HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kultura dhe shoqëria >  2013-08-19 13:44:53
A+ A- Printo artikullin



Blez Paskal, matematikan, fizikan, filozof e teolog



Sot me 19 gusht përkujtojmë vdekjen e Blez Paskal, matematikan, fizikan, filozof e teolog. Që kur ishte i vogël, Blez Paskal dëshironte të dinte gjithçka, të kuptonte gjithçka, të zbulonte gjithçka e të vërtetonte gjithçka, duke përfshirë këtu edhe Zotin. Për t’u dëfryer e pa ndihmën e askujt, përcaktoi shumën e këndeve të trekëndëshit. Fëmijë i mrekullueshëm! Mungesa e së ëmës ndikoi fuqimisht mbi jetën e tij: ngrohtësinë e prehrit të dashur, që i mungonte, u mundua ta zëvendësojë duke shfrytëzuar në kulm zgjuarsinë, me të cilën ishte i pajisur si moskush. E me që kjo zgjuarsi ishte tepër e madhe, nisi të mendonte se mund t’i zgjidhte lehtësisht të gjitha problemet.
E ai problemet i adhuronte. Nisi t’i bëjë të jatit aq shumë pyetje, sa ai, duke mos qenë në gjendje t’i përgjigjej, e lejoi të lexojë gjithçka dëshironte në bibliotekën e madhe të familjes. I emëruar nga mbreti komisar i taksave për gjithë Normandinë, babai i tij, Etien Paskal, e kalonte kohën duke bërë llogari, duke numëruar e stërnumëruar shtylla të pafundme numrash.
Blezi e dëgjonte shpesh duke nëmuruar, sepse mbledhjet, zbritjet, shumëzimet e pjesëtimet nuk i dilnin kurrë të sakta. Si t’ia bënte për ta ndihmuar? Blezi projektoi një makinë llogaritëse dhe e realizoi në praktikë. Makina funksionoi! Kështu ai prodhoi pesëdhjetë copë. Pak kohë më vonë i jati, pas një rrëzimi, u detyrua të qëndrojë në krevat. Miqtë e vizitojnë e i sjellin gjithnjë libra për të lexuar. Blezi i shfleton e krijon një ide të re për Zotin, krejt të ndryshme nga ajo që kishte deri në atë çast: zbulon se Zoti është i ndjeshëm, se i pranon me gëzim lutjet e njerëzve.
Blezi vijon me etje të pashuar kërkimet e veta. Bën eksperimente të ndryshme që dëshmojnë trysninë e ajrit… Pastaj i jati vdes e për një farë kohe djaloshi ndjek jetën e salloneve mondane. Mendon, madje, edhe të martohet. Por kjo nuk e bën aspak të lumtur. Përkundrazi. Ndjehet fare i mjerë. Pastaj, edhe i sëmurë. Që në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare i nis një sëmundje e çuditshme: kriza me akullimin e këmbëve e me dhimbje të forta koke. E ndjen veten si të ishte buzë një gremine, gati për t’u rrokullisur në fundin e saj të errët. Këtyre trazirave të tmerrshme, i shtohet një edhe më e madhe: nuk ia del dot mbanesh të vërtetojë ekzistencën e Zotit.
Nata e 23 nëntorit 1654 shënon për të një kthesë tepër të madhe: Blezi e kupton se ekzistenca e Zotit nuk mund të vërtetohet duke përdorur kryesisht arsyen. Është Zoti vetë ai që e bën hapin e parë. Është ai që i dhurohet njeriut. Hyji i Biblës, i zbuluar nga Jezusi, nuk është Hyj i largët, i fshehur në pafundësinë e hapësirës, por Hyj i afërt, që mund të njihet me zemër, që gjendet në zemër të vetë jetës. Kjo përvojë e Hyjit e shndriti, e bëri të rilindë. Gëzimi i tij ishte i pakufishëm; ky, po ishte zbulimi më i madh i jetës së tij e zanafillë e dy veprave të mrekullueshme: ‘Lettres provinciales’ (Letrat provinciale) e Pensées (Mendime). Blez Paskal, matematikan, fizikan e filozof, vdes më 19 gusht të në vitin 1662, duke lënë pas një trashëgimi të tillë fetare e shkencore, që e bën emrin e tij të pavdekshëm.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama