HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-08-24 14:11:50
A+ A- Printo artikullin



Me 24 gusht kalendari kujton shën Bartolomeun Apostull



Me 24 gusht kalendari kishtar përkujton Shën Bartolomeun Apostull
Bartolomeu është njëri nga të Dymbëdhjetë Apostujt, që e ndoqën Jezusin. Apostulli martir lindi në shekullin e I në Kanë të Galilesë, ndërsa vdiq nga gjysma e shekullit I, në Siri.
Emri i vërtetë i apostullit është Natanael, që do të thotë “Zoti ka dhënë”. Emri Bartolome vjen nga aramaishtja “bar”, që do të thotë ‘bir’ e “talmai”, që do të thotë ‘bujk’. Bartolomeu mbërriti tek Krishti përmes Filipit apostull, i cili e njofton se kishin gjetur Jezusin, të birin e Jozefit nga Nazareti. Natanaeli (Bartolomeu) i përgjigjet me një paragjykim: “A mund të dalë gjë e mirë nga Nazareti?”. E Filipi ia kthen: “Eja e shih”. Prej këndej kuptojmë se në lidhjen tonë me Jezusin nuk duhet të përqendrohemi vetëm tek fjalët; që ta njohim mirë, kemi nevojë për një përvojë të gjallë. Zoti na befason, duke na bërë ta gjejmë atë që kërkonim, pikërisht atje ku nuk e prisnim.
Dëshmia e të tjerëve është sigurisht e rëndësishme, sepse si rregull, e gjithë jeta jonë e krishterë fillon me kumtimin që vjen deri tek ne përmes veprës së një ose disa dëshmitarëve. Por më pas duhet të jemi ne vetë që hyjmë personalisht në lidhje të ngushtë e të thellë me Jezusin Zot e Shpëtimtar.
Është Shën Gjoni ai që na tregon takimin mes Natanaelit e Jezusit i cili e apostrofoj “Ja një izraelitas i vërtetë, në të cilin nuk ka dredhi”. E Natanaeli i befasuar përgjigjet: “Rabbì, ti je Biri i Hyjit! Ti je mbreti i Izraelit!”. Kemi të bëjmë me pohimin e një feje të pastër, që nxjerr në dritë përmasën e dyfishtë të Jezusit, atë njerëzore dhe Hyjnore.
Nuk mund të mos i mbajmë para sysh dy përmasat, sepse po të shpallim vetëm përmasën qiellore të Jezusit, krijohet rreziku ta bëjmë Atë një qenie qiellore dhe të vagëlluar; e në qoftë se, përkundrazi, pranojmë vetëm praninë e tij njerëzore në histori, e errësojmë përmasën hyjnore, që e cilëson Krishtin në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.
Pas ngjalljes së Krishtit, Bartolomeu qe predikatar endacak apo shëtitës në Armeni, Indi e Mesopotami. U bë i famshëm për aftësinë e tij të shërimit të të sëmurëve. Bartolomeu qe dënuar me vdekje Persiane: qe rrjepur për së gjalli e pasta qe kryqëzuar prej paganëve. Nuk kemi lajme të tjera për Bartolomeun, i cili na mëson se bashkimi me Jezusin mund të jetohet e të dëshmohet edhe pa kryer vepra të jashtëzakonshme por duke jetuar me fe e dashuri jetën e përditshme.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama