HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-08-16 18:33:23
A+ A- Printo artikullin



Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 20-të "C"



Ja përsëri në takimin tonë javor me Liturgjinë e Fjalës së Zotit të së dielës. Kësaj herët do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 20-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.
Liturgjia e kësaj së diele na prezanton Jezusin si shenjtë kundërshtimi e përçarje. Ai është mësues i së vërtetës, armik i mëkatit, ithtarë e përkrahës i drejtësisë. Prandaj është qartë pse të gjithë ata njerëz që në saje të gabimit e të gënjeshtrës, janë në anë të mëkatit e të padrejtësisë, çohen kundër Krishtit, e Kishës së tij si dhe ithtarëve të Tij.
Jeta e Jezu Krishtit nuk ka qenë aspak e lehtë, e ai na tërheq vëmendjen se as jeta jonë e krishterë nuk do të jetë e lehtë. Në Ungjillin e së dielës Ai flet për paqe e për përçarje: na thotë se nuk ka ardhur për të sjell paqen, por ndarjen, do të thotë kundërshti, armiqësi. Jezusi ka ardhur ndër për të sjell ‘zjarrin’ e dashurisë. Po, Krishti i ka ofruar Atit Qiellor jetën në ‘flakën’ e dashurisë, e ne na ofron ‘flakën’ transformuese të ungjillit, për të na zgjuar nga siguritë tona kalimtare e të përkohshme, e për të na ftuar t’i shqyrtojmë e t’i kuptuar shenjat e kohës, vlerat e vërteta të ekzistencës, në dritën e ‘flakës’ së dashurisë së Tij Hyjnore.
Leximet biblike të kësaj së diele, na ftojnë të reflektojmë mbi domosdoshmërinë e luftimit shpirtëror kundër mëkatit, kundër së keqes, kundër padrejtësive e çdo gjëje që i kundërvihet planit Hyjnor të dashurisë, e në fund të kësaj beteje, të arrijmë gëzimin e Pashkëve të amshuara, në Mbretërinë Hyjnore. Pra, në jetën tonë shpirtërore, nuk duhet të humbasim kurrë shpresën e nuk duhet të dorëzohemi para vështirësive, para kundërshtive, por t’i qëndrojmë besnik Hyjit deri në fund, në luftimin tonë kundër mëkatit, kundër së keqes. E dimë se jeta nuk është “trëndafil pa gjemba”. E dimë se jo gjithçka është e bukur në jetë. Asnjë formë e jetës nuk është pa vështirësi, pa pengesa, pa dhimbje, pa kryqe. Po mos të harrojmë, Jezu Krishti ka vendosur thellë kryqin e vet në ekzistencën e botës, dhe ne para Tij mbi Kryq, jemi të thirrur të zgjedhim e të vendosim: me Të ose kundër Tij. Nëse shkojmë pas Krishtit e jemi me Të, atëherë duhet ta përqafojmë edhe Kryqin e Tij në cilin e kemi shpëtimin, jetën e përjetshme.
Leximi i parë ( Jer 38,4-6.8-10) përshkruan Jereminë profet të persekutuar sepse ishte kumtues besnik i Fjalës së Zotit. I dënuar padrejtësisht prej bashkëqytetarëve të vet, Jeremia shpëtohet prej vdekjes nga kujdesi e ndërmjetësimi i një të huaji, i një etiopi, i cili arriti të fitonte prej mbretit mundësinë për t’i dhënë akoma kohë për të jetuar.
Psalmi 39-të i kësaj së diele na ofron shembullin e lutjes individuale që lind nga përvoja e kaluar e shpëtimit dhe hapet në një lutje-thirrje plotë besim në Hyjin.
Leximi dytë nga Letra e Hebrenjve (Heb 12,1-4) na paraqet të krishterin të gatshëm për të hyrë në garë në një stadium, mbushur përplot me dëshmitarë e rrëfyestarë të fesë. Prandaj i krishteri zhvishet nga gjithçka që e pengon gjatë vrapimit e duke vështruar, shikuar shembullin e madhërishëm të Jezusit të kryqëzuar e të ngjallur, nuk e humbë shpresën, nuk dorëzohet në garën e në betejën kundër mëkatit, po është përherë i gatshëm të japi edhe gjakun. Letra drejtuar Hebrenjve na fton “të vrapojmë me qëndresë...me shikimin të drejtuar mbi Autorin dhe përkryesin e fesë, Jezusin, i cili, në vend të gëzimit që i takonte, pësoi e duroi kryqin”.
Letra drejtuar Hebrenjve pra na fton të rezistojmë, të qëndrojmë deri në fund të fundit, deri “në derdhjen e gjakut”, për të dëshmuar flakën e dashurisë së Krishtit në botën e mëkatarëve. Edhe ne duhet të vijojmë betejën e përditshme për t’a liruar botën nga padrejtësia e çdo llojit të së keqes e për ndërtuar qytetërimin e vëllazërimit. Për këtë, duhet të pajisemi me armë të përshtatshme feje, dashurie, qëndrese…E sidomos ta mbajmë vështrimin përherë të ngulur mbi Jezu Krishtin. Prej Tij do nxjerrim jo vetëm mësime dashurie e guximi, por edhe bindjen se kryqi nuk është fjala e fundit mbi fatin e njerëzimit, por Ngjallja.
Pjesa ungjillore (Lk 12,49-57) na flet për dëshirën e flaktë të Jezusit për të përballuar mundimet e veta në mënyrë që të ndezi flakën e Shpirtit pastrues e përtëritës. Ungjilli i së dielës pohon se vepra e Jezusit nxit ndër njerëz ndarje e diskriminim në mesin e atyre që janë pro e kundër Tij.
Kështu, në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele marrë nga Luka (Lk 12,49-57) Jezusi vihet porsi shenjë kundërshtimi, element që na nxit të përcaktohemi e të vendosim se çfarë rruge duam të ndjekim në jetë. Jezusi thekson “erdha të sjell zjarrin mbi tokë”. Është zjarri i Shpirtit Shenj, fryt i pagëzimit të kryqit. Për të anuar e për të ecur drejt shpëtimit, edhe ne duhet të vendosemi për të mirën, në çfarëdo situate të jetës qofshim.
Fjala e Zotit i jep domethënie e forcë, eksperiencës së profetit e apostullit. Në kohë të mirë e të keqe, kur fryjën erërat e ndryshimit dhe të stinëve, profumet e ngjyrat: njeriu, me përvojën e tij mijëvjeçare, di të t’i dallojë e të njohë gjithçka: po atëherë, pse është kaq e vështirë për të t’i kuptojë shenjat e Shpirtit, shenjat e pranisë së Zotit që vjen pambarimisht tek ne? Ndoshta, sepse Zoti digjet nga dashuria për njeriun, e ne kemi frikë të digjemi për Të e të tjerët?
Mbretëria e Hyjit është bashkim ndërmjet njerëzve dhe i njerëzve me Hyjin. Përmes Fjalës që Zoti na drejton çdo të diele e në mënyrë të posaçme në këtë të diele, jemi të thirrur para Tij, një herë e përgjithmonë, të vendosim e të përcaktohemi për jetën e vërtetë.
Të zgjedhësh Krishtit e të përcaktohesh për t’iu përmbajtur mësimeve të tija Hyjnore, në një botë të dominuar nga e keqja e nga vlerat kalimtare, shpesh do të thotë t’i krijosh vetes armiq e vështirësi. I krishteri i kapërcen këto konflikte duke besuar dhe duke u mbështetur në forcën e dashurisë që kapërcen çdo vështirësi e pengesë, në forcën e dashurisë që vjen nga Jezu Krishti.

Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë: Jer 38,4-6.8-10
Lexim prej Librit të Jeremisë profet
Atëherë paria i thane mbretit: “Kërkojmë që të vritet ky njeri: me qëllim po ua tret guximin luftëtarëve që qëndrojnë në këtë qytet dhe mbarë popullit duke u thënë fjalë të tilla, sepse ky njeri nuk e kërkon të mirën e këtij populli, por të zezën.”
Mbreti Sedeci tha: “Ja, ai është në duar tuaja; mbreti s`ka sesi t`ju mohojë ndonjë send, sepse edhe ashtu s`ka kurrfarë pushteti në dorë!” Kështu, pra, e morën Jereminë dhe e hodhën në një sternë të Malkisë, birit të Mbretit, që ishte në oborr të burgut. Në sternë Jereminë e lëshuan me litar. Në ubël nuk kishte ujë, por baltë. Kështu Jeremia u zhyt në baltë.
Abdemeleku doli nga pallati mbretëror dhe foli me mbretin. I tha: “Imzot, o mbret, kanë vepruar keq ata njerëz gjithçka që kanë bërë kundër profetit Jeremi: e kanë hedhur në ubël që të vdesë aty prej urisë, sepse në qytet nuk ka më bukë!” Atëherë mbreti i dha Abdemelekut etiopas këtë urdhër: “Merri me vete prej këtu tre burra dhe nxirre profetin Jeremi nga ubla para se të vdesë!” Fjala e Zotit

Psalmi 40
Ref Eja, shpejt, o Zot, e më shpëto
------------------------------------------------
Me shpresë të gjallë shpresova në Zotin
Dhe ai u prir drejt meje,
e vështroi britmën time.
-----------------------------------------------
Ai më nxori nga gropa e mjerimit,
nga gropa plot baltë,
këmbët m`i qiti mbi shkëmb,
dhe m`i bëri të fortë hapat.
------------------------------------------------
Në gojë më vuri një këngë të re,
Himnin e Zotit, Hyjit tonë.
Shumë do të shohin e do të druajnë
Dhe do të shpresojnë në Zotin.
------------------------------------------------

Leximi i dytë: Heb 12,1-4
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Hebrenjve
Vëllezër, të rrethuar me një mori kaq të madhe dëshmitarësh, ta flakim tej çdo barrë dhe mëkatin që na pengon dhe të vrapojmë me qëndrese në luftim që na u caktua, me shikim të drejtuar mbi Autorin dhe Përkryesin e fesë, Jezusin, i cili, në vend të gëzimit që i takonte, duroi kryqin duke e përbuzur turpin dhe ndenj në të djathtën e fronit të Hyjit. Mendoni, pra, atë, që duroi nga ana e mëkatarëve një kundërshtim aq të madh kundër vetes, në mënyrë që ju të mos moliseni dhe të mos ju lëshojë zemra. Ju ende, duke luftuar kundër mëkatit, nuk bêtë qëndresë deri në derdhje të gjakut. Fjala e Zotit

Aleluja!
Hape, o Zot, zemrën tonë
Që t`i pranojmë fjalët e Birit tënd.
Aleluja!

+ Ungjilli Lk 12,49-57
Lexim i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënëseve të vet: “Erdha të sjell zjarrin mbi tokë e sa dëshiroj të ishte tashmë i ndezur flake! E po, më duhet të pagëzohem me pagëzim, e sa ngushtë jam derisa të kryhet! A kujtoni se erdha të sjell paqen mbi tokë? Jo, po ju them por përçarjen!
Qysh tash, për të vërtetë, pesë anëtarë në një shtëpi, do të jenë të ndarë: tre kundër dyve e dy kundër treve: Babai do të zihet me djalë, e djali me babanë, nëna me të bijën, e bija me
t`ëmën, vjehrra me të renë e reja me vjehrrën.” Mandej iu drejtua turmës: „kur shihni renë se çohet në perëndim, përnjëherë thoni: `Do të bjerë shi, dhe ndodh ashtu. Kur shihni se fryn shiroku, thoni: `Do të bëj vapë` dhe bën vapë. Shtiracakë. Dukën e tokës e të qiellit dini ta çmoni, por këtë kohë nuk dini? Përse ju vetë nuk gjykoni vetvetiu ç`është e drejtë?
Fjala e Zotit

Po më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele, mund të dëgjoni këtu programin tonë......RealAudioMP3




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama