HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-08-22 14:54:00
A+ A- Printo artikullin



Për një Egjipt të bashkuar e tolerant. Kjo është thirrja e Patriarkëve dhe të krerëve të Kishave në Jerusalem



Një thirrje drejtuar bashkësisë ndërkombëtare për t’iu kundërvue dhunës e terrorizmit dhe për të ndihmuar popullin egjiptian në kapërcimin e kësaj vale të vrazhdë e gjakderdhëse, për të bërë në mënyrë që Vendi të kthehen në rrugën e drejtë, i është drejtuar nga Patriarkët dhe krerët e Kishave e të komuniteteve fetare të Jerusalemit përmes një deklarata përhapur sot.
Në planin politik e shoqëror, Egjipti përjetoi sot ditën e lirimit nga burgu të ish-presidentit, Hosni Mubarak, i cili do të vazhdojw ta vuajë dënimin në arrest shtëpiak. Ndër problemet, që po përballon vendi, sot, u gjet koha edhe për manifestime, një pjesë në favor të Mubarakut dhe të tjerë, kundër tij. Ndërkaq, dje, ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian vendosën të bllokojnë ndihmat ushtarake për Kajron, duke ua lënë anëtarëve mënyrën e zbatimit të këtij vendimi.Asnjë kufizim për ndihmat financiare, në mënyrë që të shmangen dëme ekonomike për popullsinë.
Ndërkaq, vështirësohet gjendja e të krishterëve, për të cilët Evropa nuk e ngriti aspak zërin. Organizata ndërkombëtare “Human Rights Watch” denoncoi sot se kishat e djegura nga përkrahësit e ish-presidenti Morsi, në indiferencën e plotë të qeverisë, janë së paku 42, të cilave u duhen shtuar edhe institucione e shkolla, por edhe dyqane e shtëpi të krishterësh. Shumica e sulmeve, sipas organizatës me bazë në Nju Jork, kanë ndodhur në jug të Egjiptit, ku janë vrarë së paku 3 të krishterë e një mysliman, që përpiqej t’i ndihmonte.
E ndërsa islamistët bëjnë thirrje për manifestime në ditën, që e quajnë “e premtja e martirëve”, pra nesër, Këshilli Ekumenik i Kishave bën thirrje për lutje, që të kthehet pajtimi, drejtësia dhe paqja për të gjithë egjiptianët. “E vetmja rrugë për të ecur përpara – shkruhet në komunikatën e sekretarit të përgjithshëm, rev. Olav Fykse Tvajt, duke iu referuar sulmeve të islamikëve kundër kishave të krishtera – është njohja e ndërsjelltë si qytetarë të barabartë të Egjiptit, ndarja e përgjegjësive dhe e pushtetit, pranimi i ndryshimeve ndërmjet opinioneve politike e ndërmjet besimeve fetare”.
Populli egjiptian, vazhdon letra, e ka treguar në shumë raste se beson plotësisht në një shoqëri shumëfetare e shumëkulturore, ku të gjitha palët i japin dorën njëra-tjetrës për të përballuar sfidat dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Duke shpresuar që konflikti në Egjipt të mos interpretohet si konflikt ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, rev. Tvajt përfundon me lutje për paqen e drejtësinë në Egjipt, duke ftuar Kishat anëtare të Këshillit Ekumenik të bëjnë të njëjtën gjë.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama