HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-08-27 15:33:39
A+ A- Printo artikullin



Të krishterët e persekutuar në botë janë 200 milionë. Mjetet e komunikimit nuk flasin



Ndërmjet temave, rreth të cilave u shkëmbyen mendime në Mitingun e sapopërfunduar të Riminit, ishte, natyrisht, edhe ajo e lirisë fetare. U fol për të edhe në diskutimin e fundit, të shtunën e kaluar. Sipas Massimo Ilardo-s, drejtor i shoqatës “Ndihmë për Kishën që vuan” në Itali, sensibilizimi po përmirësohet, por kjo është tepër pak, përderisa të kishterët e persekutuar në një mijë mënyra nëpër botë, numrohen me miliona. E intervistuam:

Përgjigje: - Nga Raporti, që kemi paraqitur, shikojmë se në gjirin e popullsisë botërore, prej 6,8 miliardë vetësh, 5 nuk e gëzojnë lirinë fetare. E ky është problem tejet i rëndë: në praktikë, 70% e popullsisë botërore vuan në këtë drejtim. Ndërsa duket problem krejt i thjeshtë për t’u zgjidhur. E ndoshta, prandaj, për të flitet pak e aspak. Në këtë turmë besimtarësh, që vuajnë për shkak të fesë, një numër i madh janë të krishterë. Kur e paraqitëm Raportin, thamë se 75% e krimeve me sfond fetar, kryhen kundër të krishterëve. E kjo flet vetë e tregon sa të persekutuar janë të krishterët. Pastaj ju kujtuat shifrën 200 milionë. Është e qartë se ky problem nuk mund të lihet më pas dore. Se është urgjent. Por megjithëkëtë, mediat nuk interesohen në masën e duhur. Nuk kanë dëshirë të flasin.

Pyetje: - Po kjo do të thotë se në nivel ndërkombëtar sensibiliteti për tema të tilla është gati-gati i pandjeshëm. E kam fjalën për institucionet e mëdha ndërkombëtare...

Përgjigje: - Nuk mund ta themi këtë, sepse vitet e fundit, posaçërisht falë Benediktit XVI, ka pasur një sensibilizim të madh lidhur me këtë argument. Në vitet e kaluara, diskutimi mbyllej e kufizohej vetëm brenda një elite intelektuale. Sot, e për këtë jam shumë krenar, posaçërisht në Itali, ky diskutim po hyn shtëpi më shtëpi, në mënyrë shumë të thjeshtë: dua të them se njeriu i rrugës pyet veten: sa kushton të jesh i krishterë në Pakistan e sa në Itali?

Pyetje: - Pse, kushton gjë të jesh i krishterë në Itali?

Përgjigje: - Kushton edhe në Itali. Nëse në disa vende persekutimi arrin kulmet, deri në martirizim, në Itali ka tipe të tjera martirizimi, ndoshta shumë më të ‘djallëzuara’, siç tha në Miting kardinali Toran. Janë të fshehta, prandaj në ndonjë rast mund të ndodhemi edhe para rrezikut të mohimit të fesë. Në vendin tonë i krishteri pyet veten: po unë, ç’vend zë në Kishë? Jam i krishterë vetëm të diel, apo jam, pa luhatje, një që e dëshmon fenë e vet edhe në vendin e punës, duke u rrezikuar ta humbasë atë, ose duke i mbyllur vetes rrugën për t’u ngjitur ndonjë këmbë në shkallën e karrierës. Sepse të jesh i krishterë në botën perëndimore, po bëhet diçka e bezdisshme.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama