HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-08-29 15:01:21
A+ A- Printo artikullin



Papa Agostinianëve: shqetësimi i dashurisë të shtyn të shkosh i pari drejt të tjerëve



Shqetësimi i zemrës është ai, që e çon njeriun drejt Zotit e dashurisë. Ky, mesazhi, që u la Papa agostinianëve, duke hapur, mbrëmë, me një Meshë, Kapitullin e tyre të Përgjithshëm, në bazilikën romake të Shën Agostinit. Në kremtim morën pjesë agostinianë nga të pesë kontinentet, rregulltare e rregulltarë, që ndjekin rregullën e ipeshkvit të Iponës, si dhe disa laikë. Papa, që para se të hynte në bazilikë, u ndalua rrugës për të përshëndetur njerëzit e shumtë, në pritje të tij prej orësh, i ftoi disa herë të gjithë të marrin shtytje nga shqetësimi personal, për të njohur Krishtin e nga shqetësimi për nevojat e tjetrit, për t’iu përgjigjur dashurisë. “Cilat shqetësime na fton t’i nxisim e t’i mbajmë gjallë në jetën tonë, Shën Agostini? Zemra e shqetë e Shenjtit ka ende shumë për të na mësuar. Papa Françesku e nënvizoi këtë, duke kujtuar rrugën e tij personale, në kërkim të kuptimit të jetës e i ftoi të gjithë të reflektojnë mbi këtë shqetësim, në tre aspekte: “Shqetësim i kërkimit të paqes së shpirtit, shqetësim i takimit me Zotin, shqetësim i dashurisë”. E më pas shtoi:
“Dëshiroj t’i them atij, që e shikon me indiferencë Zotin e fenë, atij, që është larg Zotit ose e ka braktisur, e edhe neve, me ‘ftohtësitë’ tona e me ‘braktisjet’ tona, që na shtyjnë larg Zotit, të vogla, ndoshta, por të shumta në jetën e përditshme: a ke zemër, që dëshiron gjëra të mëdha, apo zemër të vënë në gjumë nga gjërat e vogla?”.
Shqetësimi i zemrës e çoi Agostinin në takimin me Krishtin, vijoi Papa, e çon edhe sot njeriun drejt Zotit, e jo drejt mbylljes në vetvete:
Edhe kur e zbulon Zotin e takohet me Të, Agostini nuk ndalet, nuk plogështohet, nuk mbyllet në vetvete, si ai, që arrin cakun, por e vijon udhën. Shqetësimi për njohjen e së vërtetës, për kërkimin e Zotit, bëhet shqetësim për ta njohur gjithnjë më shumë, për të dalë nga vetvetja e për ta bërë të njohur edhe për të tjerët. Është pikërisht shqetësimi i dashurisë”.
Ngulmoi fort Papa, mbi këtë shqetësim, që bëhet baritor:
E Agostini e lë Zotin ta shqetësojë, nuk lodhet duke e kumtuar, duke ungjillëzuar me guxim, pa frikë, përpiqet t’i përngjajë Jezusit, Bariut të Mirë, që i njeh një për një delet e veta (cfr Gjn 10,14), madje, siç i pëlqente të përsëriste, e jeton porosinë, që i jep Shën Pali Timoteut dhe secilit nga ne: e kumton Ungjillin me bujarinë, me shpirtmadhësinë(cfr2 Tim 4,2)e bariut, që shqetësohet për delet e veta. Thesari i Shën Agostinit është pikërisht kjo sjellje: dalja nga vetvetja, për të shkuar gjithnjë më shumë drejt Zotit, drejt grigjës... tensioni i tij ndërmjet këtyre dy daljeve… shqetësimi për të mos e privatizuar dashurinë, për të qenë gjithnjë përudhë. Gjithnjë i shqetë. Thesari i Agostinit është paqja e shqetësimit”.
Por shqetësimi është edhe dashuri. Shqetësim do të thotë të kërkosh, gjithnjë, pa u prehur kurrë, të mirën e tjetrit, të njeriu të dashur. Ta kërkosh me atë force, që të trondit deri në lot! Shqetësimi i dashurisë, përfundoi Papa, të shtyn gjithnjë të ngarendësh drejt tjetrit, pa pritur që tjetri të të thërrasë, sepse ka nevojë për ty. Duhet ta kapësh thirrjen e tjetrit në fluturim, e ashtu edhe t’i përgjigjesh.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama