HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-08-26 13:53:38
A+ A- Printo artikullin



Nënë Tereza simbol i fortë i historisë së kombit shqiptar, në 103 vjetorin e lindjes



Si sot, 103 vjet më parë, lindi Gonxhe Bojaxhiu, e Lumja Nënë Terezë e cila me 19 tetor të vitit 2003 u lartua në nderime të altarit. Figura më karizmatike e 1900-tës, Nënë Tereza, lindi në Shkup më 26 gusht e u pagëzua më 27 gusht të vitit 1910, ndërsa u kthye në shtëpinë e Atit Qiellor më 5 shtator të vitit 1997. Tërë jetën ia kushtoi të mënjanuarve e të varfërve të Kalkutës e të botës mbarë, duke fituar dashurinë e më të varfëve ndër varfër, nderimin e të pushtetshmëve e admirimin e mbështetjen e Papëve.
Nënë Tereza qe dëshmi e gjallë e dashurisë së Zotit për njeriun, sidomos për më të varfrin e nevojtarin, i mjekoi plagët e njerëzimit të përbuzur e të mohuar. Mbrojti gjithnjë e kudo, me një guxim të pashoq jetën dhe dinjitetin e njeriut, e atyre që shtypeshin e përbuzeshin nën barrën e rëndë të padrejtësisë e të harresës nga vota, u dha vetëdijen se nuk ishin të tepërt e të harruar, por ishin të zgjedhurit e Zotit, Atit ynë të Gjithëpushtetshëm, plot dashuri e mëshirë për të gjitha krijesat e vet. Nënë Tereza dëshmoi e mishëroi Ungjillin e dashurisë me dhurimin pa asnjë kusht të vetvetes për më të varfërit, duke merituar më 1979 çmimin Nobel për Paqe.
Kudo shkoi, Nënë Tereza u përpoq të shuante etjen e Krishtit, etjen për Dashuri. Papa Gjon Pali II e quajti „dhuratë e Zotit për Kishën e për botën“, për t’u kujtuar kështu të gjithëve se dashuria ungjillore qëndron mbi të gjitha vlerat, posaçërisht kur gjen shprehjen e vet në shërbimin që i bëhet më të përbuzurit ndërmjet vëllezërve e motrave tona. Nënë Tereza është shembull i jashtëzakonshëm i bamirësisë së heshtur, që lind nga kundrimi i përhershëm i Krishtit të kryqëzuar. Sot shembulli i shkëlqyer i shërbimit të saj bamirës është bërë burim frymëzimi për familjen e sa shpirtërore, Misionaret e Dashurisë, për Atdheun e saj, për Kishën e mbarë njerëzimin.
Po e kujtojmë sot plot me emocion ditëlindjen e Nënë Terezës, shërbëtoren e madhe të të varfëve. Jeta e saj është dëshmi e dinjitetit dhe e privilegjit të shërbimit të përvuajtur. Ajo deshi të zvogëlohej sa më shumë para syve të Zotit, duke u bërë shërbëtorja e më të vegjëlve. „Ti duhet të jesh dora e Provanisë Hyjnore kur nuk të shikon askush, në mënyrë që ata të cilët marrin të mira e ndihmë, t’i jenë mirënjohës Zotit e jo ty“, thoshte e Lumja Nënë Terezë. Kështu krahët e saj u bënë krahët e vetë Zotit e ajo, simbol i dukshëm, i prekshëm i dashurisë së Tij Hyjnore.
Mori mbi vete barrën e stër-rëndë të të gjithë të varfëve të botës, duke e ditur se kështu plotësonte vullnetin e Zotit të vet. Ky pra është edhe thelbi i përshpirtërisë së Nënë Terezës, që i ka themelet në dashurinë e pakufishme të Atit Qiellor për të varfërit e të braktisurit, që gjen shprehjen më të lartë në misterin e Kryqit e të ngjalljes së Krishtit. Kjo është edhe forca e vërtetë mistike e mësimit e mesazhit që na la trashëgim e Lumja Nënë Terezë.
Plot mirënjohje ndaj Hyjit për këtë personalitet të madh, që ua la trashëgim të gjithë besimtarëve katolikë e posaçërisht shqiptarëve, zgjodhëm sot këtë rrëfim bazuar tek libri ‘Jeta ime’, që tingëllon si testament:
“Mundohem ta dua Zotin me gjithë vetveten.
Jam lëshuar plotësisht në duart e tij, me gjithë të metat e mia e mungesat e mia. Ai më pranoi si nusen e vet, me ngrohtësi e dashuri të pakufishme. Tashmë, për gjithë jetën, jam fati i Krishtit të Kryqëzuar.
Pranova të përfaqësoj të varfërit e mbarë botës: të padëshiruarit, të padashurit, të lënët pas dore, të keqtrajtuarit, të verbërit, të gërbulurit, të alkoolizuarit, të përjashtuarit nga radhët e shoqërisë, të gjithë ata që e kanë harruar ngrohtësinë e dashurisë njerëzore e takimin e njeriut me njeriun.
Jam thellësisht e bindur se e keqja më e madhe dhe vuajtja më e thellë burojnë nga braktisja e njeriut, që nuk duhet, që përbuzet, lihet pas dore, nuk vlen asgjë për askënd. Nga ana ime mundohem t’u jap të varfërve, për dashuri, atë që të pasurit mund ta blejnë me para.
Unë nuk do ta kisha prekur kurrë me dorë një të gërbulur, edhe sikur të më paguanin një miliard dollarë. Ndërsa e bëj me kënaqësi për dashuri të Zotit. Kur vërej si trajtohen të varfërit, e kuptoj më mirë trishtimin e Krishtit, që nuk pranohet nga të vetët. Kush nuk i përfill të varfërit, vijon të mos e përfillë Krishtin. Të varfërit na nderojnë, duke na lejuar t’u shërbejmë ditë natë, pa ndjerë kurrë lodhje.
Ushqimi shpirtëror që më mban në këmbë, është Mesha Shenjte. Pa të nuk do të mund të vijoja rrugën që zgjodha as një ditë, madje as një orë. Në Meshë Jezusi na paraqitet nën trajtën e bukës, ndërsa në lagjet e mjerimit e shikojmë dhe e prekim në trupat e gjymtuar, në fëmijët e braktisur.
Shpesh herë, kur mendoj sa pak jemi në gjendje të bëjmë, më pushton një trishtim i thellë. Ajo që bëjmë, është vetëm një pikë uji në një oqean të pacak. Tepër e vogël, me një ndikim gati të pandjeshëm mbi pafundësinë e vuajtjeve njerëzore. Por në se secili nga ne do t’i shërbejë Krishtit, atje ku e thërret, Eukaristia e të varfërit do të bëhen një dashuri e vetme!".




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama