HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2013-08-31 15:34:03
A+ A- Printo artikullin



Imzot Gjika ju lutemi, na trego ndonjë histori!



Djaloshi që sapo foli, është njëzet e gjashtë vjeç, por megjithatë kërkon një histori, ashtu si kërkojnë fëmijët një përrallë, para se t’i zërë gjumi. Duhet pranuar se historitë e imzot Gjikës përhapen në qelinë e ngushtë të burgut rumun, si të ishin një fllad i freskët. Ndërsa ndjek fillin e tregimit të ipeshkvit plak, djaloshi i ri e harron vendin ku ndodhet, rojet që e rrethojnë, muret, torturat... Arratiset nga ai vend. Me mend, natyrisht.
Burgjet rumune janë përplot me të burgosur politikë. Shumë prej tyre, tepër të rinj, nuk e dinë fare ç’i pret. Por ata që kanë fatin të jenë pranë imzot Gikës, harrojnë gjithçka, sapo ipeshkvi plak nis të tregojë një histori të re. E ai nuk shterron kurrë.
Në vitin 1948 imzot Gjika pati mundësi të ikte në mërgim, duke ndjekur mbretin Mikel. Por nuk iku. Deshi të rrinte pranë atyre, që e patën kundërshtuar, përkrah tij, nazizmin një here, e komunizmin tani. Ndonëse e dinte se heret a vonë e priste burgu. Një meshtar katolik, besnik i Papës, nuk u pëlqen asfare komunistëve. E parashikimi i tij vërtetohet shumë shpejt. Më 18 nëntor 1952 arrestohet e dënohet me tri vjet burgim. Ndryshe nga shokët e tij të mjerimit, i përket një breznie, që nuk njohu vetëm tmerret e nazizmit e të komunizmit. Ai rrjedh nga një familje e pasur, ka jetuar në oborrin mbretëror, ka shtegtuar shumë, ka shkelur në rrugët e Parisit, të Vjenës.... Tregimet e tij i zhytin të rinjtë në ëndërrime. E natyrisht ipeshkvi nuk harron kurrë t’u flasë në radhë të parë për Zotin.
Vladimir Gjika u shugurua meshtar në Francë, në vitin 1923. Nëna e tij ishte franceze. E ishte pikërisht ajo që e njohu me Parisin, me kulturën e kryeqytetit të madh, me intelektualët e tij… e edhe me të varfërit e tij. Meshtari mënjanë ndiqte shoqërinë e lartë, në anë tjetër merrej me nevojtarët, duke mbetur tërë jetën njeri krejt i thjeshtë, si gjithë ata që kanë kulturë të vërtetë.
Kur shpërthen Lufta II Botërore, Vladimiri është në Bukuresht, në Rumani. Lufton kundër nazizmit e u hap sytë shumë të rinjve, të gënjyer nga fjalimet e Hitlerit. Më pas ngre zërin kundër komunizmit dhe e kritikon ashpër këtë ideologji ekstremiste. E ja, tani ndodhet në burg.
Ata që e njohën imzot Gikën në burg, thonë se ia dolën t’i bëjnë ballë mundimeve të qelisë vetëm falë atij, tregimeve të tij, mësimeve të tij për Zotin. Deri sa vdiq, më 17 maj 1954, ipeshkvi plak vijoi të tregonte histori, të cilat i mbajtën gjallë ata që i dëgjonin.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama