HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-08-18 17:13:08
A+ A- Printo artikullin



Shën Flori e Lauri, martirë nga Ulpiana e Dardanisë



Duke shfletuar kalendarin kishtar e kombëtar, më 18 gusht, dëgjues të nderuar po përkujtojmë festën e martirëve shën Florit e Laurit, vëllezër binjakë nga Ulpiana e krahinës së Dardanisë.
Dy vëllezërit Flori e Lauri ishin gurgdhendës të njohur e të vlerësuar nga autoritetet e kohës së perandorit romak Adrianit. Qenë nxënës të Prokolit e të Maksimos, martirë. Pas vdekjes së këtyre për shkak të fesë në Krishtin, Flori e Lauri nga Bizanti u transferuan në Iliri, në qytetin Ulpiana, në krahinën e Dardanisë, ku punuan në minierën gurore Pretoriane të Perandorisë Romake, për llogari të Likonit guvernator.
Krahas punës së tyre e përkujdesimit për të varfrit, i luteshin panderprerje Jezusit Zot, duke mohuar e refuzuar kultin e idhujve që obligonin perandorët romakë.
Për shkak të dëshmisë së fesë së tyre në Krishtin, predikimit të ungjillit e përhapjes së fesë së krishterë, Flori e Lauri u arrestuan, u burgosen, u torturuan e më vonë, me urdhër të guvernatorit të krahinës së Dardanisë, prokonsullit Likone, i groposën për së gjalli.
Menjëherë pas martirizimit të tyre, besimtarët e krishterë, të kohës shkonin tek vendi i varrit të tyre për t’iu lutur Zotit dhe me ndërmjetësimin e shën Florit e Laurit kërkonin hire e bekime Hyjnore .
Kulti në nderim të tyre u përhapë shumë shpjet në të gjitha Kishat lindore, e jeta e dëshmia e tyre për Krishtin, u përhapën ndër besimtarë, aq sa u bënë shembuj të jetës së përsosur të krishterë. Shën Flori e Lauri jetuan në një botë pagane, e janë shembull për ne, pse ata nuk e flijuan fenë e tyre për të arritur suksese materiale e poste të rëndësishme në shoqëri. Flijuan gjithçka e përballuan gjithfarë persekutimesh, shpifjesh, torturash, deri në flijimin e jetës, për të arritur të mirën e vetme që është Jezu Krishti.
Prandaj, shembulli i tyre është mësim e nxitje edhe për ne sot, që t’i përmbahemi vlerave të vërteta, njerëzore e shpirtërore.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama