HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-08-18 18:52:32
A+ A- Printo artikullin



Në kujtim të motër Franciska Maria Allakut.



Motër Franciska Maria Allaku, në përvjetorin e kalimit në amshim. Si sot, më 18 gusht 1996, ndërroi jetë në Gjakovë, motra Franciska Maria Allaku, rregulltare e Motrave Françeskane të Zojës së Papërlyer. Jeta e saj qe një shembull vërtetë ungjillor për simotrat e saj rregulltare në Kosovë e në Mal të Zi, për besimtarët që e takuan, njohën dhe vlerësuan në bashkësi të ndryshme kishtare nëpër Kosovë, ku motër Franciska Allaku veproi me zell e përkushtim ungjillor.
Dëshmia që la është një fe e gjallë, një përshpirtëri e thellë, një largpamësi dhe zgjuarsi e jashtëzakonshme, një dashamirësi e përzemërsi e natyrshme me kushdo, një mirëkuptim e gatishmëri e pakursyer për çdonjërin që asaj i drejtohej për çfarëdo pune, çështje apo këshilli.
Për Provincën e Motrave Françeskane të Zojës së Papërlyer, motër Franciscka Allaku qe pik referimi, besimi e bashkëpunimi. Për çdo motër rregulltare, çdo besimtarë e person që takonte, motër Franciska Marija Allaku kishte gjithmonë një fjalë të mirë, miqësore, inkurajimi, vlerësimi e shprese.
Po shprese, pse shpresa e saj ishte një Person, të cilin tërë jetën e deshi me zemër e me shpirt, një Person që kurrë për asnjë çast nuk e la të vetëm, as atëherë kur sëmundja e pushtoi me dhimbje të tmerrshme, as atëherë kur e pengoi të mos ecte më me këmbë të saj, të mos ndihmonte e të mos përkëdhelte më me duar të saj, as atëherë kur nuk mundi më me gojë të saj t’u thoshte të tjerëve një fjalë të përzemërt, një fjalë ngushëllimi, inkurajimi, guximi, shprese e dashurie. As në ato çaste të mundimshme që kaloi kohëve të fundit të jetës së saj tokësore, motër Franciska Allaku nuk qe vetëm, pse, siç gjithmonë thoshte, “me mua e me ty, është Jezu Krishti kudo e në çfarëdo situata, në momente të mira e të gëzueshme, në çaste të vështirë e të dhimbshme, prandaj guxim e mos ke frikë pse gjithçka do të përfundojë sipas vullnetit të Zotit”. E vërtetë, tërë jeta e saj qe një himn bekimi e lavdi kënduar Zotit, një mishërim i vullnetit të Hyjit në vepra të jetës së përditshme në shërbim të njerëzve, me përvujtëri, thjeshtësi, qëndresë, dashamirësi, fe, dashuri e shpresë deri në fund, përherë ‘sipas vullnetit të Zotit’. Vdekja e motër Franciska Allaku qe humbje e madhe për Provincën e Motrave Françeskane të Zojës Papërlyer, për Bashkësitë e ndryshme të motrave rregulltare në Kosovë, për familjen dhe vendlindjes e saj, po jeta e saj, ende sot, është shembull për t’u ndjekur për atë që e dëgjon Thirrjen e Zotit, për atë që jeton sipas vullnetit Hyjnor, për atë që me gjeste të vogla e punë të zakonshme në jetën e përditshme, dëshmon se dashuria ndaj Hyjit e të afërmin, vlen më shumë se asgjë tjetër, më shumë se vetë jeta personale. Motër Franciska Maria Allaku qe person me vlera e virtyte të jashtëzakonshme njerëzore e shpirtërore, rregulltare autentike, shqiptare e vërtetë, krenare për atë ishte e kishte, fisnike në shpirt, një jetë e thellë dhe plot dritë kushtuar Zotit e të afërmit. Në këtë ditë përkujtimit të vdekjes së saj, duam të falënderojmë Zotit për të gjithë atë që na dhuroi me e përmes motër Franciska Maria Allakut, me fjalë të lutjes nga liturgjia e shenjtë duam të përfundojmë: “I përjetshëm përkujtimi yt, o motra jonë e paharrueshme e denjë për Lumi të Qiellit.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama