HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-08-23 17:53:33
A+ A- Printo artikullin



Shenjtorët e javës



E diel 25 gusht, Kisha katolike kremton të dielën e 21-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 25 gusht kalendari shënon edhe përkujtimin e shën Ludivikut (Luigjit IX), mbret i Francës; shën Jozefit Kalasancio, meshtar, themelues i rregulltarëve ‘Skollopë’. Nga Ungjilli i së dielës mësojmë se njeriu rritet, bëhet i madh në fe atëherë kur kryqi nuk shkandullon më, po bëhet udhë e përditshme me Krishtin. Liturgjisë i bashkohet jeta; feja e gjallëron ekzistencën, lutja lulëzon në dashuri e bamirësi.
Të hënën më 26 gusht, kalendari kujton shën Zefirinin, papë e Maksimilianin, martir.
Këta me jetën e edhe me fundin e tyre, na kujtojnë se të gjithë njerëzit jetojnë në dritën e pranisë së Zotit e se prandaj duhet të heqin dorë nga hipokrizia e padrejtësia e të dëgjojnë zërin e profetëve, që flasin në emër të të Tejetlartit Zot.
Gjithnjë më 26 gusht, bie përvjetori i lindjes i së Lumes Nënë Terezë, Gonxhe Boajxhiu, lindur më 26 gusht 1910 në Shkup, aso kohe nën sundimin otoman.
Të martën më 27 gusht kalendari përkujton shën Moniken, nënën e shën Agostinit, ipeshkëv. Shën Monika na kujton edhe ne, ashtu si i pati kujtuar të birit, se duhet të rrimë gjithnjë zgjuar, duke e jetuar jetën tonë me kujdes, me sytë gjithnjë të ngulur drejt cakut të mbramë të jetës, që është Zoti.
Të mërkurën më 28 gusht, kalendari përkujton shën Agostinin, ipeshkëv i Iponës e doktor i Kishës, dhe shën Hermetin, martir. Shën Agostini që sundon mbi gjithë mendimin e krishterë, e nisi jetën si njeri i çkujdesur, i shthurur. Lutjet e nënës së tij, Monikës, i nxorën nga Zoti hirin e kthimit, që ia mbushi zemrën me dashuri. E pikërisht kjo dashuri hyjnore përshkon tej e mbanë gjithë veprën e tij teologjike e baritore . Kthehu nga unë o Zot, me vështrim dashurie. “Vonë të kam dashur, Bukuri kaq e lashtë e kaq e re, vonë të kam dashur. E ja që Ti ishe brenda meje e unë isha jashtë e aty Të kërkoja… Më verbove me shkëlqimin tënd, e më në fund e shërove verbërinë time”. Janë këto veprat e mëdha të Zotit që shën Agostini sheh në jetën e vet.
Të enjten më 29 gusht, kalendari përkujton martirizimin e shën Gjon Pagëzuesit. Martirizimi i shën Gjonit, pararendësit të Jezu Krishtit, tek populli shqiptar njihet si festa e shën Gjonit Kryepre. Gjithnjë më 29 gusht përkujtohet edhe shën Sabina, romake. Gjon Pagëzuesi, i drejti, mbytet nga të padrejtit, që mbyllin veshët, për të mos dëgjuar fjalët e tij të frymëzuara nga Zoti. Ia presin kokën me bindjen se kështu do t’i mbyllet goja përgjithmonë. Po ai në shekuj vijon të na kujtojë, se Zoti është pikërisht përkrah njeriut të drejtë, që na flet edhe atëherë kur koka e tij rrokulliset nën shpatën e kundërshtarëve.
Të premten më 30 gusht, kalendari përkujton shën Feliçin (Gëzimin), meshtar e shën Adautin, martirë; shën Rebeken, shën Pamakun, senator romak e shën Margariten Ward.
Lutja nga liturgjia e ditës kërkon: Ndikoje mbi ne o Zot, hirin tënd. “Të jemi gati”: sa herë kaplohemi nga frika se nuk jemi gati! Por nuk duhet të shqetësohemi nëse i kemi në rregull dokumentet, por nëse e kemi jetuar jetën si dhuratë për vëllezërit, për çdo vëlla!
Të shtunën më 31 gusht, kalendari kishtar përkujton shën Jozefin e Arimatesë e Nikodemin, nxënës të Zotërisë Jezus, dhe shën Raimondin Nonnato e shën Aristidin.
Liturgjia e ditës pohon se shenjtëria e Zotit shkëlqen në zemrën e të drejtëve. Pesë virgjërat e pakujdesshme e gjetën derën të mbyllur, sepse nuk ishin përgatitur si duhet. Vaji që u mungonte simbolizon mungesën e shpirtit të dashurisë e bamirësisë. Rrini zgjuar pra, se nuk e dini ditën, as orën.
Të dielën e ardhshme më 1 shtator Kisha do të kremtojë të dielën e 22-të gjatë vitit kishtare, e gjithnjë më 1 shtator kalendari kujton edhe shën Egjidin, abat; shën Viktorin; shën Sikstin, shën Jozuhen.
Liturgjia e ditës mes tjerash pohon: Shpëtoje veten me dashuri, të këndojmë një këngë të re. Zoti, nëpërmjet shëmbëlltyrës së talenteve na kërkon gatishmërinë tonë të plotë për ta ndjekur, duke e ditur se rruga e tij ka si përfundim Golgotën dhe Varrin bosh.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama