HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-08-18 16:01:24
A+ A- Printo artikullin



Papa Françesku në Engjëllin e Tënzot u lut për paqen në Egjipt dhe kujtoi se “feja nuk është stoli e nuk pajtohet me dhunën”



Fe nuk do të thotë ta hijeshosh jetën me pakëz besim: janë fjalët e Papës Françesku që, në Lutjen e Engjëllit të Tënzot shpjegoi fragmentin e Ungjillit, në të cilin Jezusi thotë: “Nuk erdha të sjell paqe!”. Ati i Shenjtë nënvizoi sidomos, se “feja është e papajtueshme me dhunën, por edhe se të besosh, nuk do të thotë të mbash qëndrim asnjanës”. Pastaj, një mendim për viktimat e tragetit mbytur në Filipine dhe një lutje të njëzëshme, për paqen në Egjipt.
Feja kërkon të zgjedhësh Zotin si kriter bazë të jetës, e Zoti nuk është i zbrazët, nuk është asnjanës, Zoti është dashuri! Papa Françesku i shkundi ndërgjegjet e të krishterëve, duke pohuar se “Jezusi u kërkon të heqin dorë nga e keqja, nga egoizmi e i fton të zgjedhin të mirën, të vërtetën, drejtësinë, edhe kur kjo kërkon flijime, larg interesave vetjake”. U ndalua tek një shprehje e Jezusit, Papa: “na vë në krizë”, e cila duhet shpjeguar, përndryshe mund të shkaktojë keqkuptime. Jezusi u thotë dishepujve të vet: “Kujtoni se erdha të sjell paqen mbi tokë? Jo, unë po jo them, nuk erdha të sjell paqen, por ndasinë”. E Françesku shpjegon:
“Do të thotë se feja nuk është stoli, ornament. Fe nuk do të thotë ta zbukurosh jetën me pakëz besim, si të ishte tortë, që stoliset me ajkë. Jo! Feja na kërkon ta zgjedhim Zotin si kriter bazë të jetës, e Zoti nuk është i zbrazët, Zoti nuk është asnjanës, Zoti është gjithnjë pozitiv, Zoti është dashuri e dashuria është pozitive”.
Zoti ka fytyrë, ka emër: Zoti është mëshirë, është besnikëri, është jetë, që dhurohet, kujtoi Papa Françesku, e shtoi: Pasi Jezusi erdhi në botë, nuk mund të sillemi si të mos e njihnim, si të ishte diçka abstrakte, e zbrazët, vetëm një emër e asgjë më:
Jezusi është paqja jonë, është pajtimi ynë! Po kjo paqe nuk është paqe varrezash, nuk është asnjanësi. Jezusi nuk sjell asnjanësi. Ta ndjekësh Jezusin, do të thotë të heqësh dorë nga e keqja, nga egoizimi e të zgjedhësh të mirën, të vërtetën, drejtësinë, edhe kur duhet të flijohesh e të heqësh dorë nga interesat vetjake. E kjo shkakton ndasi, e dimë, krijon edhe rrezikun e këputjes së lidhjeve më të forta. Por, kujdes, nuk është Jezusi, Ai që ndan. Krishti cakton kriterin; të jetosh për vetveten ose të jetosh për Zotin e për të tjerët; të shërbesh ose të shërbehesh; t’i bindesh vetvetes ose t’i bindesh Zotit. E ky është edhe kuptimi i shprehjes: ‘Jezusi është shenjë kundërshtie”.
Në vijim Papa Françesku nënvizoi se kjo shembëlltyrë e Ungjillit nuk e lejon, në asnjë rast e në asnjë mënyrë, përdorimin e forcës për mbrojtjen e fesë. Përkundrazi, shpjegoi, forca e vërtetë e të krishterit është forca e së vërtetës, e dashurisë. Kërkon të heqësh dorë nga çdo tip dhune. Feja e dhuna janë të papajtueshme:
Nësa feja e qëndresa shkojnë bashkë. I krishteri nuk është njeri i dhunshëm, por i fortë. E me çfarë force? Me atë të butësisë. Me forcën e ëmbëlsisë e të dashurisë”.
Ati i Shenjtë kujtoi se edhe në farefisin e Jezusit kishte nga ata, që nuk ishin një mendjeje me mënyrën si jetonte e si predikonte Zoti. Na e thotë Ungjilli. Por, në fund, për virtyt të fesë së Marisë, familjarët e Jezusit i gjejmë në radhët e bashkësisë së parë të krishterë.
Më pas Papa i ftoi të gjithë:
T’i lutemi Marisë të na ndihmojë t’i mbajmë sytë ngulur mbi Jezusin e ta ndjekim gjithnjë, edhe kur kjo kushton shtrenjtë”.
Ati i Shenjtë komentoi, në vijim, Letrën drejtuar Hebrenjve, lexuar në Liturgjinë e së dielës, e cila i inkurajon besimtarët t’i kenë gjithnjë sytë të ngulur mbi Krishtin, duke sqaruar se këtë shprehje duhet ta nënvizojmë fort gjatë Vitit të Fesë. T’i mbajmë sytë ngulur mbi Jezusin, sepse feja, që është ‘po’-ja jonë në lidhjen bijnore me Zotin, vjen nga Ai: është Ai, i vetmi krijues i kësaj lidhjeje ndërmjet nesh e Atit tonë, që është në qiell: Jezusi është Biri i Hyjit, e ne jemi bij në Të.
Pas lutjes mariane, Papa Françesku theksoi përsëri se feja nuk është stoli; i porositi besimtarët të kujtojnë se feja është qëndresë, është forcë e shpirtit, jo e shpatës.
Pastaj një mendim për viktimat e ndeshjes së një trageti me një anije mallrash në detin e Filipineve. E edhe një lutje e re për paqen në Egjipt, duke i ftuar të gjithë besimtarët të bashkojnë zërin me zërin e Atit të Shenjtë:
“Të vijomë të lutemi edhe për paqen në Egjipt, gjithë së bashku: Mari, Mbretëreshë e paqes, lutu për ne. Të gjithë: Mari, Mbretëreshë e paqes, lutu për ne!”.
Lutja e së dielës përfundoi me një përshëndetje të përzemërt, drejtuar romakëve e shtegtarëve, familjeve, grupeve famullitare, të rinjve, grupit folkloristik polak, ardhur nga Edmontoni i Kanadasë.
Një përshendetje e veçantë, të rinjve të Brembilës, pranë Bergamos e pastaj, bekimi i Pishtarit, që do ta çojnë , duke ecur në këmbë, nga Roma, në vendin e tyre. Në fund, përshëndetja të rinjve të Altamurës e:
“Të gjithëve, urimi për një të dielë, javë e drekë të këndshme”.

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot ishte i pranishëm edhe don Arjani, meshtar i ri shqiptar, që shërben në Laç të Vaut të Dejës. Në mikrofonin tonë, flet për mbresat, që i lanë fjalët e Papës, duke nënvizuar se duhet të bashkojmë zërat në lutjen drejtuar Marisë për paqen e të mos harrojmë se feja e dhuna nuk mund të pajtohen kurrë, porosi me vlerë tejet aktuale për shqiptarët:...RealAudioMP3




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama