HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-08-23 16:25:55
A+ A- Printo artikullin



Patriku Bechara Raï: të krishterët paguajnë haraçin më të rëndë nga luftat në Lindjen e Mesme



Situata në Lindjen e Mesme po bëhet çdo ditë e më kritike. Folëm për këtë me kardinalin Bechara Raï, Patrik i maronitëve të Antiokisë. Ta dëgjojmë reflektimin e tij:

Përgjigje: - Shiko, gjithçka ndodh në Lindjen e Mesme, si në Egjipt, ashtu në Siri e në Irak, është luftë me dy përmasa. Në Irak e në Siri, luftë ndërmjet sunitëve e shiitëve; në Egjipt, luftë ndërmjet fondamentalistëve, ndër të cilët Vëllezërit Myslimanë, e të moderuarve. Janë luftëra pa fund mbi të cilat, e them me keqardhje, ndikon fuqimisht edhe qëndrimi i disa vendeve, posaçërisht perëndimore, që po i nxisin këto konflikte. Duhet gjetur zgjidhja e gjithë këtyre problemeve. Ne, të krishterët, që prej 1400 vjetësh po jetojmë së bashku me myslimanët dhe kemi përhapur në këto troje vlera njerëzore e morale, vlera shumëkonfesionale, pluraliste, moderne.... Falë pranisë së të krishterëve në jetën tonë të përditshme, në të gjitha këto vende arabe, kemi krijuar një farë moderimi në botën myslimane. Sot shikojmë, të pafuqishëm, si shkatërrohet gjithçka ndërtuan të krishterët gjatë 1400 vjetëve. E, njëkohësisht, të krishterët paguajnë haraçin më të rëndë në këto luftëra ndërmjet sunitëve e shiitëve e ndërmjet të moderuarve e fondamentalistëve përsa i përket Egjiptit.

Pyetje: - Pakica e krishterë në Egjipt po paguan çmimin më lartë, në situatën e sotme...

Përgjigje: - Si gjithnjë, kur nis kaosi a lufta, në përgjithësi myslimanët u lëshohen në shpinë të krishterëve, si të ishin fajtorë për gjithçka ndodh. Më vjen keq, por në Egjipt janë Vëllezërit Myslimanë, e jo të krishterët, që sulmuan Kishat e koptëve e edhe vetë koptët.. Për fat të keq, kjo është mendësia e disa myslimanëve: sa herë krijohet kaos, sulmohen të krishterët, pa e ditur as pse sulmohen. E njëjta gjë ndodhi edhe në Irak, e po ndodh në Siri e në Egjipt. Ata nuk e dinë pse iu sulen të krishterëve, por është pikërisht kështu. Të krishterët në botën arabe kërkojnë një gjë të vetme; siguri e stabilitet: vetëm këtë!

Pyetje: - Vëllezërit myslimanë i përligjin sulmet e tyre kundër të krishterëve, duke i akuzuar se përkrahën haptazi rrëzimin e Morsit...

Përgjigje: - Në të gjithë botën arabe, të krishterët janë përkrah institucioneve, e respektojnë vendin, në të cilin jetojnë, autoritetet, Kushtetutën. Dihet nga të gjithë se Vëllezërit Myslimanë, brenda një viti, bën një hap të madh mbrapa, duke u përpjekur të zbatojnë Sharinë, ndërsa populli egjiptian kërkonte reforma në fushën politike. Të gjitha manifestimet popullore kishin si qëllim kërkesën për reforma politike, që do të thoshte lëvizje në drejtim të demokracisë. E si zakonisht Perëndimi, nuk jam i autorizuar të përmend emra kombesh të veçanta, u dha një kontribut në formën e miliarda dollarëve Vëllezërve Myslimanë, që të merrnin në dorë pushtetin. Sa e morën këtë pushtet, nisën menjëherë të zbatojnë Sharinë, ligjin islamik, domethënë u bë një hap mbrapa. Natyrisht të krishterët janë kundra kësaj: të krishterët duan një Egjipt të reformuar, demokratik, një Egjipt, që di të respektojë të drejtat e njeriut. Janë gjithnjë besnikë ndaj shtetit e institucioneve.

Pyetje: - Ç’parashikoni për ardhmërinë e Lindjes së Mesme?

Përgjigje: - Sipas leximit tonë të përditshëm të fakteve, që po jetojmë, ka një projekt të mirëpërcaktuar, që synon shkatërrimin e botës arabe, për interesa ekonomike e politike të caktuara. Ka edhe plane për t’i bërë gjithnjë më të mprehta konfliktet ndër-konfesionale në botën myslimane, ndërmjet sunitëve e shitëve. Një projekt, pra, që synon ta shkatërrojë Lindjen e Mesme. Për fat të keq, kjo soj politike vjen nga jashtë. I kam shkruar dy herë Atit të Shenjtë, për t’ia shpjeguar këtë, që po ndodh e ia kam treguar gjithë të vërtetën objektive, ashtu si është. Më vjen keq, por duhet ta them se kush paguan më shtrenjtë në këtë plan shkatrrimtar, janë të krishterët. Në Irak, nga një milion e gjysëm të krishterë, kemi humbur një milion, nësa bashkësia ndërkombëtare bën sehir, në heshtje.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama