HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-08-18 15:58:58
A+ A- Printo artikullin



Papa: mesazh mitingut të Riminit, pushteti ka frikë nga ata njerëz që dialogojnë me Zotin



Mesha bashkë me mesazhin e Papës hapi edicionin XXXIV të Mitingut të Riminit të Italisë
Me Meshën, kremtuar sot paradite nga ipeshkvi i Riminit, imzot Françesk Lambiazi, gjatë së cilës u lexua mesazhi i dërguar nga Papa Françesku, u hap panairi i XXXIV i Mitingut kushtuar ‘Miqësisë ndërmjet Popujve’, organizuar nga lëvizja kishtare ‘Bashkim e Çlirim”, me temë: “Emergjenca Njeri”. Pasdite kryetari i Këshillit të Ministrave të Republikës italiane, Enriko Leta, ishte protagonist i takimit përurues të Mitingut, që preku, ndërmjet tjerash, edhe temën e integrimit evropian.
Dje, kardinali Tarçizio Bertone, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, i drejtoi ipeshkvit të Riminit një mesazh, me përshëndetjen e ngrohtë të Papës Françseku.
Për Papën, pushteti e dron njeriun, që dialogon me Zotin, sepse kush ka frikë nga Zoti, nuk ka frikë nga pushteti. Pushteti e di mirë se Zoti e bën njeriun plotësisht të lirë.

Bota interesohet për njeriun, Pushteti ekonomik, politik, mediatik ka nevojë për njeriun, që të përjetësohet e të përfryhet. Prej këndej, përpiqet shpesh t’i manipulojë masat, të ndikojë mbi mënyrën e të menduarit të tyre, të shlyejë nga shpirti njerëzor vlerën më të çmuar: lidhjen me Zotin. Pushteti, shkruan Papa në mesazhin drejtuar Mitingut të Riminit 2013, ka frikë nga njerëzit, që dialogojnë vazhdimisht me Zotin, sepse ky dialog i bën të lirë, i mbron nga rreziku i asimilimit, nga rreziku i skllavërisë fizike e shpirtërore. Prej këndej, edhe emergjenca-njeri, vijon Papa Françesku, që Mitingu për Miqësinë ndërmjet Popujve e vë sivjet në qendër të reflektimit. Duhet, shkruan Papa, ta rivlerësojmë shenjtërinë e njeriut e, njëkohësisht, të pohojmë me forcë se vetëm përmes lidhjes me Zotin, domethënë, përmes zbulimit të thirrjes së vet, njeriu mund të kapet në majat më të larta, të meritojë vërtet emrin Njeri. Kisha ka një përgjegjësi të madhe për ta shoqëruar njeriun në këto lartësi. Të shkojmë, prandaj, me guxim, për t’i takuar burrat e gratë e kohës sonë, bën thirrje Françesku, fëmijët e pleqtë, të diturit e të paditurit, të rinjtë e familjet. Ta bëjmë këtë jo vetëm në Kishë e në famulli, por edhe në shkolla, universitete, në vendet ku punojmë, në spitale, burgje, por edhe në rrugë e sheshe, në qendrat sportive e në lokalet, ku grumbullohen njerëzit për një çast prehjeje. Ky është shembulli i Krishtit e, nëse nuk arrijmë ta çojmë Jezusin ndërmjet njerëzve, kemi bërë për ta tepër pak.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama