HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-08-22 13:40:33
A+ A- Printo artikullin



Çelësi i fjalëve të Kishës: Dekreti konciliar “Presbyterorum ordinis”



Vazhdon udhëtimi ynë nëpër dokumentet e Koncilit II të Vatikanit, 50-vjetori i të cilit qe një nga arsyet e shpalljes së Vitit të Fesë nga Papa i nderit Benedikti XVI. Sot, do t’ju njohim me dekretin “Presbyterorum ordinis”, që flet për shërbimin e jetën meshtarake.
I miratuar me 2390 vota pro e 4 kundër, dekreti u nënshkrua nga Papa Pali VI më 7 dhjetor 1965. Titulli “Presbyterorum ordinis”, nga latinishtja, do të thotë: urdhëri i meshtarëve, apo urdhëri meshtarak e si gjithnjë, është marrë nga fjalët e para të tekstit.
Ikona e Abrahamit u propozohet të gjithë meshtarëve si shembull për t’u ndjekur, pasi me fe, ai iu bind urdhërit të Zotit për t’u nisur drejt vendit të caktuar nga Hyji, pa e ditur se ku do të shkonte. Në këtë ikonë, Koncili deshi të përmbledhë krejt identitetin e meshtarit, që përvijohet pastaj përmes disa pikave si: meshtari është bashkëpunëtor i urdhërit ipeshkvnor, siç thuhet në kapitullin II; është njeri që jeton si vëlla në mes të vëllezërve; është dëshmitar i një jete të ndryshme nga ajo tokësore, por nuk është i huaj për ambientin e njerëzve të tjerë; është njeri i pajisur para së gjithash, me virtyte njerëzore të larta, por është sidomos “mjet i Krishtit”(12) dhe “edukator i fesë”(13). Pra, në vazhdën e Abrahamit, meshtari e lëshon veten plotësisht në duart e Zotit, rrethohet nga brishtësia njerëzore, por përshkohet nga Hiri hyjnor.
Dekreti duhet lexuar në dritën e kushtetutës “Lumen gentium”, e cila nuk flet për një kishë hierarkike, të përbërë nga papa, ipeshkvijtë, meshtarët e laikët, por për një kishë të konceptuar si “popull i Zotit”, për të cilin i jepet rëndësi pagëzimit, që bashkon të gjithë të krishterët. Pikënisja, edhe për “Presbyterorum ordinis”, është meshtaria e përbashkët e të gjithë besimtarëve, pavarësisht se sqarohet se Zoti, duke i dashur të gjithë besimtarët të bashkuar në një korp të vetëm, ku gjymtyrët nuk kanë të njëjtin funksion, zgjodhi disa prej tyre si ministra të vet, shërbëtorë të grigjës së Tij. Këtyre u dha pushtetin e shenjtë për të ofruar fli e për të falur mëkatet, në emër të Krishtit. Megjithëse të dalluara nga njëra-tjetra, theksohet në dekret, dy llojet e meshtarisë nuk janë të ndara.
“Presbyterorum ordinis” shpjegon: “Përmes shërbimit të presbiterëve flija shpirtërore e besimtarëve përsoset, sepse bashkohet me flinë e Krishtit, të vetmit Ndërmjetës; vërtet, kjo fli, përmes meshtarëve e në emër të gjithë Kishës, ofrohet në Eukaristi në mënyrë sakramentore, deri në ditën e ardhjes së Zotit”(2). Dekreti shpjegon edhe karakterin e meshtarëve, kur thotë se “për virtyt të vojimit nga Shpirti Shenjt, atyre u jepet një karakter i veçantë, që i modelon sipas Krishtit meshtar, në mënyrë që të mund të veprojnë në emrin e në personin e Krishtit, kryetar”. Qëllimi i jetës së meshtarëve është “lavdia e Hyjit Atë në Krishtin”, që të ketë “një vathë të vetme e një bari të vetëm”.
Për t’ia arritur këtij qëllimi, vazhdon dekreti konciliar, janë të rëndësishme virtytet, që vlerësohen në shoqëri, si mirësia, sinqeriteti, qëndrueshmëria e shpirtit, kujdesi i vazhdueshëm për drejtësinë, dashamirësia e të gjitha virtytet e tjera. “Presbyterorum ordinis” përvijon detyrat e meshtarit, i cili u mëson njerëzve të Vërtetat e Ungjillit e nuk përhap në popull dijen e vet. Detyrë tjetër e meshtarit është mbarështimi i Sakramenteve, por edhe udhëheqja shpirtërore e besimtarëve, duke i kushtuar vëmendjen më të madhe kujdesit për të varfërit, përfituesit e parë të Lajmit të Mirë të Krishtit. Më tej, prifti është i thirrur të punojë për ta mbajtur të bashkuar grigjën e besimtarëve, për të promovuar dinjitetin e laikëve, duke bashkëpunuar me ta e, për të bashkëpunuar me ipeshkvin, gjatë gjithë jetës së tij meshtarake. Ipeshkvijtë, shkruhet në dekret, t’i kenë meshtarët si vëllezër e miq(7) e të punojnë për formimin e shenjtërimin e tyre. Në numrin 9 të dekretit, theksohet se meshtarët janë “etër dhe mësues” për laikët, me të cilët janë edhe “vëllezër ndër vëllezërit”.
Edhe vetë meshtarët, këshillon dekreti konciliar “Presbyterorum ordinis”, duhet të bashkëpunojnë vëllazërisht ndërmjet tyre. Të moshuarit duhet të ndihmojnë të rinjtë e anasjelltas. E të gjithë së bashku duhet edhe të synojnë përsosurinë, duke pasur parasysh se është Krishti, që jeton në ta. Jeta e tyre baritore, shkruhet në dekret, duhet të harmonizohet me jetën e brendshme shpirtërore, duke çuar në realizimin e atij “dhurimi të plotë të vetvetes për Kishën e Krishtit”, që duhet të jetë qëllimi i çdo meshtari. Sakramentet janë edhe për meshtarët udha kryesore e shenjtërimit të jetës.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama