HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Feja dhe dialogu >  2013-08-23 16:57:34
A+ A- Printo artikullin



Thirrje për paqe e krerëve myslimanë e të krishterë në Nigeri



Të ndërtojmë së bashku kishat dhe xhamitë e shkatërruara nga ndeshjet e këtyre viteve në Shtetin e Platosë, në Nigeri, për të promovuar pajtimin e bashkëjetesën paqësore ndërmjet grupeve etnike e fetare të zonës. Kjo është ftesa, që u bëjnë të krishterëve dhe myslimanëve, kryeipeshkvi i Zhosit, imzot Injacius Kaigama dhe imami i xhamisë kryesore të qytetit, shehu Balarabe Daud. Deklarata e përbashkët mbylli takimin ndërfetar të këtyre ditëve në Qendrën për dialogun, paqen e pajtimin në Rejfild.
“Vendosëm të jemi maja e luftës kundër polarizimit dhe përçarjes së bashkësive tona”, thanë liderët e feve gjatë takimit, në të cilin morën pjesë eksponentë fetarë dhe përfaqësues të shumë shoqatave të krishtera e myslimane. Duke kujtuar fjalët e Papës Françesku me rastin e përfundimit të Ramazanit, të gjithë nënvizuan rëndësinë e edukimit të besimtarëve me vlerën e bashkëjetesës paqësore e me respektin ndaj tjetrit.
Gati në qendër të Nigerisë, shteti i Platosë është kthyer prej vitesh në teatër ndeshjesh të armatosura ndërmjet bujqve me fe të krishterë, të cilët përbëjnë shumicën e popullsisë, dhe blegtorëve me fe myslimane. Konfliktet kanë karakter tribal e kanë të bëjnë kryesisht me kontrollin e tokave e të kullotave, por feja instrumentalizohet për qëllimet e palëve. Ky shtet nuk është i vetmi me këtë gjendje në Nigeri. Me nxitjen e grupeve xhihadiste, si ai Boko Haramit, dhuna fetare është shtuar dramatikisht. Që nga viti 2007, në veri të vendit janë vrarë mëse 900 të krishterë e janë shkatërruar mëse 100 kisha.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama