HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Politika >  2013-08-16 16:58:08
A+ A- Printo artikullin



Egjipti drejt luftës civile



Tmerr në Egjipt. Që nga e mërkura, qeveria aktuale e përkohshme urdhëroi shpërndarjen e manifestuesve pro ish-presidentit Morsi, nëpër sheshe. Anekënd vendit ndodhë ndeshje të përgjakshme me policinë, që vazhduan edhe në ditët e mëpasme, me mëse 600 viktima e mijëra të plagosur, me një bilanc gjithnjë në rritje. Dikush e quajti sheshin Rabaa në Kajro – simbol i protestës – “Tienanmeni i Egjiptit”. Në festën e Zojës së Madhe, siç e thamë, edhe Papa Françesku kërkoi fundin e dhunës e siguroi lutje për të vrarët e familjarët. Ndërkaq, integralistët islamikë sulmuan mëse 40 kisha të krishtera, të cilave u vunë zjarrin, ose i rrafshuan me tokën. Papa i koptëve, Tauadros II qëndroi i mbyllur në një manastir, me kërcënimin e vrasjes mbi kokë. Në mikrofonin tonë, misionari kombonian italian, Xhuzepe Skatolin nga Kajro:
Dënohet dhuna – kjo është temë e qëkurshme – nga cilado anë të vijë, të hapen bisedime, negociata për zgjidhjen e çështjeve… Fatkeqësisht, përjetuam ditë ndeshjesh ndërmjet dy palëve të armatosura e akoma nuk dimë ku po shkojmë. Natyrisht, të gjitha fetë duhet ta dënojnë dhunën!
Kundër njëri-tjetrit, manifestuesit dhe policia. Po popullsia civile, ç’qëndrim mban?
Duke filluar nga manifestimi i 30 qershorit, është e qartë se pjesa më e madhe e popullsisë egjiptiane nuk e deshi qeverinë e Vëllezërve Myslimanë dhe dëshironte të rifillonte shpejt një udhë të vërtetë demokratike, e cila dështoi me këtë parti në pushtet. Unë besoj se ekzistonte mundësia për dialog: të gjithë ishin të thirrur për këtë, pra edhe kjo parti. Do të mund të merrnin pjesë në procesin e vendosjes së demokracisë së vërtetë. Për arsye të ndryshme, njëra palë refuzoi dhe përdori një farë dhune.
Po përse fronti laik nuk arriti të bashkohej, për të nxjerrë një udhëheqje të përbashkët?
Kjo ka të bëjë kryesisht, me fazën e parë: ashtu si në Tunizi, pas një farë kohe, për të pasur një proces vërtet demokratik, ushtria duhej ta linte pushtetin në duart e palëve civile, siç bëri tani… Natyrisht, rezultati qe dhuna, por nuk e di nëse kjo ishte e vetmja mundësi para manifestimeve me armë e para shumë të huajve, që kanë hyrë në Egjipt për të luftuar në favor të sistemit të mëparshëm! Ka sirianë, palestinezë, ekstremistë islamikë…
Ju, si të krishterë, si e shihni situatën?
Të krishterët janë gjithnjë pjesa më e dobët e shoqërisë. Kanë shumë probleme, të trashëguara nga e kaluara. Të krishterët mbahen nën presion e shpresojnë t’i rifitojnë pozitat në shoqëri, brenda një sistemi demokratik, që respekton të drejtat e njeriut për të gjithë. Këtë duan të krishterët!




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama