HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Feja dhe dialogu >  2013-08-29 16:18:29
A+ A- Printo artikullin



Kardinali Toran: feja është forcë për ndërtimin e paqes; pa fe, njeriu bëhet mall tregu



Tematika tejet e rëndësishme e lirisë fetare, e shikuar si e drejtë njerëzore themelore, që kërcënohet nga sulme, jo vetëm gjakatare, por edhe djallëzore, ishte në qendër të fjalimit, që mbajti në Mitingun e Riminit, kardinali Zhan-Lui Toran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar.

Liria fetare është e drejtë themelore njerëzore, e mirëpërcaktuar nga ligjshmëria ndërkombëtare. Nuk jepet nga shteti, as nga qeveritë, por i përket të gjithë njerëzve në botë e mund të ushtrohet, individualisht ose kolektivisht, pa asnjë kufizim tjetër, veç detyrimit që “të mos dëmtojë të drejtat e qytetarëve të tjerë”. Liria fetare i krijon çdo njeriu mundësinë t’i zgjedhë lirisht marrëdhëniet e veta me Zotin e të vendosë edhe të jetojë në përkim me këtë zgjedhje. Por kjo liri, në vise të ndryshme të botës, kërcënohet nga kurthe të rrezikshme. Duke kujtuar shkeljet e saj edhe këto ditë, kur vërehen diskriminime e persekutime të frikshshme, kardinali Zhan Lui Toran nënvizoi se besimtarët, që pësojnë më shumë nga shkeljet e kësaj lirie, janë të krishterët. Persekutimi, vijoi, mund të jetë edhe i maskuar e, prej këndej, edhe më djallëzor. E kjo, posaçërisht në vendet perëndimore, ku përpjekjet për ta mbyllur fenë në kufijtë e ngushtë të jetës private, vijojnë të bëhen gjithnjë më kokëforta. Duhet kujtuar edhe se mjetet e komunikimit po detyrohen të merren gjithnjë më shumë me temën e lirisë fetare:
“Zoti, të cilin ideologjitë e shekullit të kaluar e patën dëbuar, u kthye përsëri në skenën publike! Them ‘Zoti’ e nuk flas për ‘krishterimin’. Veç kësaj, prania gjithnjë më e dukshme e Islamit në Evropë e veprimet e dhunshme, kryer nga disa anëtarë të shthurur të kësaj feje të madhe, janë në zanafillë të rikthimit të “ndjesive fetare’ në perëndim, pa harruar edhe frikën, që ndikojnë shpesh fetë në mendjen e njeriut të shekullarizuar”.
Dënimin e saktë të terrorizmit me vulë fetare, shpjegoi më pas Hirësia e Tij, e formuloi Benedikti XVI, në vitin 2006: “Terrorizmi, pati thënë Papa, nuk ngurron t’i godasë njerëzit e pambrojtur, pa bërë kurrfarë dallimi ose t’i tmerrojë me kërcënimet më çnjerëzore. Asnjë rrethanë, shtonte Papa, nuk mund të jetë e vlefshmne për ta përligjur një veprimtari të tillë kriminale, që bëhet edhe më e dënueshme, kur merr në shënjestër një fe”.
Por njeriu nuk mund të shkëputet kurrë nga Zoti, pohoi Kryetari i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, sepse për vetë natyrën e vet, është frymor fetar. Është e e vetmja krijesë, që pyet e pyetet. Pyet të tjerët, por shpesh edhe vetveten. E ndërsa feja shpreh marrëdhëniet e varësisë së krijesës nga Krijuesi, në rastin e sekteve, krijesa është qenie, që pretendon t’i sundojë forcat natyrore, në përfitim të vet.
Feja është thesari i vërtetë për besimtarin:
Feja është forcë për të ndërtuar paqen! Kur besohet se çdo krijesë njerëzore mori nga Krijuesi një dinjitet të pashoq, se secili nga ne është subjekt i të drejtave e lirive të paprekshme, se t’i shërbesh të afërmit, do të thotë të bëhesh Njeri i vërtetë, mund të kuptohet çfarë kapitali janë bashkësitë e besimtarëve për ndërtimin e një botë të paqësuar e paqësore”.
Besimtarët që takohen, pavarësisht nga larmitë e tyre, janë gjithnjë forcë lëvizëse, në dobi të shoqërisë. Pothuajse të gjitha fetë predikojnë vëllazërinë dhe i kundërvihen dhunës. Por përveç kontributit, që jep për paqen e harmoninë shoqërore, trashëgimia shpirtërore siguron edhe pasuri të tjera. Ndjekësit e feve, përfundoi kardinali Toran, mund t’i kujtojnë të gjithëve, me koherencën e jetës, epërsinë e etikës mbi ideologjitë, përparësinë e njeriut mbi sendet, sundimin e mendjes mbi materien. Hiqjani fenë shoqërisë – theksoi në përfundim kardinali, duke cituar fjalët e jezuitit Luigji Tapareli - e njeriu do të bëhet mall tregu!




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama