HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-08-21 14:01:17
A+ A- Printo artikullin



Cikël reflektimesh kushtuar Katekizmit të Kishës Katolike: Transmetimi i Zbulesës-tradita



Reflektimi i 7-të i jezuitit atë Dariush Kovalçik, kushtuar Katekizmit të Ri të Kishës Katolike, shtjellon një temë tejet të rëndësishme për fenë e besimtarit: lidhjen e ngushtë ndërmjet Zbulesës e Traditës Kishtare.

Të krishterët besojnë se Hyji, i zbuluar në Vetjen e Jezu Krishtit, “dëshiron që të gjithë njerëzit të shëlbohen e të arrijnë në njohjen e së vërtetës” (1Tm 2,4). Është e nevojshme, prandaj, që mesazhi i Jezusit t’u përcillet të gjitha breznive, në të gjitha kohët.

Katekizmi kujton se shpallja e Ungjillit u realizua në dy mënyra: me gojë e me shkrim; përmes predikimit të Apostujve e shkrimeve të frymëzuara nga Shpirti Shenjt, që formojnë Biblën. Duhet kujtuar se predikimi i parapriu Shkrimit Shenjt, megjithëse gjeti në të shprehjen e përkryer, “normën më të lartë të fesë”.

Predikimin apostolik e vijuan, në rrjedhë shekujsh, ipeshkvijtë dhe bashkëpunëtorët e tyre. Në numrin 78 të Katekizmit lexojmë se “ky transmetim i gjallë…u quajt Traditë, sepse dallohet nga Shkrimi Shenjt, ndonëse lidhet ngushtë me të”. Përmes Traditës Kishtare Hyji vijon të flasë me Nusen e Birit të vet, domethënë, me Kishën, ndërsa Shpirti Shenjt u prin besimtarëve drejt së vërtetës në tërësinë e saj.

Nga Tradita Kishtare, që vjen prej Apostujve e transmeton çka morën nga Krishti, dallohen “traditat” devocionale ose disiplinore, lindur në rrjedhë kohe në Kishat vendase. Përmes kësaj tradite, që po e quajmë ‘e vogël’, shprehet Tradita e madhe, në përshtatje me kulturat dhe epokat e ndryshme. Traditat – lexojmë në Katekizëm – “mund të ruhen, të modifikohen ose të braktisen, nën udhëheqjen e Magjisterit të Kishës”(KKK 83).
T’i ruajmë, prandaj, traditat e devocionet e ndryshme fetare, përderisa të na ndihmojnë në fenë tonë, por duke u kujdesur që të mos e zbehin kurrë Traditën Kishtare Apostolike.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama