HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-08-19 13:28:26
A+ A- Printo artikullin



Imzot Golta: digjen 58 kisha në Egjipt, por shumica e myslimanëve i mbështet të krishterët



Janë të paktën 58, Kisha, që u sulmuan e u dogjën këto ditë në Egjipt. Njoftimin ia jep Agjencisë Fides atë Rafik Graihe, zëdhënës i ipeshkvijve katolikë të Egjiptit. Nga 58 Kishat e sulmuara, 14 janë katolike, të tjerat u përkasin bashkësive kopto-ortodokse, greko-ortodokse, anglikane e protestante, saktëson atë Graihe. “Sulmet kundër kishave u vërejtën nga pak në të katër anët e vendit, por në mënyrë të posaçme, në zonat e Al Minia e Asiut, sepse atje ndodhet shtabi i përgjithshëm i xhihadistëve, autorë të gjithë kësaj dhune”, saktëson atë Graihe. Duhet nënvizuar, shton meshtari, se myslimanët, që banojnë pranë kishave, i ndihmuan rregulltarët e rregulltaret t’i shuajnë zjarret e ndërtesave të kultit. “Kjo nuk është luftë civile ndërmjet myslimanëve të krishterëve” sqaron atë Graihe. Nuk është luftë civile, por luftë kundër terrorizmit. E shumica e popullsisë është kundër terrorizmit dhe fanatizmit fetar”. Ndërkaq vijojnë të vihen në shënjestër edhe shtëpitë, shkollat, manastiret e dyqanet e të krishterëve, nga Suezi në Minia, nga Sohagu në Asiut. Lidhur me këtë situatë, aspak të qetë e shumë tragjike, flet, në mikrofonin tonë, vikari patriarkal i koptëve të Aleksandrisë, imzot Juhana Golta:

Përgjigje: Si të krishterët, ashtu edhe myslimanët në Egjipt, persekutohen nga Vëllezërit Myslimanë. Ata djegin kisha, shkolla, institucione, muzeume, pa bërë kurrfarë dallimi. Nuk jemi, prandaj, para një problemi kristian a mysliman, por egjiptian: gjithçka po ndodh, është kundër popullit egjiptian, kundër të krishterëve e myslimanëve. Gjithsesi vëllezërit myslimanë përfitojnë nga ligështia e pakicës së krishterë, për të ngacmuar, për të krijuar konflikte, për të vrarë. Dogjën 58 Kisha, qindra dyqane të të krishetrëve, por miqtë tanë myslimanë, domethënë, shumica e myslimanëve, i ndihmon e i mbështet të krishterët.

Pyetje: - A kërkoni vëmendje të posaçme për bashkësinë e krishterë?

Përgjigje: - Absolutisht jo! Ne jetojmë pranë e pranë. Egjipti nuk është vend, që duhet ndarë. Nuk ka rrugë, nuk ka ndërtesë, nuk ka qytet vetëm për myslimanët ose për të krishterët. Pranë e pranë Universitetit islamik al-Azhar ka shumë dyqane të krishterësh; pranë katedrales së Kairos, jetojnë shumë myslimanë. Egjipti është vend, që nuk pranon ndarje: SHBA nuk e kanë kuptuar këtë, e as Bashkimi Evropian. Vendet perëndimore marrin lajme të rreme, informacione të shtrembëra e të gabuara.

Për situatën në Egjipt, flet, në mikrofonin tonë, edhe ipeshkvi i Gizës, imzot Antonius Aziz Mina:

Përgjigje: - Shqetësimi është i madh. I gjithë populli është i bashkuar, përveç Vëllezërve Myslimanë, që qeverisën për një vit, duke shprehur në të gjitha mënyrat më të keqen, që mund të shprehej. Statistikat flasin e thonë se anëtarët e grupit nuk janë më shumë se 700 mijë vetë. Tani po na del se janë të lidhur me Al Kaedën, organizatën e mirënjohur terroriste, e edhe me Hamasin, që nuk kanë kurrfarë interesi as për vendin, as për egjiptianët, madje nuk u intereson askush. Interesohen vetëm për Vëllezërit Myslimanë. Këto ditë u dogjën dhjetra kisha. Mendojnë se, në këtë mënyrë, të krishterët do të hyjnë në konflikt me qeverinë e me ushtrinë. Duana thjesht të mbjellin farën e çrregullimit në vend. Por të krishterët janë të vedijshëm se duhet paguar haraç, për t’i izoluar këto fraksione, që nuk kanë as forcë, as përvojë politike. E vetmja forcë, që kanë, është ajo terroriste.

Pyetje: - Cili është filli, që i bashkon të krishterët?

Përgjigje: - Jemi të bashkuar në Krishtin, në lutje. Në vende të ndryshme gjendja e të krishterëve është e ndryshme. Nuk mund të krahasohet gjendja e të krishterëve në Liban, me atë të të krishterëve në Egjipt, në Irak, në Siri. Gjendja ndryshon sipas vendit. Në Egjipt ka një prani të madhe të krishterë, edhe pse jo katolike. Por kjo prani kristiane-katolike, ortodokse, protestante, është e bashkuar. Të krishterët kanë gjithnjë të njëjtin qëndrim; e sot i dëgjojmë duke folur me një zë të vetëm e duke i thënë ‘jo’ terrorizmit, ‘jo’ dhunës!” e kjo ‘jo’, është thellësisht paqësore.

Pyetje: - Ju po na flisni për një vend, që nuk është i përçarë, nuk është vëllavrasës, por, mendojmë, se bota myslimane zjen e në gjirin e saj nuk mungon kontrasti...

Përgjigje: - Shihet se në këtë mes ka interesa – guxoj të them – ndërkombëtare, që i mbështesin këto Vëllezër Myslimanë. E vërteta ka njëmijë fytyra. Deri më sot Egjipti ishte ekulibri i gjithë Lindjes së Mesme. Nuk e di kush është i interesuar ta shkatërrojë.

Pyetje: - Si do t’i përgjigjeshit atij, që do t’ju fliste për një Egjipt buzë greminës së luftës civile?

Përgjigje: - Nuk ka luftë civile! Flitet për luftë civile, kur ka dy fraksione të dalluara mirë. Nëse këto fraksione manifestojnë paqësisht, askush nuk do të ngrinte zërin. Por në vend të njerëzve, që manifestojnë paqësisht, shikojmë njerëz që djegin, toturojnë vrasin, shkatërrojnë ... Por kjo nuk është luftë civile.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama