HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-08-19 17:19:19
A+ A- Printo artikullin



Tweet i Papës: Jezusi është i pranishëm në gjithçka bëjmë; jo të krishterëve part-time



Një tweet i ri i Papës në faqen e internetit @pontifex: “Nuk mund të jemi të krishterë part-time, shkruan Papa. Nëse Krishti është në qendër të jetës sonë, është i pranishëm në të gjitha gjërat, që bëjmë”.
Papa ua ka kujtuar disa herë besimtarëve këtë të vërtetë.
E kujtoi gjatë Lutjeve mbrëmësore të DBR-së në Kopakabana, më 27 korrikun e kaluar, duke i ftuar të rinjtë të jenë tokë e mirë, jo të krishterë part-time, jo të ‘kollarisur’, jo mësalla me dy faqe, por njerëz të vërtetë, të cilët nuk jetojnë duke ëndërruar lirinë, që të bën skllav të modave e të interesave të çastit. Duhet të synojmë lart, i porositi Papa, të zgjedhim përfundimisht rrugë, që i japin kuptim të plotë jetës. Jezusi është “rruga, e vërteta, jeta”(Gjn 14,6).
E kujtoi këtë edhe në Meshën, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, më 6 korrik:
Të jesh i krishterë do të thotë ta lësh Jezusin të të përtërijë në këtë jetë të re. Unë jam i krishterë i mirë, të gjitha të dielat, nga ora 11 deri në mesditë, shkoj në Meshë e bëj këtë e bëj atë… Si të ishte ndonjë koleksion. Po jeta e krishterë nuk është kolazh sendesh. Është tërësi plot harmoni, krijesë e Shpirtit Shenjt. Përtërin gjithçka: përtërin zemrën tonë, jetën tonë e na bën të jetojmë me një stil tjetër, që e pushton gjithë jetën. Nuk mund të jesh i krishterë pjesërisht. I krishterë part-time nuk shkon! Duhet të jesh me gjithsejt, krejtësisht, gjithë kohën. Këtë përtëritje e bën Shpirti Shenjt. Të jesh i krishterë, në fund, nuk do të thotë të bësh gjëra, por ta lësh Shpirtin Shenjt të të përtërijë, ose, për të përdorur fjalët e Jezusit, të bëhesh verë e re”.
Të krishterët part-time, pohon Papa, nuk kanë etje për ta kumtuar Krishtitn. Ndoshta kanë dëshirë të flasin për Jezusin, por pa e prishur shumë terezinë:“Ka edhe të krishterë salloni, apo jo? Ata, të edukuarit, që dinë të bëjnë gjithçka, por nuk dinë të bëhen bij të Kishës me kumtimin e zellin e duhur apostolik. Sot mund t’i kërkojmë Shpirtit Shenjt të na e japë të gjithëve këtë zell apostolik, të na japë edhe hirin t’i trazojmë gjërat, që janë tepër të qeta në Kishë; hirin të shkojmë drejt skutave të jetës. Shumë nevojë ka Kisha për këtë! E jo vetëm në trojet e largëta, në kishat e reja, në popujt, që nuk e njohin ende Jezu Krishtin, por këtu, në qytet, në qytetin tonë, njerëzit kanë nevojë për këtë kumtim të Krishtit. Prandaj t’ia lypin Shpirtit Shenjt hirin e zellit apostolik, t’i lutemi të na bëjë të krishterë gjithë zell apostolik. E nëse besdisim ndokënd, bekuar qoftë Zoti!” (Mesha në Shtëpinë e Shën Martës, 16 maj 2013).




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama