28
A+ A- Printo artikullin



Çelësi i fjalëve të Kishës: dekreti konciliar "Optatam Totius"



Në emisionet tona, kushtuar Koncilit II të Vatikanit, kemi folur tashmë për atmosferën në të cilën u mblodh ai, për dëshirën përtëritëse që ndjehej në Kishën Katolike, për katër kushtetutat e për disa nga dekretet konciliare, të cilat, gjithsej, janë nëntë. Sot, do të përvijojmë së bashku përmbajtjen e dekretit “Optatam Totius”, i cili flet për temën e formimit meshtarak.
Përtëritja, që Koncili II i Vatikanit e dëshironte për të gjithë Kishën, varet kryesisht nga shërbimi meshtarak e nga mënyra si e kuptojnë këtë shërbim të shuguruarit e Zotit, pra priftërinjtë. Qe kjo arsyeja, që i shtyu etërit konciliarë të vinin dorë në formimin meshtarak, sidomos në punën e bërë me kandidatët për meshtarë nëpër seminare. Që në fazën përgatitore, për këtë temë u bënë 557 propozime. Pas hartimit të skemave e ideve për një kushtetutë, ku të përfshiheshin direktivat për formimin e seminaristëve, e pas diskutimeve të shumta, u arrit në miratimin e dekretit “Optatam Totius”, më 28 tetor 1965, me 2318 vota pro e vetëm tre kundër. Siç dihet, titulli i dekretit merret nga fjalët e para të tekstit, të cilat pasohen nga “Ecclesiae renovationem”, prandaj përkthimi në shqip, duke marrë parasysh krejt frazën do të ishte: (përtëritja) e dëshiruar e të gjithë (Kishës).
Ky dekret përcakton vijat e përgjithshme, në hullinë e të cilave duhet të ecë formimi i meshtarit të ardhshëm, që nga thirrja tek rruga e gjatë shpirtërore, intelektuale e baritore, e deri tek vitet e para të shërbimit meshtarak, pas shugurimit. “Optatam Totius” ka disa karakteristika, që mund të përmblidhen kështu:
Së pari, në të ndihet një ekuilibër, që shmang çdo lloj ekstremizmi, me qëllim që të pajtoheshin qëndrimet e tradicionalistëve me të atyre, që kërkonin reforma rrënjësore në seminare, për t’ia përshtatur formimin meshtarak botës moderne, në shndërrim të vazhdueshëm. Në dekret përfshihet vërtet çdo gjë e mirë, që kontribuoi, gjatë historisë, në formimin e meshtarëve shenjt, por njëkohësisht, hapet edhe udha drejt një zhvillimi me etapa në formimin e klerit.
Karakteristika e dytë e “Optatam Totius” është përshtatshmëria e tij, vërtet e rëndësishme, kur diskutohej për nevojat e ndryshme të Kishave të veçanta, në vende e kultura të ndryshme nga njëra-tjetra. Pikërisht në paragrafin e parë të dekretit, etërit konciliarë u kërkojnë Konferencave Ipeshkvnore të çdo vendi të hartojnë një Rregullore për formimin meshtarak, e cila duhej rishikuar herë pas here e duhej miratuar nga Selia Apostolike. Vërtet, i takon Selisë së Shenjtë të vendosë për zhvillimin në kohë të formimit meshtarak, duke pasur parasysh përvojat më të mira të së kaluarës, e cila nuk mund të harrohet në asnjë mënyrë. Fatkeqësisht, historia pas-konciliare provoi se mungesa e kthimit të traditës në trashëgimi të sistemuar, nuk u dha mundësi hipotezave të reja të bazoheshin në një terren më të qëndrueshëm. Kjo ndikoi për keq në formimin e kandidatëve për meshtar. Dozimi i duhur ndërmjet traditës e risisë është rruga kryesore e zhvillimit të Kishës, e cila nuk duhet braktisur kurrë.
Një karakteristikë tjetër e veçantë e “Optatam Totius” është parashikimi i pjesëmarrjes më aktive të studentëve në formimin e tyre shpirtëror, intelektual e baritor, duke pasur gjithnjë parasysh arritjen e një ekuilibri psikik, që ta bënte formimin të harmonishëm e gjithëpërfshirës. Në kandidatin për meshtar vepron Shpirti Shenjt dhe eprorët e mësuesit, por, thekson dekreti, është seminaristi ai, që me përgjegjësi, duhet të punojë për arritjen e idealit meshtarak, të cilit dëshiron t’i kushtojë lirisht jetën.
E kjo vlen edhe për formimin intelektual e baritor, ashtu siç theksohet në paragrafin V e VI të “Optatam Totius”. Bagazhi kulturor i meshtarit duhet të jetë në lartësinë e nivelit më të mirë bashkohor, nënvizojnë etërit konciliarë. Më pas, seminaristët nxiten drejt apostullimit, që në vitet e formimit, pasi kjo e bën meshtarin e ardhshëm ta njohë më mirë grigjën e vet dhe të mësojë si ta përdorë realizmin, urtësinë e durimin me përvuajtëri.
Karakteristika e katërt e dekretit është qëllimi baritor i krejt formimit meshtarak. Duhen përgatitur barinj shpirtrash, që imitojnë Jezusin, Bariun e Mirë, i cili dha jetën për botën. Ky qëllim duhet të jetë boshti i krejt formimit të seminaristëve. Nga ana tjetër, “Optatam Totius” thekson se formimi i meshtarëve nuk mund të përfundojë së bashku me seminarin. Janë Konferencat Ipershkvnore të çdo vendi, nënvizohet në dekret, që duhet të studiojnë mjetet më të përshtatshme për vazhdimin e formimit të çdo prifti. Direktivat e tij në këtë drejtim zbatohen në atë, që sot quhet “formimi i përhershëm i presbiterëve”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama