HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-08-23 12:20:44
A+ A- Printo artikullin



Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 21 gjatë vitit ‘C’



Ja përsëri në takimin tonë javor me Liturgjinë e Fjalës Hyjnore të së dielës. Kësaj herët do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 21 gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë.
Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele mund të quhet një këngë e vërtetë ekumenike, thirrje e gjithë popujve për të bërë pjesë në familjen e madhe të atyre njerëzve që e njohin Hyjin si Zot të vetëm të jetës. Emblematik, lidhur me këtë, është kënga e psalmistit: “Të adhurojnë, o Zot, popujt e mbarë botës”. Po kështu tejet domethënëse është shprehja e profetit, në leximin e parë: “unë do të vij për t’i bashkuar të gjitha fiset e të gjitha gjuhët...”.
Pranimi i Mbretërisë së Hyjit, ecja gjurmëve të Mësuesit Hyjnor, kërkon prej nesh të impenjohemi pambarimisht, tërë jetën, përmes zgjedhjeve e përcaktimeve në realitetin e përditshëm. Ungjilli na e shpjegon këtë përmes metaforës së ‘derës së ngushtë për të hyrë në Mbretërinë e Hyjit”. Shembulli i Jezusit që dhuron jetën e vet deri në fund, është para dishepullit si tregues i qartë për të kuptuar atë çka metafora e derës së ngushtë tregon e transmeton.
Nga pjesa e Ungjillit të kësaj së diele, mësojmë se, Jezusi udhëtonte duke mësuar nëpër fshatra e qytete, ndërsa po shkonte drejt Jerusalemit, ku do të vritej me kryqëzim.
Duhet ta ketë ditur fatin që e priste. Në një farë kuptimi ky edhe ishte motivi pse kishte ardhur. Ishte gati për të kaluar përmes asaj dere të ngushtë, vdekjes, në shtegun e vështirë e të vrazhdët që çon deri aty. Ndërsa po i mendonte të gjitha këto, erdhi një njeri dhe e pyeti: “Zotëri, a janë pak ata që shëlbohen?” Jezusi nuk përgjigjet drejtpërsëdrejti në pyetje. Jezusi nuk përgjigjet lidhur me numrin e atyre që shpëtojnë por mbi mënyrën si shpëtohet. Thotë: dera është e ngushtë, por jo për shkak se i do ai i do orvatjet e mëdha, punë e mundimshme, sakrificat. E ngushtë pse është masa e fëmijës: “Nëse nuk do të jeni porsi fëmija nuk do të hyni!”. Nëse dera është e vogël, për të kaluar nëpër te duhet të bëhem i vogël edhe unë. Të vegjlit e fëmijët kalojnë pas asnjë mundim.
Kështu, pra, tema qendrore e Ungjillit të kësaj së diele është SHTPETIMI apo SHELBIMI. Për besimtarët e krishterë të shpëtosh nuk është “një problem”, por është “problemi” thelbësor i jetës. Për këtë arsye, përmes Fjalës së Tij Hyjnore, Jezu Krishti Zot na kujton se shpëtimi apo shëlbimi nuk është një privilegj vetëm për disa, po për të gjithë njerëzit e duhet të meritohet me vepra. Duke folur mbi cakun përfundimtar të jetës së njeriut, do të thotë pjesëmarrjen në Mbretërinë e Hyjit, pjesa e Ungjillit të kësaj së diele, na ofron shëmbëlltyrën e ‘derës së ngushtë’.
Dera e shpëtimit të përjetshëm do t’u hapet vetëm atyre njerëzve që dëshiron të jenë sjell e do të kenë vepruar në jetën e përditshme si nxënës të vërtetë të Jezu Krishtit Zot. Pra, Ungjilli na fton që të mos e shpërdorim apo keqpërdorim kohën e jetës, por qysh tani, të mundohemi të bëjmë mirë, të jetojmë në drejtësi, në përkim me njëri-tjetrit sipas urdhrit Ungjillor të dashurisë.
Kështu, me pak fjalë, Jezu Krishti na tregon udhën, përmes së cilës mund t’ia arrijmë cakut përfundimtar të jetës, që është shpëtimi i përjetshëm, do të thotë pjesëmarrja në Mbretërinë e dashurisë së Zotit. Për këtë arsye, në Ungjillin e kësaj së diele, Jezusi na thërret të hyjmë nëpër ‘derën e ngushtë’ të zbatimit të ligjit të Tij hyjnor të dashurisë. Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Is 66, 18-21
Hyji nuk e ka fshehur kurrë planin e tij të shpëtimit: të bashkojë njerëzimin e shpërndarë në një popull të vetëm në paqe. Hyji do të dërgojë një shenjë në të cilën të gjithë njerëzit mund të njihen. Tani ne që kemi njohur këtë shenjë, që është vetë Jezusi, kemi për detyrë të ftojmë të tjerët të njohin në Jezusin shenjën e dashurisë së Hyjit.

Lexim prej Librit të Isaisë profet
Kështu thotë Zoti: “E unë, që i njoh veprat e tyre dhe synimet e tyre, do të vij për t’i bashkuar të gjitha fiset e të gjitha gjuhët; do të vijnë dhe do ta shohin lavdinë time. Unë do t’u jap një shenjë dhe do t’i dërgoj ata që prej tyre do të shpëtojnë, te popujt në Tarsis, Put, Lud, Mosok, Ros, Tubal dhe në Javan – në ishuj të largët tek ata që nuk kanë dëgjuar për mua as nuk e kanë parë lavdinë time – dhe këta do t’ua shpallin lavdinë time popujve. Do t’i riatdhesojnë të gjithë vëllezërit tuaj nga të gjithë popujt porsi kusht Zotit – në kuaj, karroca, bartore, në mushq e gamile njëgungëshe e do t’i sjellin në malin tim të shenjtë, në Jerusalem – thotë Zoti – po ashtu sikurse bijtë e Izraelit kushtojnë flinë e paraqitjes në enë të pastër në Shtëpinë e Zotit. Edhe prej tyre do të zgjedh priftërinj e levitë.”Fjala e Zotit.

Psalmi 117
Të adhurojnë, o Zot, popujt e mbarë botës
----- ----- -----
Lavdërojeni Zotin, o kombe të gjitha,
madhërojeni së bashku, o popuj të gjithë!
----- ----- -----
Sepse e madhe është dashuria e tij
ndaj nesh, besnikëria e Zotit qëndron për amshim.
----- ----- -----

Leximi i dytë Heb 12, 5-7.11-13
Siguria e besimtarit është se Hyji na trajton gjithmonë si bij, edhe kur lejon provën e shkretëtirës, mërgimit dhe të persekutimit. Edhe bashkësitë e krishtera përballë kontraditave dhe dështimeve nuk duhet të dyshojnë për qëllimet e Atit, që udhëheq ngjarjet tona me dashuri, që të formohet në ne imazhi i Birit të Tij.

Lexim prej drejtuar Hebrenjve
Vëllezër, e harruat qortimin që ju drejtohet si bijve: “Biri im, mos e përbuz qortimin e Zotit, as të mos lëshojë zemra kur ai të qorton, sepse atë që e do Zoti, e edukon me disiplinë, e rreh me thupër atë që e pranon për bir.”
Hiqni keq për edukimin tuaj! Hyji sillet me ju si me bij. Dhe, a ka djalë të cilin i ati nuk e edukon me disiplinë? Dhe njëmend, çdo qortim njëherë për njëherë, nuk duket se sjell gëzim, por trishtim, porse më vonë të ushtruarve në të u sjell fryt paqe dhe drejtësie.
Prandaj çoni lart duart e lodhura dhe gjunjët e molisur, dhe rrafshoni udhët për këmbët tuaja që e çala të mos gjymtohet, por me mirë të shërohet. Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja.
Do të vijnë nga lindja e nga perëndimi,
nga veriu e nga jugu, e do të ulen në tryezë në Mbretërinë e Hyjit.
Aleluja, aleluja.

Ì Ungjilli Lk 13, 22-30
Jezusi i fton të gjithë në tryezën e shpëtimit, por normat e jashtme dhe praktikat fetare vënë në gjumë ndërgjegjen e mësuesve të popullit, të cilët janë përjashtuar nga shpëtimi.
Edhe shumë të krishterë përgjumen, duke menduar se zotërojnë të vërtetën dhe shpëtimin, por do të paraprihen në tryezën e shpëtimit nga njerëzit vullnetmirë që kërkojnë të vërtetën.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, në udhëtim për Jerusalem Jezusi kalonte duke mësuar nëpër qytete e fshatra. Një njeri e pyeti: “Zotëri, a janë pak ata që shëlbohen?” Ai u tha: “Mundohuni të hyni nëpër derë të ngushtë, sepse, unë po ju them: shumë do të kërkojnë të hyjnë, por nuk do të munden. Kur i zoti i shtëpisë do të çohet e do ta mbyllë derën, ju, po mbetët përjashta, do të filloni të trokitni në derë e të thoni: ‘Zotëri, na e hap derën!’ e ai do t’ju përgjigjë: ‘S’di nga jeni!’ Atëherë do të vijoni të thoni: ‘Po ne hëngrëm e pimë me ty e ti mësove ndër sheshe tona!’ Por ai do të përgjigjë: ‘Unë nuk di nga jeni ju! M’u hiqnu sysh të gjithë ju që bëni paudhësi!’
Atje do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh, kur t’i shihni Abrahamin, Izakun, Jakobin dhe të gjithë profetët në Mbretërinë e Hyjit e veten të hedhur përjashta. E do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, nga veriu e nga jugu, dhe do të ulen në tryezë në Mbretërinë e Hyjit. Po se, ka të fundit që do të jenë të parët, e të parë që do të jenë të fundit!” Fjala e Zotit.

Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës Hyjnore të dielës së 21-të gjatë viti kishtar, mund të dëgjoni edhe këtu........RealAudioMP3




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama