HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-08-23 16:25:40
A+ A- Printo artikullin



Papa Françesku i kushton një takim, në Vatikan, plagës së trafikut të njerëzve



Akademia Papnore e Shkencave dhe Akademia Papnore e Shkencave Shoqërore, së bashku me Federatën Botërore të Shoqatave Mjekësore Katolike(Fiamc), sipas dëshirës së Papës Françesku, do të krijojnë, pranë Shtëpizës së Shën Piu IV në Vatikan, një grup përgatitor pune, për të analizuar problemin tejet të mprehtë të trafikut të njerëzve dhe skllavëritë moderne, duke vlerësuar, kështu, si situatën reale, ashtu edhe mundësitë e hartimit të një plani veprimi për t’i luftuar. Sot shpjegon imzot Marcelo Sanchez Sorondo, kancelar i Akademisë Papnore të Shkencave, “Shkencat natyrore mund të krijojnë mundësinë e përdorimit të mjeteve të reja kundër kësaj forme të re të skllavërisë, si për shembull, një regjistër dixhital për të krahasuar ADN-në e fëmijëve të zhdukur e të paidentifikuar (duke përfshirë edhe rastet e bijësimeve të paligjshme), me ato të familjarëve, që denoncojnë zhdukjen”. Askush nuk mund ta mohojë, vijon, se tregtia e qenieve njerëzore përbën një krim të tmerrshëm kundër dinjitetit të njeriut e, njëkohësisht, shkelje të rëndë të të drejtave themelore njerëzore e se, në këtë shekull, shërben si burim për krijimin e pasurive kriminale.
Koncili II i Vatikanit ka pohuar, që në fillim, se skllavëria dhe prostitucioni, tregu i grave e i të rinjve dhe kushtet çnjerëzore të punës, në të cilat punëtorët trajtohen si të ishin mjete të thjeshta fitimi, e jo si njerëz të lirë e të përgjegjshëm, janë më se të turpshme, i hapin plagë qytetërimit njerëzor, çnderojnë ata, që sillen në këtë mënyrë e lëndojnë rëndë veprën e Krijuesit.
Në një nga dokumentet e pakta të magjisterit të papëve, kushtuar kësaj teme, i Lumi Gjon Pali II nënvizon se këto situata janë fyerje ndaj vlerave themelore, të përbashkëta për të gjithë popujt e për të gjitha kulturat, vlera, këto, të rrënjosura në vetë natyrën e njeriut”, duke pohuar edhe se argumenti ka rëndësi të dorës së parë për shkencat shoqërore e shkencat natyrore, në rrethanat e globalizimit.
Lulëzimi alarmues i tregtimit të njerëzve është një nga problemet më të ngutshme ekonomike, shoqërore e politike, që shoqërojnë procesin e globalizimit. Njëkohësisht, edhe kërcënim për sigurinë e kombeve të veçanta dhe çështje e ngushtme e drejtësisë ndërkombëtare.
Disa vëzhgues, nënvizon Imzot Sorondo, mendojnë se pas pak vjetësh, tregtia e njerëzve do t’ia kalojë edhe trafikut të drogës e të armëve, duke u bërë, kështu, veprimtaria kriminale më fitimprurëse në botë.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama