HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-08-22 16:49:16
A+ A- Printo artikullin



Osservatore Romano: Kard. Maradiaga, gjurmët e dritës së Papës Françeskut



“Gjurmët e dritës” së Papës Françeskut, gjurmët e “mirësisë”, të shpirtit ungjillor” që Ati i Shenjtë “lë me gjestet e tij e me fjalët e tij”: kështu me pak fjalë mund të përmblidhet përmbajtja e librit të mons. Michele Giulio Masciarellit “Papa i afërt. Françesku e aroma e deleve, populli e dhembshuria e barinjve”. Këtë pohon kardinali Oscar Andrea Rodriguez Maradiaga, kryeipeshkëv i Tegucigalpa-s (Honduras) në paraqitje të vëllimit, shkrim të cilin gazeta e Vatikanit ‘L’Osservatore Romano’ e boton gati të plotë.
Nata e 13 marsit 2013, shkruan kardinali Maradiaga “do të mbetët në mënyrë të pashlyeshme e skalitur thellë në zemra të të gjithë atyre që si ne qenë dëshmitarë të mëshirës së pakufishme të Zotit, që na ka premtuar se ‘nuk do të ju lë vetëm’; në personin e Jorge Mario Bergoglio-s, sot Papa Françesku, qe ripohuar kjo bindje e kjo siguri që Kisha e ka përjetuar gjatë njëzetë shekujve të historisë së saj. Atë natë Kisha tregoi para botës një gjallëri të papritur”. “Të gjithë e perceptuam ekzistencën e një ajri të freskët, të ri, frymën e Shpirtit Shenjt që nuk e kishte braktisur Kishën e vet, e që atë natë na bëri ta thithnim në mënyrë të plotë me mushkëri tona, na bëri të nuhatnim madhështinë e atij, që duke u ndjerë i vogël, mbështetej pa rezerva në duar të Zotit për ta nisur shërbimin e madh në Kishë për Mbretërinë Hyjnore”, vijon kardinali duke nënvizuar se si Papa Bergoglio na bënë të gjithëve të ndjehemi më shumë të lidhur me Kishën: “Po të mendonim mirë – shkruan Maradiaga – duhet të pranojmë se Papa nuk na thotë asgjë të re, por di të na thotë në një mënyrë të re aq sa na prek brenda thellë: forca e gjesteve të tij dhe e fjalëve tij na tregojnë se si ajo që besojmë nuk është diçka thjesht celebrale, feja nuk mbyllet brenda kufijve të konceptimit të thjeshtë, po e përshkon jetën në tërësi”.
“Kush, si unë, e ka njohur mirë Jorge Mario Bergoglion para se të zgjidhej nga Provania Hyjnore për zhvillimin e shërbimit të ipeshkvit të Romës, e di se Zoti nuk gabon kurrë e se na ka dhënë Atin e Shenjtë për të cilin kishim nevojë”. E kardinali Maradiaga në vijim nënvizon: për shumëkënd, Papa Françesku “ishte një person krejtësisht i panjohur e shumë tentuan të shpjegonin misterin që e rrethonte këtë Papë, ardhur ‘nga fundi i botës’”. Për të “është shkruar edhe diçka legjendare” e përshtypja, shton kryeipeshkvi i Tegucigalpas, është se vet Papa është i pari që mbeti i befasuar, se “nuk e priste një emërim nga mëshira e Zotit e, megjithë nderin e madh që mori, vazhdon të jetë po ai që gjithmonë ka qenë. Nuk ka asgjë për t’u deshifruar; duhet vetëm të zbulojmë atë që Papa i ri dëshiron të jetë, do të thotë transparencë e Hirit të Zotit që vepron në të e që përmes gjesteve të tij e fjalëve të tij na shfaqet” të gjithëve. Nga këtu libri zbulon gjurmët e dritës së Papës Françeskut, i cili na dëshmon se si, përfundon Maradiaga, duke ecur “gjurmëve të Koncilit të II të Vatikanit, që është pik themelore e ndritur dhe e sigurt e gjesteve dhe fjalëve të Papës Françeskut, mund të gjejmë një Kishë me atë vetëdije se është hapësirë e ‘vëllazërimit’ njerëzor për të ju përgjigjur nevojave të varfërve më të varfër e të më të pambrojturve”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama