HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-08-29 17:14:17
A+ A- Printo artikullin



Thirrje e Këshillit Botëror të Kishave: në Siri të ndërhyjë OKB-ja



Këshilli Botëror i Kishave dënon me forcë përdorimin e armëve kimike në konfliktin sirian dhe u bën thirrje Kombeve të Bashkuara të marrin mbi vete përgjegjësinë, që u takon për të mbrojtur popullin e Sirisë nga shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut. Është sekretari i përgjithshëm i Wcc Olav Fykse Tveit, organizëm që koordinon 345 Kisha anëtare, ndërmjet të cilave, edhe Kisha siriane – ai, që kërkon ndërhyrjen e OKB-së, pas përdorimit tragjik të armëve kimike në Siri, kundër civilëve. “Nuk ka aq rëndësi kush fshihet pas këtij sulmi, pohon nga zyrat e Gjenevës sekretari i përgjithshëm Tveit, ndërsa është e absolutisht e pakonceptueshme rruga, që përshkuan armët kimike për të arritur në Siri”. Si Këshill Botëror i Kishave, ndërmjet të cilave janë edhe Kishat e Sirisë, që po vuajnë shumë gjatë kësaj lufte, ne dënojmë përdorimin e armëve kimike në çdo rast e nga të dyja palët. Nuk ka asnjë justifikim. Ditët e fundit, vijon Tveit, e treguan edhe një herë brutalitetin e kësaj lufte, në të cilën njerëzit e pafajshëm po paguajnë një haraç të pallogaritshëm, e të pamerituar”. Këshilli Botëror i Kishave, njofton agjencia Sir, na kujton se më 21 gusht, në Ghouta, një lagje e jashtme e kryeqytetit sirian, Damaskut, vdiqën rreth 1.300 vetë. E shkaku, me sa duket, ishte një sulm me gaz. Po nuk janë të vetmit, që vdiqën në Siri: numri i atyre, që humbën jetën në këtë konflikt, ka arritur tashmë në më se 100 mijë, ndërsa 1,7 milionë vetë e lanë Sirinë, duke nisur rrugën e hidhur të refugjatit e 1,5 milonë u shpërngulen nga shtëpitë e tyre për në zona të tjera të vendit. Gjysma e këtyre refugjatëve e të shpërngulurve, kujton gjithnjë Sekretari i përgjithshëm i Këshillit Botëror të Kishave, janë nën moshën 18 vjeç. Për të mos llogaritur, pastaj, njerëzit e zhdukur pa lënë gjurmë e të rrëmbyerit, ndërmjet të cilëve, dy ipeshkvij, imzot Mar Gregorio Johana Ibrahim i Kishës siro-ortodokse dhe kryeipeshkvi Paolo Jazigi i Kishës greko-ortodokse si dhe tre meshtarë, i fundmi i të cilëve, ati jezuit, Paolo Dal’ Olio. Tveit u bën thirrje Kombeve të Bashkuara të kryejnë sa më shpejt që të jetë e mundur një hetim të plotë e të paanshëm për sulmin me gaz dhe i kërkon qeverisë siriane ta luajë rolin, që i takon, në mbrojtje të qytetarëve të saj. Ka rëndësi të madhe, nënvizon Tveit, që OKB-ja të ketë leje të plotë për të kryer hetimet. E po kaq rëndësi, shton, ka edhe që Shtetet anëtare të OKB-së dhe bashkësia ndërkombëtare të bisedojnë për të gjetur një rrugëzgjidhje paqësore për këtë konflikt.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama