HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Politika >  2013-08-22 16:46:11
A+ A- Printo artikullin



Hija e armëve kimike në konfliktin sirian. Imzot Tomazi: po dialogut, por jo ndërhyrje të armatosur



Rëndohet e rrezikon të përhapet kriza siriane, pas imazheve të tmerrshme, që erdhën dje nga vendi e që dëshmojnë mundësinë e përdorimit të armëve kimike kundër civilëve të pafajshëm.
Po deri tani nuk ekziston asnjë konfirmim i pavarur i akuzës së përdorimit të gazit vdekjeprurës për çka është akuzuar dje ushtrisë siriane nga opozita, sipas së cilës, bombardimet me armë kimike ka shkaktuar vdekjen e 1300 personave në afërsi të Damaskut. Mbi këtë ngjarje, përgënjeshtruar në mënyrë të prerë nga qeveria e Bashar Al Assadit, është thirrur urgjentisht Këshilli i Sigurimit të OKB-së, si konfirmim i shqetësimit të madh që ka bërë në botë akuza shoqëruar me përhapje filmike në internet me pamje rrenqethëse e dramatike të viktimave, përfshi fëmijët e gratë, edhepse nuk ekzistojnë prova të dokumentuara as mbi shkaqet e as mbi vendosjen kohore të vdekjes së tyre. Këshilli i Sigurimit ka kërkuar “sqarime”, ndërkohë e gjithë bota i ka drejtuar sytë nga ekspertët e OKB-së, me shpresën se hetimet e tyre në vend, do t’i davarisin dyshimet një herë e mirë. Në rast se verifikohet përdorimi i gazit vdekjeprurës, bashkësia ndërkombëtare premton të ndërhyjë më me forcë, pavarësisht se tani për tani, nuk bëhet fjalë për disllokimin e ushtarëve në terren. Të dëgjojmë Vëzhguesin e përhershëm të Selisë së Shenjtë në selinë e OKB-së në Gjenevë, imzot Silvano Maria Tomazi:
Bashkësia ndërkombëtare, me të drejtë, po shqetësohet për zhvillimet e fundit në Siri, që kanë shkaktuar dhjetra e dhjetra viktima. Pika e parë për t’u vënë në dukje më duket se është ajo ç’ka nënvizuar edhe Ati i Shenjtë, pra, duhet thënë se dhuna nuk sjell asnjë zgjidhje, prandaj duhet rifilluar dialogu për të mbërritur në mbledhjen Gjeneva 2, ku të jenë të pranishëm të gjithë anëtarët e shoqërisë siriane, të cilët duhet të shpjegojnë arsyet e tyre e së bashku, të krijojnë një lloj qeverie tranzicioni. Për arritjen e këtij objektivi nuk mund të vihen kushte, që e bëjnë faktikisht të pamundur nismën, si për shembull, përjashtimi i njërit, apo tjetrit grup. Gjithashtu, nuk u duhet dërguar armë as opozitës e as qeverisë, sepse kështu nuk mund të arrihet paqja. Pastaj, më duket se për të arritur në zgjidhjen e drejtë duhet shmangur interpretimi i pjesshëm i realitetit të Sirisë e të Lindjes së Mesme, në përgjithësi. Kam përshtypjen se shtypi dhe mjetet e mëdha të komunikimit nuk i marrin parasysh të gjitha aspektet, që e krijojnë këtë situatë dhune e konflikti të vazhdueshëm. Pamë në Egjipt rastin e Vëllezërve Myslimanë, mbështetja pa kushte e të cilëve solli sërish dhunë. Ka interesa të dukshme: janë ata, që duan një qeveri sunite në Siri e ata, që duan ta ruajnë pjesëmarrjen në pushtet të pakicave. Prandaj, duhet të nisemi nga koncepti i qytetarisë, të respektojmë çdo qytetar të atij vendi e pastaj, t’u japim mundësinë identiteteve të ndryshme fetare, etnike e politike të zhvillohen me dialog.
Në Siri po flitet për përdorimin e armëve kimike, megjithëse Damasku përgënjeshtron kategorikisht…
Nuk duhet të shpejtohemi në gjykime, pa pasur prova të mjaftueshme. Bashkësia ndërkombëtare, përmes vëzhguesve të OKB-së, që ndodhen në Siri, mund të hedhë dritë mbi këtë tragjedi të re. Sipas meje, nuk mund të nisemi me një paragjykim të formuar, duke thënë se ky apo ai janë përgjegjës. Duhet ta sqarojmë faktin, edhe pse nga pikpamja e interesave të çastit, qeverisë së Damaskut nuk i shërben kjo tragjedi, duke e ditur se do të fajësohet drejtpërdrejt. Si në rastin e hetimeve për një vrasje, duhet të bëjmë pyetjen: kujt i intereson vërtet një krim kaq çnjerëzor?
Dikush flet për ndërhyrje të armatosur nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, nëse vërtetohet përdorimi i armëve kimike…
Përvoja e ndërhyrjeve të tilla në Lindjen e Mesme, në Irak, në Afganistan, tregon se rruga e ndërhyrjes me armë nuk sjell asnjë rezultat të dobishëm. Mbetet i vlefshëm parimi: me luftë humbet gjithçka.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama